Lulzim Basha demaskon Sali Berishën e Edi Ramën dhe zbardh marrëveshjet e fshehta që nga viti 2008: Ja hetimet që…

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të kryeministrit Ed Rama, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të cilët ai tashmë i etiketon si “Trekëndëshi i Bermudës”. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “SOT”, fillimisht zoti Basha demaskon Sali Berishën e Edi Ramën dhe zbardh marrëveshjet e fshehta të tyre që nga viti 2008. Po ashtu, ai zbulon se dyshja Rama-Berisha duan të zhbëjnë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tyre nga burgu, ndërkohë që shton se në lojë janë edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dhe pazari për mbylljen e listave.

Sakaq, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Basha zbulon hetimet që nuk duhet të shmangen nga prokurorët specialë të SPAK për të hapur “Kutinë e Pandorës” për vrasjet e “21 Janarit”. Ndër të tjera, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha thekson se provat për krimet e binomit Berisha-Rama i ka Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH). Sa i takon zotit Meta, Basha thekson se: “Tashmë Ilir Meta është rrezik vetëm për veten e tij, as nuk harxhoj kohë me të dhe ju ftoj të bëni të njëjtën gjë.”

-Zoti Basha, Gjykata e Apelit vendosi që sigla dhe logoja e PD, t’i kalojnë ish-kryeministrit Sali Berisha. Me vendimin e formës së prerë të Apelit tashmë kryetari i Partisë Demokratike nuk jeni ju, por Sali Berisha. Si e vlerësoni këtë vendim?

Jo vetëm për mua, jo vetëm për demokratët Euroatlantikë, por për shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare vendimi i 11 qershorit është një vendim skandaloz, që nuk ka lidhje me drejtësinë, por me kulisat e moçalit politik në të cilin hedhin tangon Rama dhe Berisha, që dinë fare mirë se një Parti Demokratike e çliruar nga hijet e së kaluarës është një kërcënim për të batakun në të cilin gëlojnë interesa ekonomike dhe politike. Mjafton të shikoni vendimin e zbardhur dhe e kuptoni se çfarë maskarallëku është vendimi i 11 qershorit. Argumentet janë në kufijtë e të pabesueshmes për një fëmijë të fillores dhe mos të flasim pastaj edhe për mashtrimet që kanë bërë në zbardhjen e vendimit, për fakte juridike që kanë qenë dhe publike.

Pra një vendim i marrë nën urdhrat e pazarit Rama-Berisha dhe oligarkëve të tyre që as nuk e justifikojnë dot. Ata duan të mbajnë Shqipërinë në këtë gjendje, sa më të varfër, pa të rinj, pa shtresë të mesme që ta kenë të lehtë t’i manipulojnë për interesat e tyre. Për të mbrojtur këtë status quo, ata janë gati dhe mbeten gati të rrezikojnë çdo gjë, edhe duke e nxjerrë në sipërfaqe ujdinë e tyre kundër demokracisë, drejtësisë dhe interesit publik, për shkak të halleve dhe interesave të përbashkëta që ata kanë. Pra pazari i vulës mbetet një komplot kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, kundër demokratëve dhe kundër partnerëve ndërkombëtar që u investuan kundër korrupsionit.

Sepse edhe Ramës dhe Berishës u intereson t’i lidhin duart drejtësisë, që të mos godasë të korruptuarit. E gjitha është pjesë e një pazari kundër drejtësisë. Prandaj Rama i erdhi në ndihmë Berishës, në një pakt të pistë, ku njëri mban pushtetin dhe tjetri mban monopolin e teatrit opozitar. Diçka që as unë, as demokratët dhe as shqiptarët nuk mund ta pranojmë.

-Cilat janë shkaqet dhe pasojat e këtij vendimi për opozitën dhe politikën në Shqipëri?

Pasoja e parë është se në vullnetin e dyshes Rama-Berisha, ndeshja e 2025-ës mbetet një ndeshje e shitur në tavolinë. Siç ju thash më sipër, Rama kërkon të mbajë pushtetin, Berisha kërkon të mbajë përmes vulës së dhuruar nga Rama çelësat e opozitës. Në mënyrë që të dy bashkë të luajnë atë lojën e vjetër dhe të lodhshme për shqiptarët, ku e vetmja pyetje që shtrohet në zgjedhje është kush është më pak i korruptuar Rama, apo Berisha.

Pra me këtë vendim të dy synojnë të bëjnë tokë të djegur në opozitë dhe në qeveri, ku secili mban monopolin e tij për të ushqyer klientelën përkatëse, ndërsa shqiptarëve t’u mbetet teatri fallco i një lufte politike “fake”, në të cilën akuzat bombastike përdoren për të kamufluar pazaret e mëdha mes dinosaurëve të tranzicionit. Natyrisht që viktimë e kësaj do të jetë drejtësia, të cilës do t’i pamundësohet, si deri më sot, goditjen e peshkaqenëve të korrupsionit. Sot ata janë të frikësuar nga SPAK dhe GJKKO. Prandaj duan t’i lidhin duart dhe t’i mbyllin sytë në mënyrë që të mos godas korrupsionin që për 34 vjet ka gërryer Shqipërinë dhe ka përzënë shqiptarët.

-Ndërkohë ju keni dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë sa i takon këtij vendimi. Por këtu ka një problem, pasi rekursi mund të ketë sens juridik, por nuk ka sens politik, kur ju jeni më pak se një vit nga zgjedhjet. Keni deklaruar se do merrni pjesë në zgjedhje… Mund të na jepni më shumë detaje?

Nëse nuk do të bënim rekurs do të pranonim padrejtësinë, do t’i nënshtroheshim pazarit Rama -Berisha, duke mbyllur sytë dhe gojën përballë kësaj mynxyre. Ne këtë nuk e pranojmë. Të pranosh padrejtësinë është t’i shërbesh një sistemi të korruptuar, prandaj ne e dorëzuam rekursin, nëse është nevoja, do e çojmë deri në Strasburg këtë çështje. Ky nuk është vendim personal, por vendim kolegjial i strukturave më të larta drejtuese të Partisë Demokratike – Demokratëve Euroatlantikë, jo vetme për të kundërshtuar paktin Rama-Berisha, por për të mos lejuar që identiteti i partisë së parë opozitare, partisë së parë properëndimore të Shqipërisë, t’i zhvatet përmes kulisave boshti i saj euroatlantik, duke e kthyer në pronën e një individi të shpallur non grata dhe në asetin e kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë. Pra ne nuk heqim dorë nga e drejta, sepse kjo është një çështje me interes kombëtar dhe ndërkombëtar, e për ta thënë me fjalë të vogla, është sikur gazetës suaj t’i marrin emrin, zyrat, shtypshkronjat dhe t’ju thonë ju nuk keni të drejtë të ankoheni në Gjykatë.

Dhe në zbardhjen e vendimit na thonë se ne pranojmë ca njerëz, që as ata nuk e dinë kush janë, dhe jo strukturat drejtuese të partisë. Jam i bindur se ju nuk do ta pranonit, për rrjedhojë as demokratët euroatlantikë nuk do ta pranojnë. Ndërsa për atë që ju pyesni nga pikëpamja politike, dua t’ju sqaroj se jo vetëm që ka sens bërja e rekursit, por politikisht mos bërja e rekursit do të ishte një lënie në mes të angazhimit tonë, një dorëzim para të keqes, hedhjen poshtë të betejës se atyre që besojnë te e drejta, besojnë te një PD që i shërben Shqipërisë e jo një individi. E ndërsa rekursi dhe rruga ligjore do të ndiqet nga juristët, ne do të vazhdojmë me aksionin tonë politik. Alternativa jonë, ekipi ynë, programi ynë, do të jetë në zgjedhje me çdo kusht.

Modalitetet do t’i përcaktojmë bashkërisht në strukturat drejtuese në kohë të mjaftueshme për të qenë të përfaqësuar në zgjedhjet e 2025. Ne si demokratë euroatantikë ju sigurojmë se nuk do të lejojmë që në zgjedhjet e ardhshme për shqiptarët oferta e vetme të jetë gara se kush është më pak i korruptuar, kryeministri apo ish-kryeministri, por do të gjejnë në fletën e votimit listën tonë të kandidatëve me programin më të mirë qeverisës të hartuar ndonjëherë nga një forcë politike. Ne besojmë se shqiptarët meritojnë më shumë dhe demokratët euroatlantikë do të jenë zëri dhe alternativa e tyre në këto zgjedhje.

-Prisni që Gjykata e Lartë të veprojë shpejtë?

Shpresoj. Shqipëria ka dëshpërimisht nevojë për drejtësi të pavarur. Këtu mendoj dhe drejtësi të shpejtë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ka shumë nga ata që janë skeptik. Edhe bashkëpunëtorë të mi, por edhe analistë të ndryshëm kanë thënë se Rama – Berisha mund të “blejnë” dhe Gjykatën e Lartë, ta zvarrisin etj. Të gjitha janë të mundura. Por nëse se provojmë nuk kemi se si ta dimë.

Unë besoj fort se do të këtë një vendimmarrje të drejtë dhe të shpejtë. Ky është një interes për demokracinë, për vendin, do jetë një precedent i rëndësishëm për çdo subjekt politik në të ardhmen. Natyrisht është dhe mesazh që do të japin para shqiptarëve, nësë ky vend do të ketë, apo jo drejtësi për të cilën ka një investim të fortë të partnerëve ndërkombëtar.

-Platforma e Demokratëve Euroatlantikë është prezantuar si një iniciativë e re. Cilat janë pikat kryesore të kësaj platforme dhe çfarë ndryshimesh do të sjellë në lëvizjen tuaj?

Që në krye të herës kjo ishte ndarja jonë. Aleatët nuk janë vetëm kur kanë halle apo nevoja, por janë gjithmonë. Shpallja non grata e Sali Berishës, nga SHBA përvijojë dy rryma, ne qe kërkuam që partneriteti me SHBA të mos cenohet dhe ata që ishin ithtarë të Berishës. Ne kemi punuar fortë këto 10 muaj për të rindërtuar strukturat e dëmtuara nga lufta personale e Sali Berishës me ndihmën e Edi Ramës. Në çdo fshat, lagje dhe qytet kemi përfaqësuesit tanë, të cilët u bashkuan për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë ndryshe, përtej Ramës dhe Berishës, për t’u dhënë qytetarëve zë dhe përfaqësim.

Këta demokratë nuk i shkriu pazari i 11 qershorit, ata janë aty, sigurisht të revoltuar nga padrejtësia, por të vetëdijshëm se kemi përballë një kastë të vjetër, e të paprinciptë, që po bën çdo gjë për t’i asgjësuar, sepse mbeten shpresa më e madhe e shqiptarëve për ndryshim, për një politike me një qasje të re, që punon për njerëzit, që qëndron pranë tyre, që ofron zgjidhje dhe nuk mbivendos hallet e politikanëve në axhendën e familjeve shqiptare. Kjo strukturë ka një vetëdije të madhe politike, janë njerëz që kanë brenda tharmin e farkëtuar në beteja në mbrojtje të interesit publik, kanë vlera dhe koherencë dhe nuk pranojnë tjetërsimin e identitetit të tyre, sepse kështu do Rama me qeverinë e tij të korruptuar.

Emërtimi si demokratët euroatlantikë veçse nënvizon orientimin tonë në këtë moment, si një vijë ndarëse me këdo që punon për t’i tjetërsuar identitetin e PD, por ne jemi ata që kemi qenë në dhjetorin 1990, mbrojmë ato parime dhe vlera, nderojmë shtresat që janë bazamenti i familjes sonë politike, si të përndjekurit dhe pronarët, e sigurisht jemi ata që ishim në 9 shtator, e djadhta e çliruar nga gabimet e të shkuarës dhe më ketë vetëdije, me strukturat tona, me ekipin tonë dhe me programin tonë do të jemi në zgjedhje.

-Si e shikoni bashkëpunimin e mundshëm me figura të njohura të politikës shqiptare, veçanërisht me partitë e reja, apo të krijuara rishtazi?

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Në zgjedhjet e ardhshme të gjithë ne do të duhet të marrim vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Një nga rrugët e këtij udhëkryqi është ajo që na kthen aty ku nisëm udhën tonë të mundimshme të tranzicionit, me riciklimin e tij, përmes rikonfirmimit të dinosaurëve të vjetër, që duan të mbajnë gjendjen e rënduar demokratike, ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhet vendi, nga e cila përfitojnë vetëm ata, në një Katovicë të dytë në kurriz të shqiptarëve. Rruga tjetër është një rrugë e re, e pa shkelur, në të cilën të gjitha forcat politike dhe shoqërore bashkohen në një koalicion vlerash, duke thurur një aleancë kundër të vjetrës.

Një aleancë në të cilën gjejnë vendin e tyre të gjithë ata që besojnë të fundi i pandëshkueshmërisë, që mbështesin SPAK dhe GJKKO, që ndajnë vlerat euroatlantike, që besojnë te një politikë që punon për njerëzit, që duan një ekonomi të fortë dhe konkurruese, një Reformë Zgjedhore që çliron politikën nga pazari i vjetër i 2008-ës, që dëmtoi palcërisht Republikën tonë. Ne jemi në një bashkëbisedim të vazhdueshëm me të gjitha forcat politike, ato të rejat dhe partnerët historik, që ndajnë me ne këtë vizion për të ardhmen. Kemi nisur formalizmin e këtij koalicioni dhe do të vijojmë të punojmë intensivisht me të gjithë aktorët dhe faktorët që duan t’i qëndrojnë përballë qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe bishtave të tij në Parlament e jashtë tij.

Pazari i radhës është mbylla e listave. Ata nuk duan lista të hapura, nuk duan që qytetaret të kenë fuqi. Me truket e tyre duan t’u hedhin hi syve shqiptarëve, siç bënë me pazarin e amnistisë, ku tashmë nga vetë kreu i SPAK u konfirmua se 117 subjekte të Prokurorisë dhe Gjykatës kundër korrupsionit u bënë përfitues.

-Si do të ndikojnë zhvillimet e fundit brenda PD-së në strategjinë e opozitës ndaj qeverisë aktuale?

Shikoni, përpjekja për të zvarritur çështjen e legjitimitetit të PD-së nga ana e Edi Ramës, nuk ka vetëm për qëllim mbajtjen përballë të Berishës si gogol, për t’ua shfaqur militantëve të tij, që zakonisht kompaktësohen kur kanë ish-kryeministrin përballë, duke amnistuar thagmat e qeverisë socialiste. Një truk të tillë e përdori dhe në 2021, e mbani mend besoj. Kur mbushi Shqipërinë me fotot e Berishës dhe atij tjetrit. Por ka dhe një tjetër qëllim, ta mbajë debatin publik te çështje që nuk janë me interes për familjet shqiptare, të cilat ndeshen përditë me probleme që kërkojnë zgjedhje.

Ne nuk do të biem në kurthe ngritur nga Rama, nuk do të merremi me çështjet që nuk kanë interes për qytetarët, me sherrnajën politike, apo akuza të ricikluara, por do të përqendrohemi te njerëzit, te problemet e tyre, që janë të shumta. Ndonëse vendimi i 11 qershorit krijoi patjetër një dizorientim momental, për ne shumë pak ka ndryshuar, pra do të vijojmë me atë që kemi përcaktuar qartë, shpalosjen e programit, prezantimin e ekipit dhe konsolidimin e strukturave tona për zgjedhjet.

Më besoni, njerëzit janë të lodhur nga sherri politik, ata presin zgjidhje për shqetësimet e tyre. Jeta është bërë e papërballueshme, fuqia blerëse ka rënë, taksat janë të larta, shërbimet inekzistente, shëndetësia në krizë, bujqësia e asfiksuar nga korrupsioni dhe mungesa e vizionit, arsimi në pikën më të ulët, të gjitha këto kërkojnë një përgjigje serioze nga ne dhe ne do ta japim përmes programit më të mirë që kemi hartuar në këto 34 vite.

Keni një recetë si rrëzohet qeveria?

Shqiptarët kanë mundësi që pakënaqësinë, revoltën dhe shpresën t’i bëjnë bashkë në kutinë e votimit. Qeveria rrëzohet me votë dhe rrëzohet me një model krejtësisht ndryshe nga ai i dështuari që Rama përfaqëson. Shpopullimi, varfëria, largimi i rinisë, korrupsioni, janë produkt i qeverisë Rama, shqiptarët e dinë mirë këtë, sepse e ndjejnë në xhepat e tyre, e shohin në shtëpitë e tyre të përgjysmuara nga largimi i familjarëve. Ajo që ka munguar këto vite, për shkak të mbivendosjes së agjendës personale të Sali Berishës mbi agjendën e PD-së dhe opozitës, ka qenë një alternativë që sfidon Ramën me një vizion të ri, me një program të qartë, në sinergji me partnerët ndërkombëtar.

Duke njohur dobësitë e tij, i tmerruar nga dalja e SPAK nga kontrolli i tij, Rama u përpoq të pengojë përmes marifeteve juridike dhe mediatike, të mbaj opozitën në një konflikt permanent, për të shmangur rimëkëmbjen e PD-së, e cila ishte dhe është e pashmangshme. Të vetëdijshëm për këtë strategji të Ramës, ne do t’i lëmë në sherrin e tyre shterpë, dhe do të punojmë për t’u treguar shqiptarëve që ne jemi gati, përmes një modeli alternativ që pasqyrohet te ekipi ynë i shkëlqyer, i shkëputur nga e shkuara problematike e PD, me profesionistë të formuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët do të jenë zëdhënësit e programit tonë dhe ambasadorët e ndryshimit që shqiptarët presin. Dhe bashkë me forcat e tjera politike që ndajnë të njëjtat parime dhe të njëjtin vizion me ne, do të formojmë një koalicion të madh vlerash, për ta çuar Ramën në opozitë.

-Çfarë do të bëni për mbrojtjen e votës, në një kohë që shumë pika të propozuar nga ju nuk janë sa i takon Reformës Zgjedhore marrë parasysh nga Partia Socialiste?

Sabotimi i Reformës Zgjedhore nga Rama dhe Berisha është një atentat ndaj demokracisë, sepse pas 16 vitesh nga eksperimenti i dështuar dhe i dëmshëm i prillit të 2008-ës, ku u ndryshua Kushtetuta për interesin e të dyve, mbajtja të paprekur të asaj marrëveshje të pistë, cënon zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Prandaj këto dy ditë do nxjerrin në shesh pazarin mes Ramës dhe Berishës. Ky pazar do bëhet më i qartë se kurrë në sytë e shqiptarëve, pasi janë duke bërë gjithçka që të pengojnë hapjen e listave. E vetmja mënyrë për të mbyllur listat është bashkimi i votave mes Ramës dhe Berishës. Edi Rama nuk i do listat e hapura, as nuk ka votat për t’i mbyllur ato. Prandaj i duhen votat e Berishës, për t’u hequr qytetarëve mundësinë të zgjedhin ata përfaqësuesit e tyre në Parlament. Ne e kemi paralajmëruar këtë që po ndodh.

Ata u bënë bashkë për të dështuar Komisionin e Reformës dhe për të pamundësuar propozimet tona që forconin votën e qytetarëve. Ata nuk e duan këtë, ata duan t’i trajtojnë shqiptarët si pula që bëjnë vezë për ta dhe klientelën e tyre. Ne e neverisim këtë sjellje të Ramës dhe Berishës dhe do ta denoncojmë me të gjithë forcën tonë tangon e tyre të vjetër në dëm të shqiptarëve. Besoj gjithashtu se shqiptarët kanë pasur kohën e mjaftueshme për të kuptuar se si pasi u blejnë votën, apo i punësojnë për 2-3 muaj, gjithë pjesën tjetër të mandatit i lënë në mëshirë të fatit. Nga ana tjetër është drejtësia ajo që shpresoj do ta marrë seriozisht krimin zgjedhor, në të gjitha format dhe mënyrat që shfaqet. Një hap i mbarë është vendimi i SPAK për të ngritur një strukturë të veçantë në muajin janar. Unë kam përgëzuar kreun e SPAK për shpalosjen e strategjisë për mbrojtjen e zgjedhjeve të 2025-ës.

Përkushtimi i SPAK për t’i dhënë fund krimeve zgjedhore është një lajm i mirë, që bashkë me veprimtarinë antikorrupsion të Prokurorisë së Posaçme, shënon një pikë kthese e cila duhet të vlerësohet. Prandaj dyshja Rama-Berisha nuk e duan SPAK dhe e sulmojnë atë vazhdimisht. Sot njeriu më i sulmuar, pas meje, është Altin Dumani. Besoj shqiptarët janë të zgjuar për ta kuptuar se përse po sulmohet ai. SPAK dhe GJKKO janë institucione që nëse nuk pengohen nga politika, do t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe ne kemi vendosur t’u japim gjithë mbështetjen tonë.

-Keni hedhur shumë akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Keni prova për këtë akuza?

Akuza më e madhe janë shqiptarët, që ikin nga sytë këmbët për shkak të asaj që tangoja e vjetër Rama-Berisha ka prodhuar gjatë tranzicionit, certifikimet e këtyre akuzave i gjeni te raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit. Prova më të mëdha nuk më duhen për t’ju thënë me plot gojën që ata të dy s’kanë çfarë i japin më Shqipërisë dhe se shqiptarët meritojnë më shumë.

-Po Ilir Metën e shikoni rrezik? Ndërkohë zoti Meta ka hedhur akuza të forta ndaj jush…

Tashmë Ilir Meta është rrezik vetëm për veten e tij, as nuk harxhoj kohë me të dhe ju ftoj të bëni të njëjtën gjë.

Keni deklaruar se mbështesni fuqishëm punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Si dhe në çfarë rruge do jetë suporti juaj?

Mbështetja jonë pa kushte për SPAK erdhi si rezultat i punës së deritanishme, në veçanti në mandatin e dytë pas themelimit. Aty kemi parë potencialin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, e cila ka qenë një gjyle në këmbët e Shqipërisë, që pengon prej 34 vitesh potencialin e jashtëzakonshëm të vendit. Sigurisht ka ende shumë për të bërë dhe pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha pasi dhe korrupsioni, krimi, lidhja e politikës me krimin, pastrimi i parave është shumë i madh dhe përfshin nivele të larta. Për shkak të korrupsionit në kemi ecur ngadalë, ndërkohë që shqiptarët kanë gjithçka për të vrapuar drejt një të ardhmeje me më shumë mirëqenie. Çdo gjë e jashtëzakonshme këto tre dekada është arritur sepse qytetarët dhe sipërmarrësit kanë punuar fortë, pavarësisht pengesave dhe stërkëmbshat e politikës.

Imagjinoni një Shqipëri ku korrupsioni nuk vjedh paratë e shëndetësisë, të bujqësisë, të arsimit, nuk është fushë me lule, por është një Shqipëri më e mirë, e cila ka nisur të kuptojë peshën dramatike që ka korrupsioni dhe lehtësimin që krijon SPAK në luftën kundër tij. Ne e kemi mbështetur SPAK me votë, ne e mbështesim SPAK përmes propozimeve konkrete që kam depozituar në Parlament, të cilat mbahen në sirtarët e Kuvendit nga zarat e dyshes Rama-Berisha, që për shkak të dollapëve plot me skeletë në të shkuarën e tyre, do bëjnë çdo gjë për të penguar SPAK. Në vend të mbështetjes për SPAK po bëjnë gjithçka për ta penguar, linçuar, goditur, sulmuar. Kjo tregon se ata kanë frikë dhe është gjë e mirë. Uroj dhe shpresoj se ata që kanë investuar para dhe kredibilitet tek drejtësia nuk do të lejojnë shkatërrimin e tij.

-A mendoni se në Shqipëri ka trokitur ora e pandëshkueshmërisë?

Besoj se jemi shumë afër. Drejtësia është ende në provë, ka shumë sfida përpara. S’mund të pretendojë askush se gjithë numrat dy te bashkisë Tiranë dhe qeverisë janë të korruptuar dhe shefat e tyre s’dinë asgjë. Përkundrazi, kanë operuar si një strukturë e organizuar kriminale. SPAK nuk e lufton dot i vetëm korrupsionin. Kërkon dhe një qeveri në mbështetje të kësaj strukture. Prandaj qytetarët, nëse duan luftë kundër korrupsionit, duhet të zgjedhin dhe qeverinë anti-korrupsion. Shqiptarët presin që përmes votës së tyre në 2025-ën dhe përmes veprimit të SPAK, të kenë një moment të ri në jetën e vendit, i cili do përkojë me fundin e tranzicionit, dhe çeljen e një shprese të re për zhvillim ekonomik dhe integrimin Europian. Kjo do të jetë ora më e mirë për Shqipërinë, e cila nuk do të vonojë.

-Zoti Basha, ndërkohë le të ndalemi tek një zhvillim tjetër. Pak muaj më parë Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme (SPAK), që të regjistrojë një proces penal për ngjarjet e 21 janarit dhe në kallëzim është edhe emri juaj. Në atë kohë ju keni qenë ministër i Brendshëm. A i druheni hetimeve për këtë rast? Viktimat u vranë nga plumbat e ardhur nga ndërtesa e kryeministrisë, në kohën që ju ishit Ministër i Brendshëm…

Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent, sepse nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike. Kanë kaluar 13 vite dhe është qartë besoj, që rasti është përdorur për politikë, për përfitime të ngushta politike. Por ndërsa përdorin viktima arsyen e asaj proteste, Ilir Metën, në 2013 Rama e mori në koalicion dhe më pas me votat e tij e bëri President. Njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, si të ashtuquajtur grup zjarri, u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Për çfarë kontributi i promovoi dhe i gradoi Edi Rama. Besoj se kjo pyetje kërkon po ashtu një përgjigje nga ana e drejtësisë. Pra, është një lojë e pistë edhe me gjakun e katër viktimave të pafajshme, që meritojnë drejtësi. Unë kam keqardhjen më të madhe për ata që humbën jetën dhe për familjet e tyre që humbën më të dashurit.

-Keni një mesazh për qytetarët dhe demokratët?

Në këto pak muaj që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, apeli im për shqiptarët dhe demokratët është të hulumtojnë me vëmendje ofertat politike që do ju paraqiten. Për shumë gjatë një pjesë e politikës i ka trajtuar qytetarët herë si tifozë e herë si gjë e gjallë, për t’i mbajtur në llogoret e të paarsyeshmes, në mënyrë që t’i marrë votën e të mos bëjë asgjë në këmbim. Dhe pyetja është nëse ata janë më mirë sot? A janë të kënaqur me shpopullimin, korrupsionin, varfërinë dhe largimin e fëmijëve të tyre. Zgjidhja është në dorën e tyre. Ata janë përgjegjës për fëmijët e tyre. Me votën e tyre ata mund të hapin një faqe të re për vendin. Me votën e tyre mund t’i japin fund tranzicionit. Zgjedhjet nuk janë ndeshje futbolli.

Që pavarësisht me kë jeni tifoz, kush humbet a fiton, nuk ndikon në jetën tuaj. Politika ka në dorë të ndryshojë jetën tuaj për mire, ose për keq. Sot shumica dërrmuese e shqiptarëve duan ndryshim, duan t’i japin fund krizave të njëpasnjëshme që e kanë bërë vendin të pajetueshëm për shkak të politikanëve që kanë vendosur interesin e tyre personal përpara interesit të qytetarëve. Për shumë vite jemi përpjekur t’ju tregojmë se jemi ndryshe, se kemi një mendësi dhe një kulturë politike që na ka ndarë njëherë e mirë nga dinozaurët e tranzicionit, duke qenë shpesh herë e vetmja forcë me program dhe vizion konkret për të ardhmen e vendit. Janë munduar të na pengojnë, kanë përdorur paratë e krimit e korrupsionit, mediat e blera, oligarkët, kanë korruptuar deri te shefi i FBI për të më sulmuar mua. I mbani mend 50 milionë mesazhet e 2021 kundër meje?

Kjo nuk ka ndalur madje korit socialist iu shtua dhe ai i Sali Berishës, me gjithfarë mashtrimesh. Tre vitet e fundit kanë qenë edhe testi më i rëndësishëm për të vënë në dukje se sa të gatshëm jemi për të reflektuar, për t’u përmirësuar dhe për të marrë vendime jashtëzakonisht të vështira, sepse kur na duhej të zgjidhnim mes interesit personal dhe interesit publik kemi zgjedhur, edhe me kosto të larta, interesin publik. Kështu do të veprojmë sa herë zgjedhjet e vështira do të jenë përpara nesh, sepse besojmë të politika si shërbim, si mjet për të përmirësuar jetët e qytetarëve, jo si një mjet për të mbrojtur interesat e politikanëve që janë të gatshëm të sakrifikojnë partitë e tyre, madje edhe Shqipërinë, për të mbrojtur veten.

Dhe në këto zgjedhje alternativa përpara shqiptarëve është më e qartë se kurrë. Do ndjekin rrugët e vjetra, me njerëzit e vjetër që kanë 34 vite që japin rezultatet e vjetra e të padëshiruara për Shqipërinë, apo do zgjedhin një rrugë të re, një forcë politike të reformuar, një të djathtë të çliruar nga hijet e së shkuarës, me një ekip përfaqësues të shkëputur nga kultura e vjetër politike, që ofron një program qeverisës reformues, të hartuar për t’i dhënë një hov të ri Shqipërisë, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, të vetëdijshëm se asnjë forcë politike në papajtueshmëri me perëndimin nuk mund dhe nuk do të fitojë zgjedhjet në vend. Ne do të bëjmë çdo gjë që qytetarët të zgjedhin rrugën e propozuar nga ne, Demokratët Euroatlantikë, përgjegjësia e ndryshimit është në dorë të tyre. Le të bëjnë më të mirën për të ardhmen e Shqipërisë. Ne na takon të jemi gati dhe do të jemi gati për ta.

Intervistoi: Rigels Seliman

Artikulli paraprakLigji i zgjedhjeve dhe komunizmi që nuk na shqitet
Artikulli tjetërAkuzohet se mori 25 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarët, SPAK mbyll hetimet dhe çon për gjykim avokatin (EMRI)