Nga dr. Hasan Bello
Skllavet ose xharijet ishin vajza ose gra të cilat gëzonin një status social në të gjith Lindjen. Në Perandorin Osmane pozita e tyre trajtohej në përputhje me të drejtën islame. Kështu që krahasur me periudhën e antikitetit, nuk është e njëjta gjë. Islami nxiste lirimin ose, në rast të kundërt një trajtim dinjitoz për të gjithë skllevërit. Aq sa diferenca e statusit të tyre politik me njerëzit e lirë, ishte shumë e ngushtë.
Në oborrin perandorak osman xharijet ishin pjesë e jetës së përditshme. Përzgjedhja e tyre bëhej me kujdes, sepse pas një shkollimi special, një pjesë e tyre martohej me burokratë dhe drejtues të lartë të shtetit osman. Një rast konkret është sulltanesha Kosem (1589-1651), e bija e një prifti grek nga Qefalonia, e cila është nëna e tre sulltanëve. Madje, ajo njihet si femra e parë që kishte të drejtë të merte vendime në emër të padishahut.
Por xharijet përdoreshin edhe për profesione të ndryshme në oborrin perandorak. Kjo në varësi të prirjeve që ato kishin, si: muzikante, poete, guzhiniere, etj etj. Jo çdo xharie mund të bëhej gruaja e sulltanit. Për këtë nevojitej dëshira e të dyja palëve dhe kishte një procedurë.
Kështu, teksa shfletoja këtë libër të botuar nga një historiane turke, lexova rastin e një xharije të bukur të cilës Abdylhami II i kishte propozuar për tu martuar disa herë. Pas disa vitesh, kur ky e pyet se ende mbante inatë dhe vijonte ta refuzonte, ajo i përgjigjet se kishte shumë konsiderata për të dhe ishte e gatshme të sakrifikonte edhe jetën. Por bashkëshorti i saj duhet të kishte vetëm një grua. Vetëm atë! Pas kësaj bisede, Abdylhamidi II bëhet shkes që xharija në fjalë të martohet me një funksionar të ndershëm. Përveçse i dhuroi një konak (vilë) në një lagje të Stambollit, organizoi gjithashtu një dasëm që zgjati pesë ditë, ndërsa bashkëshorti u prit në një takim zyrtarë.
Më mirë një skllav me dinjitet dhe me parime sesa një njeri i lirë, por me mentalitet dhe karakter skllavi..