Nga Kapitali.al
Biznesmeni Gazmend Haxhia është njeriu simbol i konferencës së famshme të turizmit, e cila çoi pas hekurave ish kreun e SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit e tij. Pasi mori dy herë paratë për të organizuar të njëjtën konferencë, një herë nga ministria e Turizmit dhe një herë nga SASPAC, zoti Haxhia ka qenë dhe pjesë e panelit si moderator ku ka dhënë mendime se si duhej zhvilluar turizmi strategjik dhe i qëndrueshëm në Shqipëri.
Ironi në kufijtë e tragjikes, që prodhohet nga korrupsioni i pandalshëm i zyrtarëve publikë në Shqipëri. Konferenca “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri, FESTA” u zhvillua në Tiranë në datat 3-5 prill të vitit të kaluar.
Shërbimi për organizimin e konferencës sipas SPAK u prokurua dy herë. Një herë nga Agjencia për Koordinimin e Ndihmës së Huaj, që ndryshe njihet me emrin SASPAC për vlerën 125 mijë euro dhe një herë tjetër nga ministria e Mirela Kumbaros për vlerën 385 mijë euro. Të dy tenderat u përlanë nga kompania Landëays International e Gazmend Haxhias.
“Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia,” thuhet në dosjen e SPAK.
Ky është linku zyrtar i konferencës në fjalë. Siç duket nga materiali në të kanë marrë pjesë personalitete të huaj dhe zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare duke filluar nga kryeministri Edi Rama, një sërë ministrash dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Por në ditën e 2, në datën 4 prill, paneli i dytë i konferencës është moderuar pikërisht nga zoti Haxhia. Në këtë panel kanë marrë pjesë figura të shquara të shtetit si zv/kryeministrja Belinda Balluku, por edhe personalitete të larta të biznesit ndërkombëtar si Muhamed Alabbar.
Sipas programit, zoti Haxhia ka drejtuar diskutimet shkencore mbi Strategjitë e Prespektivave të Investimeve duke dhënë dhe mendimet e tij të vyera se si duhej zhvilluar turizmi në Shqipëri. Kjo pasi kishte përlarë dy herë paratë për ta organizuar konferencën, me një vlerë totale prej të paktën 500 mijë euro.
Ndërkohë që prokurorët e SPAK thonë se, i vetmi shërbim i ofruar nga shoqëria tregtare “Landëays International” sh.p.k ishte organizimi i darkës te restorant “Gzona” në një vlerë prej më pak se 42 mijë eurosh.