“Maskarenj, do ma paguani shtrenjtë…”/ Dëshmia e ish-të dënuarit politik: Breshëritë e armëve të rojeve shkaktuan alarm dhe dëgjova zërin e operativit që vraponte duke…

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

 

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

R E P S I

                                                       (Kampi i punës së detyruar)

                       Memuaristikë

Zakonisht policët e shërbimit të turnit dytë dhe të tretë, kur zëvendësonin njëri tjetrin, s’e merrnin mundimin të vinin në biruca, që të shihnin të izoluarit, po bënin formalisht një proces-verbal dorëzimi dhe mjaftoheshin me kaq. Po në orët e vona të asaj nate, do kishim vizitorë të dhunshëm. Kjo për shkak të tonit të lartë të Dom Mark Hasit, që vazhdonte ende t’i drejtohej me lutje Shën Marisë, për lehtësimin e dhimbjeve të martirit pas shtyllës. Zëri i tij tërhoqi vëmendjen e rojës pas qelisë, i cingërisi atij nervat, deri në atë shkallë, sa nisi të kërcënonte me britma: – “Pusho, ore, mbylle atë hale”! Meqë e kishim mbi kokë, e dëgjuam qartë kërcënimin, por prifti s’u tund nga e veta, me të njëjtin ton, madje edhe ca oktava më lartë, e ço lutjen deri në fund.

Roja që e mori këtë për sfidë personale, i rriti edhe ai tonet: – “Ndal! Ndal, se do të qëlloi”! Sinjalin makabër, e shumëfishoi nata e acartë. Kaq deshën rojet e karakollëve të tjerë, që ende pa sqaruar situatën, të fillonin breshëritë e dendura në ajër. Të shtënat, u pasuan edhe nga rojet më larg, kështu krismat kuturu, u shndërruan në një kakofoni pa shënjestër. Katrahura e breshërive tërhoqi vëmendjen e komandës së kampit dhe përfundimisht, lutja përdëllestare e priftit, u kthye në alarm total.

Në këso rastesh, që duhet theksuar se s’ishin të pakta në burgje e kampe pune, vendi i parë ku ushtronin kontroll, ishin birucat, ngaqë kish ndodhur që të izoluarit të thyenin dyert e qelive dhe të tentonin arratinë. Natyrisht këto tentative, kishin pasur fund të trishtë, ishin mbyllur me gjakderdhje. Kuturisësi shpesh jepte shpirt në pellgun e gjakut të vet, i vrarë nga pushka e ushtarit roje, që në këtë mënyrë vinte në jetë parullën e Partisë: “Një armik më pak, një sukses më shumë”! dhe mandej, e shpërblenin me pesëmbëdhjetë ditë leje e, me stimuj të tjerë moralë; si dekorata, fletë-nderi, intervista në shtyp, referate në shkolla apo, në kooperativa bujqësore, etj.

Pothuaj përherë ata që tentuan arratisjen, dështuan. Edhe kur ndokush arriti të kalonte telat e rrethimit, mbeti viktimë në kurthin e ngritur, pas brezit të sigurisë, që përbëhej nga forcat vullnetare të zonës. Ata, edhe kur mund t’a kapnin të gjallë, e vrisnin qyqarin, pa një, pa dy. Këtë e bënin së pari; të ndiheshin të mikluar, në demek sedrën proletare të masave dhe për të mbushur gjoksin me medalje e dekorata. Po kështu, iu jepnin mesazhin edhe efektivave të policisë dhe ushtrisë, se çdoherë me vigjilencë revolucionare, do ishin në mbështetje të tyre.

Së dyti, si ata zagarët nuhatës që iu mësojnë të ndjekin gjahun e plagosur pas gjurmëve, iu kishin injektuar erën e gjakut. Për të kompletuar tru shpëlarjen kolektive, përdorën çdo lloj mjeti, që nga imitimet, me-demek armiq, deri te gjaku i njëmendët. Dhe turmat tru shpëlara, suleshin pa mëshirë kundër viktimave mjerane, bash si ai zagari mbi prenë, që në momentin kur shpreson se e ka ndër dhëmbë, gjahtari ja zhvat nga goja, për ta ngrënë vetë, për ta ngopur mandej languan, me ca kocka.

Por edhe vetëm me kocka, kockaxhinjtë ndiheshin të lumtur. Përfundimisht, iu akordonin një dekoratë teneqeje, apo një vepër të Marksit, të cilën mbasi e konturonin në kornizë, e vinin mbi foton e prindërve të tyre. Dhe mburreshin para mexhlisit me demek “bëmat e mëdha”, ngopnin me përralla në netët e gjata dimërore, nipërit dhe mbesat, se gjasme po u linin trashëgim besnikërinë ndaj Partisë dhe devizën; “Një armik më pak, një sukses më shumë”!

Pra, edhe atë natë ne të izoluarve, na kontrolluan të parët. Kur u siguruan se ishim të gjithë, i kërkuan ushtarit të shërbimit shpjegim, për ç’kish ndodhur. Ai, iu tregoi të vërtetën. Por keqkuptimi s’u mbyll, sepse alarmi kishte zgjuar nga gjumi edhe drejtuesit që ishin atë natë në shërbim, midis të tjerëve edhe operativin. Ai rendi drejt birucave, me kapotën hedhur krahëve, me britma: “Maskarenj, të poshtër! Po na prishni edhe gjumin tani! Do ma paguani shtrenjtë”!

Mbasi diç foli me policët, u kthye sërish: “Ti prift dhe ti ‘trimosh’, jashtë nga biruca”! Na hapën derën, po pa kapërcyer pragun e saj, dy policë iu hodhën priftin dhe dy të tjerë mua. Na lidhën me gjermanka në duar e, na kllaposën pas shtyllave, që apostafat i kishin instaluar, në dy skajet anësore të birucave. U bëmë tre të lidhur, që gjeometrikisht formuam këndet e një trekëndëshi barabrinjës. Sido që s’i përshtatej kontekstit, atë çast gjëja më qesharake që po më mundonte ishte fakti:

“A do na kenë lidhur vallë, në distanca të barabarta që edhe trekëndëshi, të dalë tamam barabrinjës”?! Natyrisht kjo trigonometri, s’kish lidhje me situatën por çuditërisht, fantazia punokërka edhe në kushte ekstreme! Me t’u gjendur pas shtyllës, ndjeva mbi fytyrë rrymën e hidhët të erës së ftohtë dhe grimcat e akullta të shiut të imët, që më rrihnin me vrull. Një e rrëqethur më përshkoi sharrën e kurrizit dhe m’u përhap tejendanë shtatit. Çdo qelizë u vu në alarm, duket ndjesia veproi më shpejt, se të reagonte fiziku. “O zemër, të erdhi ora e provës! Hajd pra, shtrëngohu ta përballojmë e ta kalojmë”! – i dhashë kurajë vetes. Nga pas shpinës më gërrici veshin zëri i çjerrë i operativit, që sado u përpoqa t’a shihja në fytyrë, e pata të pamundur, ngaqë më kishin llapsur në atë pozicion, ku s’ekzistonte asnjë shans të këqyrje të tjerët.

– “Hajd, natën e mirë! Ne nesri herët, kem m’e pa sa trim do ndihesh”! – m’u shkreh pas kresë, mandej shtoi: – “Kështu të gjen o karafil, kur merresh me pritën”! S’iu përgjigja. I ftohtët brisk, më kish mpirë edhe gjuhën në gojë. Nga birat e hundëve, më ngrihej avulli shtëllunga. Ndërsa në kyçet e duarve, nisën të therurat. Mbasi u siguruan se na lidhën paq, që të mos kishim asnjë mundësi të lanim, u largua edhe polici i fundit. Atë moment dëgjova zërin e mekur të të lidhurit të parë: – “Zoti operativ, të lutem më zgjidh, s’po duroj dot më”! – “A s’ke dek ala, pas shtyllës”?! – “Kërkomëni ç’të doni, veç më lironi”!

Ky zë i vajtur dhe kjo lutje mëshire të piknin në shpirt, po operativi, s’ish pjesë i kategorisë së të dobëtëve. – “Para se të të binim aty, të thashë ç’kërkoja! Ti doje të bëje trimin, vazhdoje tani! Unë jam i durueshëm, do pres”! – dhe mori pas policëve. – “Aman, më zgjidh! Nënshtrohem pa kushte”! – u lut sërish mjerani. – “Zgjidhe o Pjetër”! – urdhëroi dikë nga policët. – “Si urdhno, shoqi operativ”! Polici u kthye dhe e zgjidhi. Tashmë i liruari, qëndronte si i mpirë para oficerit.

– “Nesër nadje, do shihemi”! – iu kthye ai të sapo zgjidhurit. – “Pjetër, ne nesri s’do ta qitni në punë”! – urdhëroi zë-bubullimë, mbase për t’a dëgjuar edhe ne të lidhurit e tjerë. Mandej triumfatorë, të gjithë së bashku zbritën shkallët që të nxirrnin në rrugën që lidhte infermierinë me kampin e etjes. Oh, sa e gjatë ajo natë! E gjatë dhe e pafund, deri në pambarim! Minutat si në një garë kërmijsh, zvarriteshin mjaft avash. Orët, më me mundim ende, dukeshin muaj. Gjithë nata u barazua me përjetësinë! – “Nën Hirin tënd, o Zot”! Kush e shprehu këtë formulë? Prifti apo unë? Zoti e dëgjoftë!

Të ftohtët më depërtoi në ashtë. U shndërrova në dru. Por në një cung pa imfë, në një tip kërçepi, ku gëlonin miliarda thnegla pickuese. Fluturzat humbuese të shiut të ngurtësuar, më nguleshin si maja gjilpërash, në gjithë pjesët e zbuluara të trupit-cung. S’po mund të perceptoja se në ç’pjesë ndjeja më ftohtë. Në fytyrë? Në duar? Në zemër? O Zot! Fillimisht shtizat majëholla e të mprehta, më çanë lëkurën, prekën kockat dhe depërtuan në brendësi të eshtrës, deri në palcë, mandej gjilpërëzat u shndërruan në shpata elastike që gjakuan çdo ind, deri në thellësi të trurit.

Ish hera e dytë brenda dy javëve, që përfundoja i lidhur. Ende s’më ishin përtharë plagët e vjetra, tani po hapeshin të reja. Nga kyçet e duarve, dhimbja u përnda gjithkah, helmatisëse, therëse. Vonë shiu pushoi, po era u harbua edhe më shumë. Oshtimat e grykës së Oroshit, u nakatosën me ulërimat e bishave të egra të kuritura, që popullonin pyjet për rreth, që për t’i mbijetuar dimrit të ashpër, guxonin t’iu afroheshin qendrave të banuara, në kërkim të presë. Sigurisht ne s’rrezikonim të ishim ushqim për to, se ujqit me shëmbëlltyrë njeriu, na kishin ngujuar brenda tri palë gjerdhesh telash gjembaçë dhe na ruanin me ushtarë të armatosur, si mish kasapi, varur nëpër çengela, për të na shqyer vetë, sa herë t’iu nevojitej.

Tani mbetëm vetëm dy të lidhur, Secili në skajin më ekstrem të drejtëzës. S’arrinim t’a shihnim shoku shokun, sepse ishim kurriz më kurriz. Kur kish kaluar më se një orë që mua m’u duk goxha gjatë, prifti me tonin e përhershëm, më pyeti: – “Si ndihesh o bir”? – “Për ibret, o prift”! – “Sot e hëngre për mu! Ndihem ligsht, me t’pa nj’ashtu”! – dhe lëshoi një ofshamë të thellë. – “Jo Dom Mark, shkaku s’jemi as unë, as ti”! – desha ta lehtësoja. – “Gjithsesi e prisja këtë, madje dhe më tepër”! – “Po e paguan me çmim të shtrenjtë miqësinë”! – “Kaq ditë sa kaluam bashkë, më mësuan se të tillë ndëshkime, do jenë të zakonshëm”! – doja t’i lehtësoja peshën e fajit të pakryer.

– “Ruhu bir, rreku me sjell n’kujtesë gjana t’bukura, për shembull sikur je tuj u argëtu diku, me moshatarët e tu. Po e hoqe mendjen kah hekrat, me siguri edhe hekrat, s’do të randen fort! Lutju të Madhit Zot, e ke me e pa, ke m’u ndi n’lumni”! – “Më vjen keq Dom Mark, po unë s’di asnjë lutje”! – ia ktheva.

– “Ani, me ju lut Zotit, s’asht e nevojshme me dit patjetër lutje! Boll me iu drejtue me fjalë zemret! Tash mijra e mijra vjet, njerëzia i janë lut Te Madhnueshmit, sipas gjuhës që kan dit. Zoti i njef t’tana gjuhët! Ai kupton gjuhën e shpirtit”! “Ai heshti një çast, ndjeva zërin t’i dobësohej deri në pëshpërimë. Mbase lutej. Po, po, pa dyshim lutej! Lutej, edhe për mua mëkatarin! Në skaji tjetër edhe unë nisa lutjen sipas mënyrës sime. Thosha thjesht: “O Zot i Madh, më jep forcë të përballoj këtë sprovë! Forcomë zemrën, mos më turpëro! O Krisht, o Pejgamer, o Budë, Ju lutem mbromëni nga të liqtë, nga gjithë skota e atyre që duan të më nëpërkëmbin, nga ata që kërkojnë të më katandisin, në një send pa vlerë”!

Me këto shprehi, që mbase s’janë shkruar asgjëkund në Bibël, Ungjill po Kuran, por që qenë të vetmet që m’u kujtuan ato çaste, vazhdova u drejtohesha me radhë: Muhametit, Krishtit, Shën Marisë, Budës, perëndive të lashtësisë greko-romake, gjithë shenjtorëve të shkuar e të sotëm; me një fjalë, vetë Zotit, sipas përfytyrimit tim. Më dëgjuan apo jo? Ndoshta po, ndoshta jo! Tashmë që në të dy skajet e birucave deklamonim këto lutje, secili sipas mënyrës së vet, pushoi edhe shiu, u tret edhe dhimbja.

Me kalimin e minutave dhe më pas, të orëve, kyçet m’u mpinë, ndijimi m’u venit, dhimbja m’u fashit, s’po ndjeja më asgjë, madje m’u bë se ato pjesë s’i përkisnin fare trupit tim. Mendimi m’u arratis në zgafellat e jetra të kohës kaluar, i ftohti s’më therte si më parë; arrita njëfarë paqtim ne ambientin, fitova ekuilibrin e munguar shpirtëror, m’u kthye qetësia trupore. Gati po flija në këmbë. Edhe sot mbas dyzet e kusur vitesh, s’jam në gjendje të them, nëse kjo ndodhin si efekt i lutjes apo qe pasojë e mpirjes. Veçse u lehtësova dhe këtë ia atribuova forcës hyjnore të Perëndisë.

Me lutje në buzët e nxira e të çara nga athëtima e hidhët e natës, më zuri agu. Atëkohë erdhën policët, na zgjidhën dhe na plasën si dy gërbonja të kallkanosura, mbi çimenton e qelisë. U përqafuar, uruam sho-shoqin që i mbijetuam natës së akullt, pastaj ngrohëm njeri-tjetrit me frymë dhe gjaku nisi qarkullimin. Kjo ka qenë nata më e gjatë e jetës sime, njëkohësisht edhe një portë re që m’u hapën drejt së ardhshmes. Atje pas atyre shtyllave, u farkëtuan hallkat e një miqësie të pazgjidhshme e të paharruar.

Shembulli i atij prift të hekurt, i atij burri krenar, me zemër kreshnikësh, më dha forca të duroja të ftohtin dhe hekurat në duar. Kur pashë atë plak stoik, të drobitur e të moshuar, me një koleksionin të panumërt sëmundjesh, të përftuara në plojën pafund të viteve të mundimshme, të rezistonte pa u ankuar, i imponova vetes durimin. Pikërisht atë natë, m’u ngulit në tru sentenca: “Rezisto, mëso, kalitu”! Kjo sentencë kuptimplote, do më bashkëshoqëronte në udhëtimin rraskapitës, mes dallgëve të jetës. Më vleu asohere, siç vazhdon të më vlejë edhe sot e, në vazhdim.

Gjithë ditën prifti s’qe mirë. Ndonëse i pangrënë, e mbyti lemza, një urth djegës i shkaktoi gromësima të shpeshta. Mbas dite kur na nxuarrën për nevojat personale, mezi mbahej në këmbë. E shoqërova për krahu në nevojtore. Sapo u rikthye në qeli, mbasi qenë larguan policët, Dom Marku më tha: “Pa avitu nji fije, due me fol me ty”! Më çuditi ai ton, sepse zëri i zakonshëm që bënte të oshtinte kubeja e birucës, e kish humbur forcën, ish zbutur e mekur. U merakosa, ideja se diçka e rëndë po e kanoste, më tmerroi. Dukej më i zbehtë se përherë, trupi i dridhej si t’i ish qasur ora dhe po më besonte amanetet.

Por ky ngërç nuk zgjati, shpejt zëri rifitoi tonin e përhershëm: – “Ndëgjomë, or bir! Ene dy ditë më ndajnë me fundin. Në më lanshin, vet dal kah izolimi”, – ia nisi ai. – “Por para se me t’lan, du me t’thanë dy fjalë, se s’dij në do kena ma rast me fol sërish”. U mata ta ndërprisja e, t’i thoshja se raste do kishim plotë, etj. etj., por ai më vuri dorën mbi buzë: – “Shët, sot du me fol veç vet”! U ul këmbëkryq mbi peliçen e shtruar përfundi, mbushi mushkrit astmatike me oksigjen, e vazhdoi:

– “Ka tash nji jetë që m’kan shti e m’kan qit prej burgut, sa herë kan dashtë. Kam njoft njitu gjithfar miletit, me trimni e pa trimni, me burrni e, pa burrni, me dashni e me hidhni; pra, kam kalue gjithfar karakteresh. Por du me t’than, se për me i dal n’kry ksaj punet, duhet me ken ma s’tepri i zgjuet, se trim. Asht fort e bukur trimnia! Qe besa, asht mir m’e pas kët veti! Por, asht virtut i rinisë! Kqyre tan historinë njerzore, qysh prej zanafille; përgjithsisht trimat jan ken djelm në lule t’moshës, me fizik të zhvilluem, pa rrudha, pa thinja, me nji fjalë t’tan kokrroça e bukroça. Njishtu na i ka pru historia. Mirpo me përjetsue këta trima, jan dasht burra të mençëm. Jan dasht poetët m’u këndue bamat e gjamat, filozofët me i pergatit shpirtnisht, ushtarët me i forcue fizikisht, historianët me na dhanë epokat e legjendave, skulptorët me i gdhend n’mermer e n’bronx, piktorët me i hudh n’telajo o n’murale, etj. etj. Pra, rinia ka trimnin, pleqnia zgjuarsin.

Tan kta djelmoça trima që na ka përçue historia e kohëve t’vjetra e t’reja, kan dek t’rinj e t’bukur. Besa, asht gja e bukur fort, me mbet h’kujtesë ngaher i ri! A i ke vrejt pikturat dhe skulpturat e vjetra? A t’ka xan syni, ndonji trim me thinja e me rrudha? Jo besa, as ke me gjet kërkund, ene me rrah thundrën e gjokut! Shiqoje Davidin, Irakliun, Akilin, Hektorin, Leonidhën, Ajaksin, Aleksandrin e Madh; kqyri Spartakun, Çezarin, Antonin, Kleopatrën dhe gjith plejadën e njerzve të shquem t’antikitetit; tan jan t’rinj, tan jan t’bukur, tan jan të fuqishëm. Kan mbet n’kujtesë t’njerzimit t’rinj e t’pashëm! E pra, kan dek t’rinj!

Por, a do t’i kishim m’sue tan kto bama e gjama, na brezat e mëpasshëm, a do kishim pas mundsi na, t’i përfytyrojshim ata heronj lashtsie dhe t’kohve të mavonshme, ba mos me ekzistue Homeri, Herodoti, Sokrati, Fidia, Platoni, Aristoteli, Plini, Pluti, Katoni, Seneka, etj., etj., e, deri te Leonardo da Vinçi, Rafaeli, Servantesi, Shekspiri, etjerë pa mbarim, që na i kan servirë n’veprat e tyne të përjetsuem ndër kangë e n’art, në skulptura, piktura, poezi, histori, filozofi, etj, me radhë? E pra, të tan kta burra të zgjuet e të ditun, kan ken pleq!

Shif Homerin, asht plak i verbën dhe Akili e Paridi, djelm plot jet e shndet; kqyr Aristotelin, nji plak i rrudhosun dhe Aleksandri i Madh i ri, e tan muskuj; Mentori leshrabardhë dhe Odisea e Telemaku, t’rinj gjithë nur; shif Shekspirin, nji burr i shëmtuet dhe Romeo e Xhulieta, si drit e dillit; njiashtu edhe Dante hundzhgab, me Beatriçen si nuri përkarshi, etj. Për m’i përmend t’tan, m’duhet me fol një ditë e një natë. Kta krijues kan jetue gjatë, për me mujt me grumbullue tan materialin dhe dëshmit e kohës. Asht merit e tyne, që sot na mburrena me mrekullit e antikitetit, me piramidat e Egjyptit, me kopshtet e Babilonisë, me pagodat e Hindisë, me murin e madh në Kinë, me akropolin e Athinës, me koloseun e Romës dhe me tan ato vepra arti të papërsëritshme.

Pikërisht, nëpërmjet këtyne veprave, u ban të pavdekshme bamat dhe trimnitë e heronjve. Tash du m’u kthye n’kohën tonë. Na jetojmë nën terrin e dhunës së diktaturës staliniste. Xhelatët shqiptarë, e kan tejkalue ene vet Ustanë! Stalini ushtoi dhunë mbi nji konglemerat popujsh, disa qindra milionësh, që jan t’kombsive dhe rracave të ndryshme, të feve dhe besimeve të kundërt; e shtrini luftën e klasave, në nji territor pafund, mirpo klerin e klerikët, kishat e xhamitë, ene pse s’i honepste, formalisht u detyrue m’i kursye.

Kurse stalinistët tanë, ç’kan ba? I kan kalërue me kohë kta kufij, qysh në katëdhetepesën filluen luftën vrastare, tuj zhduk fizikisht tan figurat ma të shqueme t’kombit; patriotë, politikajë, ekonomistë, artistë, mjekë, profesorë, klerikë të t’tana besimeve; t’pasun e t’vorfën padallim, kush s’iu erdh pas avazit. Dhe t’tana kto, i ushtruen mbi nji popull që asht i nji gjakut, i nji kombit. Shtinë përçamjen fetare mjidis vllaznve sa, as turku për pesëqind vjet, s’e bani dot.

E shitën gjysën e vendit. Kqyre, me nji marrëveshje t’fshehtë ia ka lan Kosovën Titos, tash nji e treta e kosovarve, jan përhap ndër vende t’huja. I kan vue nji kryq siprit çështjen çame, askush s’e zën ma n’gojë Çamërinë. Mandej kan stisë nji vijë imagjinare demarkacioni, si kufi, mes jugut e veriut. Me gjoja luftën e klasave dhe kundra zakoneve prapanike, e kan thellue kët ndarje edhe ma tepër. E pra, ç’asht kjo? Thjesht nji përçamje e re, po njitash mbi baza sociale dhe ideoligjike. Nëse kufini fizik i inspiruem dhe të financuem nga megallideistët, Shkumbini e posht Greqi e, sipri Serbi, kufinin moral e shpirtnor në terren, po e jetësojnë komunistët.

S’fundi kan fillue me fol kundra kanunit t’Lek Dukagjinit, kanunin të Skënderbeut, kanunit të Labërisë, kundra tan trashëgimisë shpirtnore të kombit, si gjasme pengesa thelbësore për përparimin, tuj qit nji kushtetutë që e ka shveshë popullin nga prona, e ka varfnue, e ka kthye n’skllav në tokë t’vet, e ka shburrnue dhe qit fare moralin. E pra, shajnë e shajnë kanunet, si burim i tan të kqijave, po vet të kqijat; hajninë, kurvninë, spiunllëkun, i kan ngrit në sistem. Me gjith t’metat që mund t’ken kanunet, n’bazë të ktyne dokeve dhe zakoneve populli shqiptar u ka mbijetue pushtuesve t’huj, ka ruejt gjuhën, ka mbruejt nderin, s’asht asimilue. Mbase ka shum vend me i përmirsue, po jo me i shprish.

Po synimi i tyne s’asht thjesht me shprish kanunin, jo! Duen me godit ata që e kan mbledh dhe e kan propagandue në t’mirë t’unitetit. Tuj luftu kta burra t’ditun e t’urt, duen me hup influencën q’ata kan në popull. Tuj k’put fijet e vendosuna n’shekuj, shpresojnë me hap shtigje të rinj komunikimi. Për kët arsye luftojnë fenë, klerikët dhe parinë e krahinave të ndryshme, në mbarë vendin dhe në veçanti klerin katolik. Tuj godit pinjojt e familjeve ma n’za, që kan sakrifikue fizikisht, moralisht e materialisht për kët Shqipni që kena sot, tuj i dënue me ekzekutime, burgime, intemime, kallin tutën.

A e merr me mend se tan elitën e kombit e kan zhduk fizikisht ose, asht në eleminim e sipri!? Kqyri burgjet, jan plot me gra dhe burra të nderuem që për faj kan veç dashnin për Fe e Atdhe. E pra, ktu ndër burgje kan shti nga t’tana viset, pa i da Shkumbin e sipri e, Shkumbin e posht. Qyri grupet e sajueme nga Sigurimi, jan përziemje krahinash, përfaqsojnë ma t’mirët, ma t’ditunit, ma fisnikët. Domethan s’asht veç kanuni, po ideologjia komunisto-greko-sllave ajo që predominon.

Kqyri ç’po bajnë mbi nji popullsi dymilionshe? Kan qit jasht ligjit ma tepër se gjysën e saj! Kan shkrctue konstitucionin shpirtënor, kan rrënue kisha e xhamia, tyrbe e teqe, kan rrafshue çdo vend t’shejt. E kan çue rininë n’aksione, jo se përnjimë kan nevojë për krahun e tyne, por synojnë me shprish formacionin familjar e fisnor, m’u zhgadrrue moralin. Kan mbrrit deri atje, sa t’sajojnë nj’fe të re spiuno-komuniste, ku djali t’mohoj babën, vllai vllaun, gruja burrin; spiunlliku shpërblehet me poste, kurvllëku me poste, maskarallëku me poste.

S’po ka kush kurajë me fol të drejtën, veç tjerin rrena e rrena, e rrena, pafund. Tan nji popull e kan kthye n’hipokrit e femohues, e ajo q’asht për me vu kujen, kan mbrrit atë që asnji pushtues i huaj, se bani dot për mijra vjet: vranë besën e shqiptarit, tue e zavendsue me pabesinë e spiunllikun. S’i zihet ma besë mikut, shoqit, nanës, babës, vllaut, motrës…! E kan da mendjen me rrit një brez t’ri të shveshun nga morali, tue e qit nga rruga e Zotit, me e zavendsue besimin n’Të, me besimin te Partia komuniste. Kena nji luftë të gjat përpara, or bir, ja vlen me rezistue”! Memorie.al

Artikulli paraprakProtesta e fermerëve në Maliq/ Basha: Qeveria e korruptuar që vjedh fondet e BE për fermerët, i gjobit ata edhe kur protestojnë për mungesën e mbështetjes
Artikulli tjetërShënim/ Ilir Meta është i vetmi politikan-hajdut që e ka dhënë televizori duke vjedhur