Grabitja e dyqanit të internetit në Tiranë, autori ende i lirë

Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorin e grabitjes së 800 mijë lekëve në dyqanin e një kompanie të shërbimeve të internetit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të premtes, kur një person i maskuar dhe i armatosur me pistoletë kërcënoi shitësin dhe i mori të gjitha paratë. Policia tha dje se ka shoqëruar disa persona për t’u pyetur në cilësinë e të dyshuarve, por më pas ata janë lënë të lirë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të së premtes, në kryqëzimin e rrugës “Kongresi i Manastirit”, me rrugën “Bardhyl”. Shitësi i dyqanit, i ka pohuar hetuesve të policisë se autori ishte një person i veshur me të zeza, rreth 25 vjeç dhe mbante të veshur një bluze me kapuç të zi. Në fytyrë kishte të hedhur një shall për mos u identifikuar.
Sipas shitësit, agresori mbante me vete një çantë, në të cilën futi edhe sasinë e parave të marra në dyqan. Ekspertët kriminalistë të policisë, nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë në vendngjarje, pasi grabitësi ka vepruar me doreza.

Artikulli paraprakZjarr në një apartament në Tiranë, digjen dy banesa në Fushë Krujë
Artikulli tjetërMakina përplas për vdekje këmbësorin në autostradë