Free Kejvina’s Audi…

Nga Ardi Stefa

Pyes veten se çfarë kuptimi ka të shkruash parulla, të ecësh 3 orë poshtë e përpjetë plazhit në pisk të vapës, të kërkosh (pa pagesë) ujë të ftohtë në lokalet e plazhit dhe në fund të bërtasësh: “Duam plazhe të lira! Lironi plazhet!”.
Ca të tjerë shpalosin flamuj të Palestinës dhe Ukrahinës (jo Ukrainës) dhe bërtasin kundër Izraelit dhe Rusisë, ndërkohë që ukrainasit pijnë birra e nxihen.
Ca vajza me bikini mbajnë parulla ku shkruajnë se s’duan të bëjnë punët e shtëpisë.
Nja dy shumëngjyrësh të tjerë kërkojnë të martohen.
Ca të tjerë mbajnë në duar parulla “Free Berisha” dhe foto të lali Erit me një X të madh, të kuq përsipër.
Dhe plazhistët me peshqirët e varura në çadra, që t’u ngjajnë sikur janë në gazzebo, i fotografojnë…

Nuk ka kuptim. Është thjesht protestë. Pa marrës dhe pa rezultat. Po qe se lufta në Ukrainë dhe në Gaza do të varej nga plazhet tona do kishte përfunduar pa nisur ende.
Po qe se lirimi i Berishës do varej nga protestuesit, do kishte dalë 200 ditë më parë nga kati i tetë dhe do u printe edhe fizikisht mijëra demokratëve në revolucion.

Por cilido i çuditshëm do që të protestojë.
Si puna e atij psikopatit, që mori pushkën dhe vajti të vriste Trampin.
Sepse nuk i pëlqente Trampi. Ose se nuk ishte dakord me të. Ose, sepse nuk i pëlqente krehja e flokëve të Trampit.

Dhe vrau një njeri të rastësishëm, që nuk ishte Trampi. U vra edhe ai. Dhe bota u bë lëmsh…

Alamet proteste. Edhe unë them të mblidhemi e të bëjmë një protestë. Po qe se nxjerrim ndonjë lek, aq më mirë. Po morëm ndonjë tender, shumë mirë. Po qe se marrim leje për ndonjë kullë 65 katëshe, akoma edhe më mirë.

Të paktën protestuesit e plazhit, më falni, të “Ukrahinës”, Gazës, Berishës, SPAK-ut e SKAP- it, shumëngjyrëshit e ambientalistët, nuk vranë ndonjë njeri.
Bërtitën, u ngjirën, u djersitën, u liruan dhe pastaj shkuan për kafe në lokalin që protestonin e kërkonin të lironte plazhin…

Ky fakt më bën edhe mua që të dua të bashkoj zërin me protestat e tyre kundër bukës me domate dhe sallator në plazh, pa pasur frikë se do ha ndonjë koqe plumbi.

Liri për plazhet! Liri edhe për palestinezët e Ukrainën! Liri për Berishën dhe burg për lali Erin! Liri për LGBTQI+! Liri edhe për Liken që ka një javë kaps. Liri edhe për Audin e Kejvinës, që e ka sekuestruar policia.

Sepse të protestosh nuk është e vështirë. Është një mënyrë origjinale dhe e papërpunuar e kritikës. Bëhet kryesisht rrugëve apo edhe kafeneve me ndonjë gotë raki, qepë e ullinj përpara.

Në të kundërt kritika është një mënyrë proteste, me përfundime logjike ose budallallëqe, për të cilat mund të debatosh dhe ose të ndryshosh mendim, ose jo, por pa i bërë keq kujt.

Nuk të pëlqen Trampi? Mos e voto! Por nuk ka nevojë ta vrasësh.
Nuk të pëlqen Rama apo lali Eri? Mos i voto! Nuk është nevoja të djegësh godinat!
Nuk të pëlqen qeveria? Bashkohuni dhe rrëzojeni me votë, po qe se i keni!
Nuk ju pëlqen Trekëndëshi i Bermudës? Luftoni ta rrëzoni establishmentin njëherë e përgjithmonë!

Doni të përfundojë lufta në Ukrainë dhe të tërhiqet nga Rripi i Gazës Izraeli?
Shumë mirë do bëni. Por nuk është e nevojshme të bridhni poshtë e përpjetë plazhit në 40° Celsius.

Doni plazhe publike ku të hani bukë me domate e sallator, të hani byreqe e të pini dhallë?
E drejta juaj. Protestoni atje ku duhet dhe mos u piqni në diell, për t’u freskuar tek ai që protestoni.

Kauzat janë të domosdoshme për një shoqëri të shëndetshme!
Por varet se çfarë quajmë kauzë!

Jo çdo kërkesë për “liri” është kauzë.
Është kauzë për një grupim të vogël shoqëror.
Përndryshe edhe Kejvina ka të drejtë në kauzën e saj, që t’i lirojnë Audin e sekuestruar, për blerjen e të cilit punoi shumë…

Artikulli paraprakVendi ende nën “pushtimin” e të nxehtit, si parashikohet moti për sot: Temperaturat deri në 42 gradë Celsius! Ja zonat ku do të ketë shtrëngata e stuhi
Artikulli tjetërLeonard Luzi u arrestua në Spanjë, nisin procedurat për ekstradim! Autoritetet shqiptar dërgojnë dosjen e SPAK