Aranit Muraçi
Artikulli përkon me Ditën Botërore të Popullsisë që mbahet çdo vit më 11 korrik. Një krahasim i ndryshimeve demografike në Shqipëri dhe BE
Popullsia e BE-së është projektuar të rritet sërish në vitin 2024, ndërsa Censi 2023 në Shqipëri zbuloi rënien dramatike të popullsisë së vendit tonë, me rreth 400 mijë banorë.
Pas një rënie në 2020 dhe 2021 për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19, popullsia e BE -së është rritur për të dytin vit radhazi, nga 447.6 milionë që ishte në 1 janar 2023 ka shkuar në 449.2 milionë njerëz më 1 janar 2024. Ndryshimi negativ natyror (më shumë vdekje sesa lindje) ishte më i madh se migrimi neto pozitiv. Rritja e vëzhguar e popullsisë mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së lëvizjeve migratore pas COVID-19 dhe fluksit të personave të zhvendosur nga Ukraina që morën statusin e mbrojtjes së përkohshme në vendet e BE-së, si pasojë e luftës së agresionit rusë në shkurt 2022.
Popullsia në Shqipëri
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 (më tej referuar si Censi) zbuloi sërish trendin rënës të popullsisë së Shqipërisë. Prej 23 vitesh trendi ka qenë thuajse i pandryshuar, sepse largohen çdo vit 50 mijë qytetarë. Por nëse në dekadën e kaluar popullsia ishte më e lartë dhe dominonte mosha aktive për punë, fakti që vazhdojnë të largohen rreth 50 mijë qytetarë çdo vit edhe për dekadën e fundit, tregon se politikat kanë dështuar dhe shqiptarët masivisht dhe fatkeqësisht vazhdojnë të mos shohin të ardhme në vendin e tyre.
Popullsia banuese në Shqipëri, sipas numërimit në momentin e censit – mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023 rezulton 2,402,113, prej të cilëve, 49,6 për qind janë meshkuj dhe 50,4 për qind femra. Referuar Censit të Popullsisë dhe Banesave 2011, popullsia banuese në Shqipëri ishte 2.821.977, me një rënie prej 420 mijë banorë. Kjo rënie përshtatet me trendin e vërejtur gjatë tre dekadave të fundit, që prej Censit të vitit 1989. Krahasuar me BE-në, Shqipëria ka humbur 10-fishin e popullsisë së humbur të Greqisë, një ndër 7 vendet e Bashkimit Europian popullsia e së cilës ka pësuar rënie. E ndërsa rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë është fenomen global dhe ndoshta është e vështirë për t’u “kuruar” si fenomen nga Shqipëria, emigracioni është “plaga” ende e pashërueshme e tranzicionit për të cilën nuk ka asnjë përmirësim. Është pikërisht emigracioni fenomeni që po shkreton anembanë Shqipërinë.
Popullsia e Shqipërisë nisi të zvogëlohet që prej vitit 1990, i cili shënoi një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë. Para vitit 1990, vendi përjetoi një rritje të qëndrueshme të popullsisë. Gjatë periudhës pasuese, normat e ulëta të lindshmërisë dhe emigracioni ishin faktorët kryesorë që kontribuan në zvogëlimin e popullsisë. Gjatë periudhës midis censeve 2001-2011, vlerësohet se rreth 500 mijë individë emigruan nga Shqipëria, një mesatare prej rreth 50 mijë individë në vit. Ky trend emigracioni qëndron pothuajse i njëjtë me mesatarisht 50 mijë emigrant në vit. Numri i lindjeve ka ardhur në rënie, nga 53 mijë në vitin 2001 në 34 mijë në vitin 2011, ndërsa, numri i vdekjeve në këtë periudhë mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë vdekje në vit, duke rezultuar me një shtesë natyrore pozitive.
Gjithashtu, referuar periudhës 2011-2023, popullsia e Shqipërisë karakterizohej nga një shtesë natyrore pozitive deri në vitin 2020, dhe në 2021 mbas pandemisë COVID-19, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve. Për vitin 2023, nga të dhënat administrative rezultuan rreth 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje, duke shënuar rikthim në shtesën natyrore pozitive.
Popullsia në BE
Janë të dhënat e fundit për popullsinë e publikuar sot nga Eurostat.
Në terma afatgjatë, popullsia e BE-së u rrit nga 354.5 milionë në vitin 1960 në 449.2 milionë më 1 janar 2024, një rritje prej 94.7 milionë njerëz. Shkalla e rritjes së popullsisë është ngadalësuar gradualisht në dekadat e fundit: popullsia e BE-së u rrit mesatarisht me rreth 0.6 milionë persona në vit gjatë periudhës 2015-2024, ndërsa rritja mesatare në vitet 1960 ishte 2.9 milionë njerëz në vit. Ndërsa popullsia e BE-së ra në vitin 2020 me rreth gjysmë milioni persona dhe në vitin 2021 me pothuajse 0.3 milion persona për shkak të pandemisë COVID-19, ajo ka filluar të rifitojë rritjen e saj siç tregojnë shifrat e fundit zyrtare.
Popullsia e vendeve individuale të BE-së më 1 janar 2024 varionte nga 0.6 milionë në Maltë në 83.4 milionë në Gjermani. Gjermania, Franca dhe Italia së bashku përbënin pothuajse gjysmën (47%) të popullsisë totale të BE-së më 1 janar 2024.
Ndërsa popullsia e përgjithshme e BE-së u rrit në vitin 2024, jo të gjitha vendet e BE-së regjistruan rritje të popullsisë. Në total, 7 vende regjistruan një rënie të popullsisë midis 1 janarit 2023 dhe 1 janarit 2024, me uljet më të mëdha të raportuara në Poloni (-132.800 persona), Greqi (-16.800) dhe Hungaria (-15.100). Rritje u vunë re në 20 vendet e tjera, me më të mëdhatë në Spanjë (+525.100), Gjermani (+330.000) dhe Francë (+229.000).
/Liberale.al/