Për faqezinjtë në Jug dhe qeverinë, që faqen e ka bërë shollë me kohë

Nga Klodian Tomorri

Në fillim të këtij viti, autoritetet gjyqësore në Bangladesh dënuan me 6 muaj burg nobelistin Muhammad Yunus. I pagëzuar si bankieri i të varfërve, Yunus është ndoshta një nga personalitetet me kontributin më të madh në botë për uljen e varfërisë. Kompanitë e tij të mikrokreditit social kanë nxjerrë me miliona njerëz nga varfëria në planet. E megjithatë arsyeja zyrtare që e çoi në burg ishin kushtet e vështira të punonjësve në kompanitë e drejtuara prej tij.

Pak ditë më parë, një gjykatë në Milano vendosi kompaninë e famshme të modës Christian Dior nën vëzhgim gjyqësor. Arsyeja e vendimit ishin sërish kushtet e punonjësve nga vendet e treta, të cilët flinin në fabrika dhe punonin me tre turne.

Shpërblimet e punonjësve, përfitimet dhe kushtet e punës caktohen në marrëdhënie kontraktuale dy palëshe mes tyre dhe punëdhënësve. Por kur fuqia negociuese është e zhvendosur më shumë në njërin nga krahët, atëherë pala tjetër e pëson. Ky është rasti kur nevojitet veprimi qeveritar.

Në Shqipëri, aktualisht një nga frontet më të mëdha të punësimit është industria e turizmit. Për shkak se kjo industri është punë intensive, në pamundësi për ta plotësuar kërkesën me banorët lokalë, shpesh bizneset marrin punonjës nga zona të tjera.

Në Jug të Shqipërisë sot pjesa më e madhe e kamarierëve, banakierëve, apo punonjësve të tjerë të shërbimeve turistike vijnë nga zona të tjera të vendit. Kjo ka krijuar një problem të mprehtë. Kushtet çnjerëzore të punës.

Një pjesë e madhe e punëtorëve migratorë flenë në trailera, barraka dhe kontenierë, të cilët nuk kanë as kushtet më minimale higjenike. Fenomeni është masiv dhe mund të dëshmohet lehtësisht nga kushdo. Përveçse qeverisë.

Ministrja e turizmit, e cila është bërë si baresha që numëron çdo ditë delet kur hyjnë në vathë- kjo numëron numrin e turistëve, paradite, pasdite dhe në mbremje- nuk ka sy të shohë fenomenin e turpshëm.

Gjobaxhinjtë e inspektoriatit të punës, po ashtu me sa duket nuk i shohin barrakat dhe kontenierët e mbushur me njerëz, që detyrohen të shkojnë aty nga pamundësia e tyre ekonomike dhe babëzia e pronarëve të tyre. Këta të fundit i kanë paratë, sepse po fitojnë tani më shumë se kurrë, por nuk duan të ndajnë hisen me të tjerë. Pastaj ankohen se nuk gjejnë dot punonjës.

Ky është një turp që duhet të marrë fund. Shqiptarët nuk mund të jetojnë në vendin e tyre pa dinjitet dhe në kushte që janë të tmerrshme edhe për vendet e botës së tretë. E kanë bërë dikur, kur detyroheshin të merrnin rrugët e kurbetit dhe të flinin në kanikët e Greqisë. Por jo në vendin e tyre.

Dhe ky duhet të jetë shqetësimi kryesor i bareshës që hedh valle poshtë e përpjetë nëpër Shqipëri dhe shefit të saj që numëron çdo orë makinat në tunelin e Llogarasë dhe pasagjerët në Aeroportin e Rinasit./Kapital.al

Artikulli paraprakDrejtoi për 16 vjet Gjermaninë/ DW: Angela Merkel, figurë simbol për Evropën! Çfarë dihet sot në 70-vjetorin e saj
Artikulli tjetërInflacioni me metodologjinë e Eurostat: Çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve arsimore me rritjen më të lartë në qershor