Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030, jep një informacion mbi mekanizmat e përdorur nga personat e ekspozuar politikisht për pastrimin e parave të përfituara nëpërmjet veprave penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës.
Sipas AIF, këta persona pas përfundimit të detyrës apo funksionit publik kryejnë investime në vlera të larta në një biznese, pa një burim të qartë të ardhurave. Një formë tjetër e pastrimit të parave është edhe deklarimi i fitimeve të larta të menjëhershme nga bizneset e zotëruar nga ish- persona të ekspozuar politikisht.
Një fenomen tjetër i vërejtur nga AIF është qarkullim fondesh të larta në llogaritë individuale deklarohen si të ardhura nga biznesi, por që janë të pajustifikuara nga të ardhurat e biznesit.
Një tipologji tjetër e konstatuar nga AIF është vendosja fillestare e administratorëve ose përfaqësuesve ligjor, por edhe e ortakëve të personave juridikë pa të dhëna për aktivitet kriminal, por dukshëm pa përgatitje të duhur në kulturë ekonomike apo arsimore për të zotëruar ose zhvilluar aktivitete të tilla tregtare, që zotërohen de facto nga persona të ekspozuar politikisht dhe që më pas kalohen në emër të tyre. Një pjesë e këtyre shoqërive, në raste sporadike, janë të përfshira në fushën e prokurimeve publike.
Një segment i rëndësishëm i pastrimit të parave të korrpusionit ngelen pasuritë e paluajtshme. AIF vëren se këta individë kryejnë investime në pasuri të paluajtshme mbas mbarimit të detyrës pa një burim të qartë të ardhurave, ose kryejnë investime në pasuri të paluajtshme me çmime të deklaruara që qëndrojnë poshtë vlerës së tregut.
Për sa i përket subjekteve të tjera, AIF vlerëson se individët rezidentë vazhdojnë të jenë grupi më i madh i subjekteve të përfshira në aktivitete me potencial pastrimin e parave.
Skenarët e rrezikut më të lartë që lidhen me individët janë blerja e pasurive me burim të panjohur apo të pajustifikuar; përfitimi i transfertave të shpeshta dhe në vlera të vogla nga individë pa një lidhje të qartë mes tyre; depozitimi në llogari bankare të shumave cash me burim të panjohur; blerje pasurish të paluajtshme nën vlerë dhe rivlerësim brenda një kohe të shkurtër; veprime financiare (përfshi depozitim, transferta, investim në pasuri të paluajtshme apo të luajtshme) nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale; investim në vlerë të lartë në pasuri të paluajtshme nëpërmjet përdorimit të personave të tretë.
Për individët jo rezidentë, skenarët kryesorë të lidhur me pastrimin e parave janë krijimi dhe regjistrimi i subjekteve juridike rezidentë dhe përdorimi i llogarive të tyre bankare për marrjen apo dërgimin e transfertave nga/drejt juridiksioneve të ndryshme pa një lidhje të qartë me objektin e veprimtarisë të shoqërisë, me dyshime të lidhura kryesisht me evazionin fiskal; realizimi i investimeve, kryesisht në pasuri të paluajtshme, pa një burim të qartë të ardhurave.
Personat juridikë rezidentë, sipas AIF, vazhdojnë të përfaqësojnë numrin e dytë më të madh të subjekteve të përfshirë në aktivitetin e mundshëm të pastrimit të parave, kryesisht me burim të ardhurash nga krime në fushën tatimore, mashtrimi, krimi i organizuar, korrupsioni. Skenarët kryesorë përfshijnë:
vendosjen e fondeve me origjinë të panjohur në qarkullimin real tregtar;
-investimin në pasuri të paluajtshme në emër të shoqërisë ekzistuese të zotëruar nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale në vlera të pajustifikuara me burime të ligjshme;
-përfitimin e transfertave të larta në llogari biznesi të personit të dyshuar si i përfshirë në veprimtari kriminale nga shoqëri pa një lidhje të qartë mes shërbimit ose mallit të ofruar dhe pagesës;
-përfshirjen e një individi të vetëm në disa subjekte të cilat kanë të njëjtin objekt veprimtari apo të njëjtën adresë dhe kryerja e transaksione pa një lidhje të qartë midis palëve të transaksionit;
-transferta të dyshimta të përfituara në llogari të një shoqërie, që nuk ka aktivitet të mirëfilltë ekonomik;
-përdorimi i subjekteve juridike për përfitimin e transfertave nga jashtë nëpërmjet mashtrimit ku pjesa dërmuese e fondeve kanalizohen jashtë vendit dhe një pjesë tërhiqen cash.