Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë të karburanteve në botë. Kjo edhe pse jemi ndër vendet më të varfra të rajonit dhe Europës, thënë ndryshe me pagën më të ulët mesatare dhe minimale dhe të ardhurat më të ulëta të disponueshme për frymë.
Sipas renditjes së Global Petrol Price, ne jemi vendi i 11 në botë për çmimin më të lartë të naftës, me 1.93 dollarë për litër. Me këtë nivel çmimi, nafta dhe benzina shiten te ne shumë më shtrenjtë se në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Në Ballkanin Perëndimor, vendi me çmimin më të lirë të naftës është shumë afër nesh, Maqedonia e Veriut me 1.43 dollarë për litër.
“Karburantet janë shitur gjithmonë shumë shtrenjtë në Shqipëri. Një treg që ka xhiruar milionë euro dhe ka qenë me leverdi për operatorët privatë dhe qeverinë, pasi taksat që mblidhen në çdo litër naftë janë të sigurta për buxhetin e shtetit dhe lehtësisht të llogaritshme. Nga ana tjetër, pasojat i kanë vuajtur drejtuesit e mjeteve dhe të gjithë qytetarët, pasi nafta është lënda bazë në prodhimin e pjesës më të madhe të produkteve dhe shërbimeve.
Ekspertët e ekonomisë rendisin disa arsye që shpjegojnë pse çmimet e karburanteve janë në nivele të tilla, kaq të larta në Shqipëri. Mungesa e kontrollit të tregut nga institucionet shtetërore është faktori kryesor sipas tyre, që kushtëzon një situatë të tillë kaq diskriminuese për qytetarët. Ata shpjegojnë se kompanitë abuzojnë me çmimin dhe askush nuk i kontrollon.
Kjo është edhe arsyeja, pse në vite në Shqipëri ka ndodhur një dukuri, që tashmë duket se nuk shqetëson askënd. Ndërsa në tregjet financiare ndërkombëtare çmimi i naftës është ulur, në Shqipëri kjo nuk është reflektuar fare ose është reflektuar në mënyrë thuajse të pandjeshme. E kundërta ka ndodhur, kur çmimi i arit të zi është rritur në bursa. Shtrenjtimi në Shqipëri ka qenë i menjëhershëm, brenda pak ditësh, edhe pse ligji, detyron kompanitë importuese të karburanteve që të krijojnë një rezervë në depozita prej 3 muajsh, e mjaftueshme për të amortizuar luhatjet e mundshme të çmimit.
Ekspertët shpjegojnë se importuesit dhe tregtarët e karburanteve janë akuzuar shumë herë për marrëveshje të fshehta dhe fiksim të çmimeve, duke deformuar tregun, konkurrencën e ndershme dhe duke dëmtuar konsumatorët. Por sipas tyre, Autoriteti i Konkurrencës, institucioni që me ligj monitoron tregun dhe e mbron nga situata të tilla abuzuese nuk ka arritur të vërtetojë atë që ndodh realisht.
Abuzimet me çmimet në treg dhe mungesa e kontrolleve nga institucionet janë dy arsyet e para pse shqiptarët I paguajnë shtrenjtë naftën dhe benzinën. Një tjetër faktor i rëndësishëm janë taksat e larta. Të gjitha qeveritë, në vite, kanë rritur dhe shtuar taksat mbi karburantet. Një faturë e rëndë që e paguajmë të gjithë ne dhe që po shkon, jo vetëm për të mbushur buxhetin e shtetit, por edhe për llogari private. Kjo duke pasur parasysh se një pjesë e taksave janë për shërbime të ofruara nga koncensionarët në tregun e karburanteve.
Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë plot 8 taksa mbi çmimin e karburanteve, çka përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në Evropë por edhe në shkallë globale. Por cilat janë taksat që paguhen aktualisht mbi karburantet dhe sa rëndojnë ato në çmimin final?
Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 38 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliencimi.
Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhetin e shtetit u shtohen dy të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, të cilat të dyja bashkë rëndojnë 3 lekë në çdo litër karburant. Këtyre dy tarifave private iu shtohet edhe tarifa e kontrollit të pompave, 2 lekë për çdo litër karburant. Në fund, mbi katër taksat shtetërore dhe tre private, shtohet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar. TVSH-ja mbi naftën është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër. Kjo e çon barrën totale të taksave që qytetarët paguajnë për një litër naftë plot 113 lekë.
Pra në një litër naftë, që sot në treg shitet mesatarisht me rreth 187 lekë, vlera e produktit është vetëm 74 lekë, ndërsa 113 lekë janë taksa, që qytetarët i paguajnë jo vetëm për qeverinë, por tashmë edhe për koncesionarët privatë. Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëri është në 11 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, në vlerë absolute. Ndërsa nëse krahasohet sipas fuqisë blerëse të qytetarëve, Shqipëria është vendi ku karburanti kushton me shtrenjtë se kudo tjetër në planet.
Çmimet e larta të karburanteve rëndojnë jo pak buxhetet e qytetarëve, kostot e biznesit dhe rrjedhimisht, ekonominë. (GR 4) Kjo pasi nafta dhe benzina ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e kostove të transportit, jo vetëm atyre që zotërojnë një automjet, por edhe rritjes së çmimit të biletave në transportin urban dhe interurban. Nga ana tjetër, karburantet janë lëndë e parë në prodhimin e pjesës më të madhe të produkteve. Kjo do të thotë se rriten kostot e prodhimit dhe rrjedhimisht, ato shkarkohen tek konsumatori me shtrenjtim të çmimit të produkteve.
Për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës, të pasurit e një makine nuk është më një luks. Kjo do të thotë se qytetarët po shpenzojnë gjithmonë e më shumë për karburantet.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2021, transporti zinte 6.3% në buxhetin mujor të një familje. Kjo peshë është rritur në vitin 2022, që është edhe e dhëna e fundit zyrtare, në 6.9%.
Zhvillimi i ekonomisë imponon një rritje të konsumit të karburanteve në vend. Rrjedhimisht, qytetarët paguajnë më shumë për naftën dhe benzinën, ndërsa importuesit, tregtarët dhe qeveria, fitojnë më shumë. Të dhënat zyrtare tregojnë se importi I karburanteve arriti në mbi 615 mijë ton në vitin 2023, niveli më i lartë i viteve të fundit. Një tendencë e tillë pritet të vijojë, bazuar në pritshmëritë për rritje ekonomike pozitive.
Por çfarë mund të bëhet që të ulen çmimet e karburanteve dhe Shqipëria të mos rezultojë vendi i 11-të në botë më i shtrenjtë për naftën?
“Ka shumë masa. E para, është kontrolli i tregut. E dyta, çmimin e vendos tregu, por edhe Shqipëria si në disa vende në rajon, duhet të ketë një ent rregullator të hidrokarbureve”, shprehet Sejdarasi, ekspert ekonomie.
“Do të uroja që autoriteti i konkurrencës ta niste me kontroll me rigorozitet nëse ka abuzime. Operojmë në një treg konkurrencial, por nëse çmimet janë shumë të ngjashme, mund të ketë edhe një marrëveshje të heshtur mes tyre. Masa e dytë mund të jetë rishikimi i taksave në karburante”, shprehet Klodian Muço, ekspert ekonomie.
“Rishikim i të gjitha taksave dhe shpërndarja e tyre edhe në produkte të tjera. Autoriteti i Konkurrencës duhet të monitorojë çmimet”, thotë Vjoldi Danaj, ekspert për tregun hidrokarbur.
Përveç uljes së taksave, që kanë efekt negativ në buxhet, masat e tjera që ekspertët propozojnë janë lehtësisht të zbatueshme. Gjithmonë nëse fokusi do të jetë tek tregu dhe mbrojtja e konsumatorëve.
E nëse asnjë ndërhyrje nuk do të bëhet, ashtu siç fatkeqësisht ka ndodhur deri më tani, të gjithë ne, kemi apo nuk kemi një automjet, do të paguajmë më shtrenjtë se gjithë të tjerët për karburantet, në një treg që gjeneron miliona euro, që dalin çdo ditë nga xhepat tanë. (Aurora Sulçe)