Nga Ergys Mërtiri
Shfaqja e sotme në Parlament ishte një nga më të turpshmet e këtyre kohëve të fundit. PS-ja beri lojën e Berishës, duke ia nxjerrë në pritë djallëzisht Altin Dumanin, në mënyrë që lagojtë e tij ta sulmojnë me të gjithë histerinë e akuzave të tyre banale.
Si mund të ketë dialog me këtë lloj gjuhe?
Pikë së pari, Kryetari i SPAK-ut nuk është politikan që të përballet me akuza politike, aq më tepër me akuza që burojnë nga fantazia e një propagande që sajon komplote botërore nga më qesharaket. Ai nuk ka përgjigje për njerëz që diskutojnë nga premisa superiore e halucinacioneve të tyre konspirative të prodhuara për konsum partiak të një kategorie fare të ngushtë militantësh të verbër.
Nga ana tjetër, ai nuk mund t’iu përgjigjet akuzave që kërkojnë të flitet për çështje në hetim, pasi kjo nuk lejohet me ligj. Prokurori nuk mund të ofrojë informacion për çështje që janë në hetim. Ai madje duhet të hetojë ata që i nxjerrin të dhënat, jo më të flasë vetë për to.
Sigurisht, të gjithë në atë sallë e kanë të qartë këtë, por, në mënyrën më të paskrupullt, e kaluan gjithçka si normale. Njëra palë (deputetët e Berishës) bënte sikur këto ligje nuk ekzistojnë, kurse pala tjetër bënte sikur ishte në anën e Dumanit, por, me tolerancë ndaj kundërshtarëve politikë, në një kjo kur pasojat e kësaj “tolerance” binin mbi SPAK-un dhe jo mbi ata.
Vetëm në fund, kur shfaqja ish konsumuar prej gati tre orësh, maxhoranca e ktheu kasetën duke bërë si e indinjuar me degjerimin e seancës nga pala kundërshtare, e duke filluar të reagojë, çfarë bëri që të rikthehen shfaqjet bajate të përplasjeve të shtirura midis deputetëve të Berishës dhe drejtueses së seancës.
Në fakt, Dumani është sot një nga zyrtarët më me integritet dhe kjo nuk është e lehtë, në një vend të kapur si ky, ku qeveria ka nën kontroll çdo pushtet, madje edhe opozitën. Dumani i ka bërë qeverisë pakrahasimisht herë më shumë dëm se e gjithë opoizta në 12 vjet. Ai ka arrestuar apo vendosur nën hetim njerëzit më të afërt dhe më të rëndësishëm të Ramës duke i rrëzuar atij çdo alibi për të qendruar në pushtet. Shërbim më të madh se të sulmosh SPAK-un, nuk mund ti bësh kësaj qeverie.
Sulmet e sotme të opozitës ndaj Dumanit dhe pozicionimi i shtirur i maxhorancës në mbrojtje të tij, janë një teatër që kërkon të fabrikojë një gënjeshtër të madhe: Sikur Rama është në mbrojtje të SPAK-ut, ndërsa opozita në sulm ndaj tij. Kjo gënjeshtër shkon në favor të të dyja palëve: Berisha rrit delegjitimimin e SPAK-ut në sytë e militantëve të vet, ndërsa Rama prodhon një fabul që kërkon t’ia forcojë besueshmërinë në kushtet e rrënimit të plotë. Ai kërkon kështu të konfiskojë kredibilitetin që SPAK-u ka arritur në sytë e publikut, duke hetuar e arrestuar njerëzit e qeverisë.
Rama kërkon ta paraqesë realitetin sikur SPAK-u është krijesë e tij, dhe hetimet janë pasojë e vendosmërisë së tij për të luftuar korrupsionin edhe brenda rradhëve të tij, pa pyetur as për miqtë e afërt. Vetëm një opozitë e degjeneruar si kjo mund t’ia bënte këtë dhuratë Edi Ramës.
Në të vërtetë, të dyja palët janë kundër SPAK-ut. Rama po kërkon të ngrejë komisione për ti hequr kompetencat, ndërsa nuk pranon ti shtojë kapacitetet për të rritur numrin e hetimeve, e as zgjatjen e mandative në mënyrë që kjo punë e nisur të vijojë. Ndërkohë, të dyja palët bien dakort për një amnisti që shpëton nga duart e kësaj prokurorie 105 të akuzuar, siç bëri të ditur sot vetë Dumani.
SPAK-u është e vetmja shpresë që në këtë vend të ndryshojë diçka, është e vetmja mundësi që kjo klasë politike, ky sistem kapjeje, ky establishment i kalbur të hapë rrugë për të krijuar mundësitë të dalë diçka e re. Këtë shpresë duan ta vrasin të dyja palët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për ti dhënë vijimsi si llucës që ka mbajtur gjallë moçalishten e tyre 33 vjeçare.