Zbardhja e vendimit për vulën e PD, Basha: Sot depozitojmë rekursin në Gjykatën e Lartë. Do njoftohen KLGJ, ILD, SPAK dhe përfaqësitë diplomatike për këtë padrejtësi totale

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në konferencën për mediat tha se sot do të depozitohet rekursi në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit për vulën e PD. Basha tha se zbardhja e vendimit tregoi se sa skandaloz dhe i hapur ka qenë presioni politik ndaj këtyre gjyqtarëve.

Ai gjithashtu tha se nuk do të mjaftohet vetëm me rekurs, por do të njoftohen dhe organet e tjera të drejtësisë si KLGJ, ILD, SPAK dhe përfaqësitë diplomatike për këtë hap që do të hidhet dhe për domosdoshmërinë jetike jo thjesht për demokracinë në Shqipëri, por edhe për drejtësinë dhe imazhin e dejtësisë që të mos lejohet një padrejtësi e tillë totale.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që ne sot dorëzojmë rekursin në Gjykatë të Lartë. Zbardhja e vendimit të Apelit, tregon se sa skandaloz dhe i hapur ka qenë presioni politik ndaj këtyre gjyqtarëve. Me dy fjalë apeli ka thënë që ne nuk kishim të drejtë të ishim palë në atë gjyq. Kjo me dy fjalë do të thotë: të jesh në shtëpinë tënde, të vij dikush të të thotë jo nuk është e jotja, është e imja dhe pastaj ti nuk ke të drejtë as të ankohesh në gjykatë. Dhe kur e mendon që kjo me të vërtetë ka ndodhur me shtëpitë dhe me pronat e shqiptarëve, e kupton se sa e tmerrshme ka qenë kjo padrejtësi.

Se çfarë batërdie kanë bërë gjyqtarë të tillë mbi pronat e shqiptarëve. U kanë marrë pronat e baballarëve, pronat e gjyshërve, pronat e familjes. Dhe tani me të njëjtin guxim duan të tjetërsojnë vullnetin e një force politike që nuk vepron në bazë të qejfeve dhe tekave të një individi. Që nuk mund të jetë subjekt i planeve politike të kryeministrit të ardhshëm, por duhet t’i nënshtrohet ligjit. Dhe ligji është fare i qartë, me ligj e sipas ligjit jo vetëm që ky vendim është i paligjshëm, por këkresa për marrjen e këtij vendimi mbart element të ndjekjes penale siç janë falsifikimet të dokumenteve zyrtare. Ndaj ne sot zyrtarisht protokollojmë rekursin e Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratëve Euroatlantikë në Gjykatën e Lartë.

Sikundër do të njoftojmë zyrtarisht Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe përfaqësitë diplomatike të SHBA, BE, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera partnere për këtë hap që do të hidhet dhe për domosdoshmërinë jetike jo thjesht për demokracinë në Shqipëri, por edhe për drejtësinë dhe imazhin e dejtësisë që të mos lejohet një padrejtësi e tillë totale. Nuk do të rrimë të heshtur teksa kryeministri më i korruptuar i historisë 34 vjeçare të Shqipërisë, në aleancë me ish kryeministrin dhe me gjyqtarë të nënshtruar me presion politik, minojnë demokracinë duke minuar opozitarizmin në Shqipëri, për të bërë pikërisht këtë që denoncova sot, për të rimbyllur listat, për të kontolluar votën e shqiptarëve, për të kontrolluar jetët e tyre, ekonominë e tyre, të ardhmen e tyre.

Artikulli paraprakPazari i radhës i Rama-Berisha/ Basha: Të premten pritet të mbyllen sërish listat, duan që të kenë grupe parlamentare kamikazësh që të mbrohen nga drejtësia
Artikulli tjetërZbardhen bisedat në “Sky”, Pëllumb Gjoka: Shif se ke kap një djalë me fara në Velipojë