Bëj tifo për Juven

Administratori i Milanit, Adriano Galiani, nuk e ka fshehur kurrë që në rininë e tij ka qenë një simpatizant i Juventusit, mirëpo pas 30 vitesh në krye të klubit kuqezi, sigurisht që i kanë ndryshuar shijet. Por, drejtuesi i “Djallit” ka zbuluar se, me përjashtim të rasteve kur “Zonja e Vjetër” luan përballë Milanit, ai bën tifo për kampionët e Italisë: “Unë bëj tifo për Juventusin në 36 nga 38 ndeshjet e vitit. Kjo, për faktin se bardhezinjtë po bëjnë një kampionat më vete dhe, me shumë mundësi, do të fitojnë edhe në këtë sezon titullin. Mua më intereson fakti që të fitojnë sa më shumë ndeshje, në mënyrë që Milani të fitojë terren karshi kundërshtarëve. Kjo është arsyeja pse bëj tifo për Juventusin, me përjashtim të sfidës kundër Milanit”.
Galiani, me pak fjalë, pranon që mbështet në kampionat ekipin e drejtuar nga Masimiliano Alegri, teksa shpreson që bardhezinjtë, duke mundur rivalët si Roma, favorizojnë kuqezinjtë në garën për një vend në Champions. Arsyetimi i administratorit ka një logjikë, por të njëjtin mendim me të nuk ndajnë tifozët e Milanit.
Deklarata e krahut të djathtë të Silvio Berluskonit ka bërë menjëherë jehonë në radhët e tifozëve, të cilët, në profilet e ndryshme sociale, kanë shpërthyer kundër administratorit. Sipas tyre, është e pafalshme që një drejtues i Milanit të bëjë tifo për Juventusin, rivalja historike në kampionat.
Sakaq, rrjeti i kanaleve “Sky Sport” ka zbuluar se administratori i Milanit, në përfundim të takimit kundër Atalantës, ka darkuar me presidentin e zikaltërve, Perkasi. Mediat flasin se në “meny” kanë qenë emrat e Kaldarës dhe Galjardinit. Milani është shumë i interesuar për dy xhevahiret e Atalantës dhe mësohet se në verë ka gati një ofertë për lojtarët. Mirëpo, për Kaldarën kuqezinjtë duhet të fitojnë në merkato betejën me Juventusin, që ka prezantuar një ofertë zyrtare për lojtarin.
Milani nuk duhet të dështojë kurrsesi në merkaton e janarit. Pa u fshehur pas fjalëve, por i drejtpërdrejtë në ato që thotë adminstratori i deleguar i kuqezinjve Adriano Galiani shpjegon se situata është delikate. “Përjashtoj kategorikisht goditje të mëdha në janar. Situata jonë është shumë komplekse. Është e vështirë, sepse në këto momente duhet të bëj një marrëveshje, ta mbyll e më pas të kërkoj autorizim”, u shpreh Galiani.
Galaini i referohet kinezëve, që sipas marrëveshjes, pasi derdhën 200 milionë euro si parapagim, duhet të japin miratimin e tyre pas çdo vendimi në merkato. Kjo është arsyeja që Milani është në dizavantazh me rivalët.
“Nuk mund të bësh asgjë, sepse edhe në arrin një marrëveshje, të gjithë e dinë se kur e mbyll duhet të marrësh miratimin e pronarëve të rinj. Që të mos shpenzosh para, para se të blesh duhet të shesësh”, tha ai. Ndoshta kjo është arsyeja që Juventusin e mbylli pa u shqetësuar aspak nga rivalët marrëveshjen me Caladarën. Thirrja e Berlusconit ndaj Atalantës nuk shërbeu për asgjë, një tjetër i ri i talentuar përfundoi te bardhezinjtë.

Artikulli paraprakJuventus, Bonuçi rinovon deri në 2021
Artikulli tjetërMesi i jashtëzakonshëm, ishte derbi i tij