Bardhi ‘shkarkohet’ nga Berisha dhe diskretitohet nga njerëzit pranë tij

Nga Bato Kosova

Pasi e kanë përdorur në luftën e brendshme në PD kundër Lulzim Bashës, Gazment Bardhin, duket po e flakin si limon të shtrydhur.

Duke iu referuar shprehjes së “tradhëtinë të gjithë e duan, por tradhëtarin s’e do askush”, Bardhi po vjel frytet e punës së vetë.

Ndonëse formalisht është kreu i grupit parlamentar të PD-së, një ditë më parë ka qenë vetë Sali Berisha që e ka njoftuar grupin demokrat për të qenë pjesëmarrës në seancën e sotme, për shkak të rëndësisë së madhe që ajo seancë kishte, duke qenë se në të do të raportonin krerët më të lartë të institucioneve të drejtësisë, përfshi edhe Altin Dumanin, kryeprokurorin e SPAK-ut.

Në mesazhin e tij shpërndarë deputetëve të PD-së, Berisha duket se e ka orientuar debatin e këtij grupi në sulmet ndaj SPAK, në kapjen dhe në mungesën e drejtësisë, e cila, sipas tij, është jo vetëm e kapur, por po përdoret si mashë nga Edi Rama.

Bashkimi në diversitet i përdorur së pari nga Bardhi, por edhe i konfirmuar më pas nga Berisha, nuk është gjë tjetër vetëm se një bashkim kaotik, pa ide të qarta dhe thjesht një përdorim për të marrë Berisha vulën dhe siglën e PD-së dhe më pas për ta përdorur këtë forcë politike si bunker kundër SPAK-ut dhe kundër drejtësisë, për hallin e tij personal.

Është e qartë se Gazment Bardhi ka ngrënë lugën e çorbës, mirëpo sërish ai ka frikë të sulmojë hapur SPAK-un me gjuhën dhe mënyrën që kërkon Berisha.

Kështu që Bardhi “shkarkohet” edhe nga të njoftuarit të grupit parlamentar të PD-së dhe shërben aty, vetëm si një lodër njëpërdorimshme.
Kjo skemë për të goditur Bardhin është shpërfaqur edhe mediatikisht. Portalet e drejtuara nga njerëz afër Berishës, mbanin tituj që e orientonin opinionin te mungesa e besimit që ish-kryeministri ka te Bardhi dhe te grupi i deputetëve, që ende nuk ka veshur bluzën “Free Berisha”. Pra, pas përdorimit, ka nisur larja e hesapeve ndaj dikutj që nuk i shërben më. Pas zgjedhjeve të 14 majit, kur Berisha kishte prekur fundin, Bardhi i zgjati dorën, duke i dhënë jetë një projektit të dështuar politik të Berishës.

Në mungesë të sulmeve nga Gazment Bardhi, Berisha përdor figura të mbaruara politikisht si Tritan Shehu për të sulmuar Altin Dumanin, apo figura si Luan Baçi për të sulmuar Gazment Bardhin sa herë që ky del nga vija që i ka përcaktuar Berisha.

Bashkimi në diversitet nuk ishte gjë tjetër vetëm se një reng i madh për demokratët, të cilëve iu hodh hi syve, sepse shqiptarët, me sa duket, e kanë të qartë bashkimin që prodhon Berisha me të tjerët kur bëhet bashkë./Alfapress.al

Artikulli paraprak“Është krim intelektual dhe shumë kompleks”- Kreu i SPAK flet për hetimet për inceneratorët! Ja çfarë thotë Altin Dumani për abuzimet me fondet e IPARD
Artikulli tjetërShënim/ Duhet bërë gjithçka që pazari Rama-Berisha të mos e pengojë të ardhmen e Shqipërisë