Politologu Ilir Kalemaj duke folur në MCN Live mbi protestën e thirrur sot nga opozita, theksoi se mungon një objekt i qartë i saj. Kalemaj thotë se protesta të tilla zakonisht bëhen për kalkulime politike. Ai vë në dukje se problemi s’është se kush do të sjellë njerëz me autobus, por që të ketë një frymë rezistence kundër skandalokracisë.
“Po shikoja ftesat që kishin shpërndarë Bardhi dhe Noka, këto bëhen zakonisht në rast programi elektoral. Të lajmërosh popullin në rrugë se pse duhet të protestojë, me duket e tepëruar në rastin më të mirë. Kushdo që e ndjen se duhet të protestojë, nuk pret një ditë në vit, por proteston në forma të ndryshme. Kemi pasur protestën për Onkologjikun.
Problemi është që këto protesta zakonisht bëhen për kalkulime politike, jo për hallin e qytetarëve. Ne s’e dimë cili është objekti i protestës. Të rrëzojë Ramën? Po e kanë bërë disa herë, në forma të ndryshme. Protestat më radikale i ka bërë z.Basha. Kemi parë forma të ndryshme proteste. Këtu problemi s’është kush sjellë njerëz me autobus në protestë. Problemi është a ka frymë rezistence ndaj akteve arbitrare qeveritare dhe ndaj skandalokracisë apo jo? A duhet të jenë njerëzit të revolutar, për ilaçet, tenderat e bashkisë, ajrin e ndotur dhe shumëçka që nuk shkon në këtë vend.
Nëse gjysma e opozitës del me bluzat ‘lironi liderin e opozitës’, dhe gjysma tjetër del për mandatin e radhës, s’kemi një protestë kohezive. E para është objekti i protestës, dhe më pas strategjia e protestës. Kush është objekti? Del një thotë të rrëzojmë Ramën, tjetri të rrëzojmë Veliajn, tjetri qeveri teknike, tjetri zgjedhje të parakohshme. Këto janë 4 objektiva të ndryshme. A ka një objektiv madhor? Ti mund të thuash të largoj Ramën, t’i s’ke asnjë instrument kushtetues për ta bërë”.