BALLUK-GJYKATA, SI DREJTËSI E RE NË SHËRBIM TË POLITIKËS SË VJETËR!

Nga Besart Logu

Atë që bëri Berisha politikisht në kuvendin e 11 dhjetorit, e bëri juridikisht Gjykata në seancën e 11 qershorit; zhbënë organet legjitime të drejtimit të Partisë Demokratike.

Referuar arsyetimit të vendimit, në momentin e ushtrimit të ankimit, Lulzim Basha nuk ka qenë kryetar i PD pasi kishte dhënë dorëheqje. Ky është një fakt i njohur botërisht por edhe i pranuar nga proceset administrative e gjyqësore zgjedhore në funksion të zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Pra, me këtë arsyetim, me një të rënë të lapsit “shkarkohet” Lulzim Basha dhe njihet Enkelejd Alibeaj si drejtues partie.

Më tej, kalohet tek autoriteti tjetër, kryetari në detyrë. Sipas Gjykatës, Enkelejd Alibeaj nuk mund të ushtronte dot ankim ndaj vendimit të Zhukrit sepse autorizimi i lënë nga Lulzim Basha nuk prodhonte më efekte juridike për sa ishte i dorëhequr si kryetar partie. Ja ku vjen edhe “shkarkimi” i rradhës. Për Gjykatën, as Alibeaj nuk gëzonte legjitimitet edhe pse si kryetar në detyrë e caktuan organet qëndrore të partisë dhe jo autorizimi.

Kaq ka mjaftuar për Gjykatën e Apelit që të mos pranojë ankimin e bërë nga Partia Demokratike ndaj një vendimit të Zhukrit që i dha fuqi ligjore disa vendimeve të marra diku në një stadium duke shpërfillur institucionet e partisë dhe dispozitat statutore. Futja në kolaps e partisë më të madhe opozitare në vend nuk është gjë tjetër veçse minim i demokracisë. Prandaj, rekursi ndaj këtij vendimi skandaloz është shërbimi më i mirë ndaj pluralizmit, parlamentarizmit dhe demokracisë në tërësi.

Artikulli paraprakVendimi i Apelit për PD nxjerr në pah domosdoshmërinë e rekursit në Gjykatën e Lartë
Artikulli tjetërBasha reagon ndaj akuzave të Berishës: Riciklimi i akuzave sot, për të hequr vëmendjen nga pazari për vulën e PD-së, që u vërtetua sot