Mandati i Olta Xhaçkës, kryetarja e GJK: Kuvendi ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të gjykatës, ta ekzekutojë pa vonesa vendimin

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj doli në një komunikim për mediat në lidhje me vendimmarrjen për mandatin e Olta Xhaçkës.

 

Zaçaj tha se Kuvendi ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të gjykatës dhe kërkon që vendimi të ekzekutohet pa vonesa.

Ajo shton se Kuvendi duhet të votojë në përputhje me vendimin e Kushtetuese.

Zaçaj: Mandati i Olta Xhaçkës, kryetarja e GJK: Kuvendi ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të gjykatës, ta ekzekutojë pa vonesa vendimin

Gjykata sot konstatoi se vendimi i saj numër 1 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi.  Gjykata vlerësoi se përmes vendimit në 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë  ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të saj.

Gjykata theksoi se vendimet e saj kanë efektet dhe forcën  e ligjit, asnjë  organ nuk i vendos diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese. Gjykata theksoi se vendimi është i detyrueshëm për zbatim. Kjo do të thotë që Kuvendi dhe deputetët e tij duhet të votojnë në përputhje me vendimin e gjykatës.

Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e këtij konflikti mes palëve.

Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesa të këtij vendimi.

Kryetarja e Kushtetueses theksoi se Kuvendi duhet të veprojë pa vonesë, teksa shtoi se “të dyja çështjet, kërkesa për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, qoftë edhe kërkesa për marrjen e një mendimi Amicus curiae, u rrëzuan nga gjykata.”

Zaçaj: Kur thua pa vonesë do të duhet që Kuvendi të veprojë. Jemi në vendimmarrje të dytë për të njëjtën çështje, i mbetet politikës të vendosë nëse do ta zbatojë konformort asaj që kemi vendosur në vendimin e sapomorëm, që ta sjellë çështjen me përparësi, ashtu siç ne e kemi shqyrtuar me përparësi por nuk kemi vendosur afate.

Të dyja çështjet, kërkesa për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, qoftë edhe kërkesa për marrjen e një mendimi Amicus curiae, u rrëzuan nga gjykata.

VENDIMI I GJK:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 21.06.2024 dhe 25.06.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se 1/10-ta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të tij, me objekt:

1. “ Kundërshtimi i vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë me mandatin të deputetes Olta Xhacka” dhe deklarimi i këtij vendimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

2. Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete se si zgjidhet ky konflikt dhe se si ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet kur mazhoranca, me votim, ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

3. Interpretimi përfundimtar i neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1, 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shqyrtimi i çështjes me përparësi, për shkak të interesit të lartë publik që paraqet.”.

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, sot më 10.07.2024, konstatoi se vendimi i saj nr. 1, datë 23.01.2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vlerësoi se përmes vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit.

Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10-ës së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim në respekt të nenit 132, pika 1, të Kushtetutës. Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Artikulli paraprakAksident i rëndë në Greqi/ Furgoni i drejtuar nga një shqiptar përplaset me një mjet tjetër, 2 të persona të vdekur dhe 2 të plagosur
Artikulli tjetërVizitat e Orban në Ukrainë, Rusi dhe Kinë/ Në PE nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës