Bashkimi Evropian do të mbajë takimin e radhës të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Bruksel, në vend se në Budapest, si një goditje “simbolike” ndaj Hungarisë për diplomacinë e saj sa i përket Ukrainës, tha shefi i diplomacisë të bllokut, Josep Borrell.
Ndryshimi i lokacionit për takimin e 28-30 gushtit paraqet goditje ndaj reputacionit të Hungarisë, e cila javë më parë mori kryesimin e presidencës të Bashkimit Evropian.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, zemëroi pothuajse të gjithë partnerët e tij në BE, pasi zhvilloi një vizitë në Moskë, ku diskutoi për një rrugë të mundshme për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Orban – që është aleati më i ngushtë që presidenti rus, Vladimir Putin, ka në BE – ka akuzuar BE-në se ka “politikë pro luftës”, duke vazhduar mbështetjen ushtarake dhe financiare për Kievin.
Ai vazhdimisht ka vendosur pengesa ndaj përpjekjeve të Brukselit për të ndëshkuar Kremlinin dhe për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.
“Mund të them që të gjitha shtetet anëtare – me përjashtim të një shteti – janë të brengosura me këtë sjellje”, tha Borrell pasi kryesoi mbledhjen e ministrave të Jashtëm në Bruksel.
“Është Putini që është palë në luftë. I vetmi që provokon është Putini, ai është që kërkon ndarjen e Ukrainës dhe vendos parakushte për çdo bisedë dhe për çdo armëpushim”, tha ai.
Qëndrimi i Qeverisë së Orbanit “duhet të përballet me disa pasoja. Si rezultat i kësaj, “ne kemi dërguar një sinjal, edhe në qoftë se është sinjal simbolik” ndaj Hungarisë, tha Borrell.
Prandaj, ai tha se takimi i radhës i ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes do të mbahet në Bruksel.
Borrell tha se pothuajse të gjithë partnerët e Hungarisë në BE gjatë takimit të mbajtur të martën kritikuar nisën e Orbanit, që ai e ka quajtur “mision për paqe”.
Vetëm Sllovakia ka mbështetur qëndrimin e Hungarisë.
“Ne e mbështesim plotësisht nismën e Hungarisë për paqe”, tha ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Matus Sutaj Estok, teksa ishte duke hyrë në një mbledhje tjetër të BE-së të mbajtur të hënën./REL