Bashkia e Lushnjës ju dërgon fatura nga Ujësjellësi dhe subjekteve që nuk kanë fare tuba të ujësjellësit në lokal dhe nuk furnizohen me ujë. Skandali i Ujësjellësit të Bashkisë së Lushnjës është denoncuar publikisht nga kryetari i degës së PD të Lushnjës, Myslim Murrizi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Murrizi shkruan se, siç duket mjafton të kesh një ndërtesë në territorin e kësaj bashkie, por nuk ka problem se furnizohesh me ujë pusi, por paratë do t’i paguash tek Ujësjellësi.
Pronari i një lokali në Lushnjë shprehet se, në lokalin e tij nuk ka tuba të ujësjellësit, as sahat uji, por i ka ardhur fatura 750 mijë lekë, ndonëse nuk ka harxhuar asnjë pikë ujë. Lokali im ndodhet tek ish-posta e vjetër dhe është pa lidhje uji nga Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe pa sahat uji. Nga viti 2007 deri më sot, pa sjellë asnjëherë ndonjë faturë për detyrime, pasi nuk kishte sahat uji dhe nuk kishin çfarë, si dhe sa të faturonin. Pa pritur e pa kujtuar pas nëntë vitesh, sjellin një detyrim prej 75.000 lekë të reja si të pashlyera ndaj Ujësjellësit Lushnjë. Dyqani ka qenë dhe vazhdon të furnizohet me ujë pusi. Akoma vazhdon që mos të ketë sahat uji, por detyrimet na i sjellin”, shprehet qytetari.
Po ashtu, mjaft qytetarë në Lushnjë ankohen për fatura fiktive nga Ujësjellësi. Nga denoncimet e shumta të qytetarëve, bëhet me dije se ata janë faturuar më shumë se 20% se sa kanë konsumuar ujë. Për më tepër, situata bëhet edhe më skandaloze, pasi qytetarët nuk kanë se ku të ankohen.
Një prej qytetarëve, i cili ka një biznes privat, për muajin tetor i kanë ardhur dy fatura uji me diferencë prej 27 mijë lekësh. Me të dyja faturat në dorë ka shkuar pranë zyrës së Ujësjellësit, por punonjësja i ka thënë që nuk ka internet dhe nuk funksionon sistemi. Ai është një nga qytetarët e shumtë që iu kanë mbërritur fatura të tilla dhe ka vendosur ta denoncojë këtë skandal.
Por ka edhe dhjetëra qytetarë të tjerë, që shprehen se me ardhjen e “rilindjes” në pushtet janë shtuar mbifaturimet e ujit dhe të dritave. Qytetarët shprehen se, mbifaturimet bëhen qëllimisht për të mbushur arkën e bashkisë, ndërsa kur shkojnë për t’u ankuar zyrtarët nuk u japin asnjë zgjidhje ndonëse kanë të drejtë.
E njëjta situatë ndodh edhe në Fier. Një qytetar shprehet se ndonëse banesa e tij nuk furnizohej fare me ujë nga Ujësjellësi i Fierit i vinin fatura sikur harxhonte ujë. Në banesën e tij nuk kishte fare tuba uji. “Hipotekova banesën qysh nga 2006-ta, nga babai në pronësinë time! Vërtetimet e ujit dhe dritave që dorëzova në Hipotekë, nuk kishin detyrime, pasi babai (rahmet pastë), e kishte mbyllur kontratën qysh më 1995-ën! Më 2011-ën, sa morën “rilindasit” Ujësjellësin, filluan faturat pa pasur ujë në banesë, në emër të babait! U mundova të sqaroja te Ujësjellësi, po ndesha në një arrogancë dhe harbutëri të paparë! Vërtetë këta janë më të pashpirtët që ka njohur bota”, shprehet qytetari nga Fieri.
Ndërsa një qytetar tjetër thotë se i ka paguar rregullisht faturat e ujit, por për tre muajt e fundit i kanë ardhur përsëri faturat sikur nuk i ka paguar lekët. Ai thotë se, këtë fakt e vërteton me librezën e shlyerjes së detyrimeve qoftë të energjisë elektrike ashtu edhe të ujit të pijshëm. Ai shprehet më tej se për këtë fakt abuzues, ka bërë ankesat pranë Ujësjellësit, por është mbajtur me shpresa dhe se do ta verifikonin këtë problem, por askush nuk ka shkuar për të verifikuar faturat e aforfe dhe për t’i hequr ato. Qytetarët ankohen si për korrupsionin e zyrtarëve dhe për arrogancë në zyrat shtetërore.