Arrestimi dhe dënimi i aksionerit më të madh për korrupsion duket se nuk e ka ndikuar fare biznesin e sterilizimit në spitalet publike të Shqipërisë. Kompania SaniService faturoi 14.8 milionë euro nga buxheti i shtetit për vitin 2023 për shërbimin koncesionar të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e kompanisë, gjatë vitit të kaluar të ardhurat e kompanisë arritën në 1 miliardë e 485 milionë lekë me një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin 2022. Kompania raportoi një fitim neto pas taksave prej 1 milionë e 440 mijë euro me një ulje prej 300 mijë eurosh krahasuar me 2022-shin.
Korrupsion dhe miliarda
Sani Service është kompania që ka monopolin e sterilizimit të instrumentave që përdoren në ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet më të mëdha publike të vendit. Aksionet e kësaj kompanie zotërohen nga 4 ortakë. Ata janë Servizi Italia me 30 për qind, Tecnosanimed dhe TRD me 15 për qind si dhe Investital me 40 për qind të kuotave.
Kjo e fundit është një kompani e regjistruar në Kosovë me pronar shtetasin Ilir Rrapaj. Në gusht të vitit të kaluar, Ilir Rrapaj u arrestua nga SPAK së bashku me ish zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj për korrupsion në koncesionin e Sterilizimit. Akuzat e tyre u konfirmuan nga gjykata dhe që nga ajo kohë Rrapaj dhe Rrjepaj ndodhen në burg.
Por edhe pse dy këta persona janë duke vuajtur dënimin, ndërkohë që për ish ministrin Ilir Beqaj për këtë çështje ishte vendosur masa e detyrim paraqitjes, miliardat vazhdojnë të rrjedhin nga buxheti i shtetit në arkën e kompanisë. Pas arrestimeve të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk kishte asnjë shans që të ndërpritej koncesioni i sterilizimit, pavarësisht vërtetimit të korrupsionit në këtë koncesion nga gjykata.
“Kur u lajmëruan masat e sigurisë, për atë grupin që ka bërë procesin e sterilizimit, kam marrë disa mesazhe. Ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë. Dhe, ku do shkojmë? Dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje. Dhe nuk ka shanse,” deklaroi kryeministri disa ditë pas arrestimeve.
Ndërkohë, në janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme e vendosi nën administrim shtetëror pjesën e kuotave në koncesionin e sterilizimit prej 40 për qind, që zotërohen nga Investital e Ilir Rrapajt. Por biznesi vazhdon. Koncesioni i sterilizimit nisi zyrtarisht në vitin 2016. Që nga nisja e tij dhe deri në fundit të vitit 2023, kompania Saniservice ka faturuar 95 milionë euro nga buxheti i shtetit, sipas të dhënave zyrtare në bilancin e saj.