Një oficer i Forcave Speciale të Policisë turke që ishte kthyer në terrorist, hapi zjarr të hënën brenda një ekspozite arti në Ankara, duke vrarë ambasadorin rus në Turqi dhe duke plagosur të paktën tre persona të tjerë, pasi ai bërtiste shprehje xhihadiste përpara se të kryente vrasjen.
Aparate fotografik dhe video, kamera ishin drejtuar drejt ambasadorit rus, Andrei Karlov, i cili po mbante një fjalim në Qendrën për Artin Bashkëkohor në Ankara, kur një person i veshur me një kostum të zi papritur qëlloi Karlov pas shpine. Kamerat e kapën incidentin dhe tregojnë Karlov, i cili tregonte dhimbjen në fytyrë në momentin e parë e pastaj u rrëzua përdhe, ndërkohë që i armatosuri nisi të lëvizte drejt trupit të ambasadorit.
Mediat turke raportuan se, vrasësi ishte eliminuar. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, bëri një deklaratë se Karlov ishte vrarë gjatë një fjalimi të transmetuar direkt në televizion. “Çfarë ndodhi, ne e klasifikojmë si një akt terrorist”, ka deklaruar Zakharova. Ndërkohë nga Kremlini mësohet se, Presidenti rus Vladimir Putin ishte informuar menjëherë për ngjarjen.
Vrasësi është identifikuar si oficer i Forcave Speciale të Policisë turke. Këtë informacion e ka dhënë përmes një deklarate kryetari i Bashkisë së Ankarasë, Melih Gokcek. Gokcek gjithashtu tha se, sulmi synonte prishjen e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë. Të dy vendet kishin nisur që t’i normalizonin lidhjet në qershor 2016. Këto përpjekje për normalizim erdhën pas një periudhe të tensionuar e krijuar, kur një avion luftarak turk rrëzoi një avion rus në nëntor 2015.
Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu deklaroi se vrasësi ishte 22-vjeçari Mevlut Mert Altintas dhe tha se ai kishte punuar për skuadrën kundër protestave të dhunshme për dy vjet e gjysëm deri në ditën që kreu krimin. Dëshmitarët thanë se, vrasësi kishte hyrë me dokument identifikimi të policisë.
Altintas është dëgjuar të thërrasë “Allahu akbar” dhe gjithashtu vargje popullore xhihadiste në gjuhën arabe.
“Mos harroni Aleppo-n, mos harroni Sirinë…ne vdesim atje çdo ditë… Ne nuk jemi të sigurt këtu nëpër rrugë, kur ata janë duke vdekur atje”, mësohet të ketë thënë ai.
“Ju kurrë nuk do të jeni të sigurtë, ndërkohë që nëna të tjera janë të pasigurta…Vazhdoni më filmoni, vetëm i vdekur kam për të dalë nga kjo ndërtesë”. Më pas, Altintas u kthye tek konflikti në Siri: “Kushdo që është përgjegjes për këtë (tirani) ka për të paguar”.
Menjëherë pasi sulmi përfundoi, Departamenti i Shtetit Amerikan përmes një mesazhi në tëeeter raportoi rreth një sulmi në zonën pranë ambasadës amerikane në Ankara dhe i paralajmëroi shtetasit amerikanë të qëndrojnë larg nga zona. Ishte sërish Departamenti Amerikan i Shtetit që sqaroi se i referohej vrasjes së ambasadorit Karlov e jo ndonjë incidenti të ri.
Sekretari i Shtetit, John Kerry e quajti vrasjen si një “sulm të shëmtuar”. Kerry tha se, vrasja ishte “një sulm mbi të drejtën e të gjithë diplomatëve, të cilët në mënyrë paqësore dhe të sigurtë të avancojnë në përfaqësimin e kombeve të tyre rreth e rrotull botës”.
Kerry tha se, SHBA është e gatshme që t’i ofrojë ndihmë Rusisë dhe Turqisë në hetimin e këtij sulmi. Karlov, 62 vjeç, ishte ambasador i Rusisë në Turqi që nga korriku 2013. Ai ka qenë ambasador i Rusisë në Korenë e Veriut në periudhën 2001-2006. Karlov la gruan dhe një djalë.
Putin: Vrasja, një provokim
Pas vrasjes së ambasadorit rus, Andrei Karlov në Turqi, ka reaguar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ai ka thënë se kjo vrasje kishte shkas prishjen e raporteve ndërmjet Rusisë dhe Turqisë, transmeton Express.
Putin e ka quajtur sulmin ndaj ambasadorit rus një provokim të qartë, që ka synim të ndikojë në procesin e normalizimit të situatës në Siri.
“Kjo vrasje është qartë një provokim për të dëmtuar përmirësimin e raporteve ndërmjet Rusisë dhe Turqisë dhe dëmtimit të procesit për vendosjen e paqes në Siri, të drejtuar nga Rusia, Turqia, Irani dhe vendet e tjera të interesuar për normalizim të gjendje në Siri.” ka thënë presidenti rus.
Erdogan: Duan konfliktin tonë me Rusinë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka folur për herë të parë për atentatin ndaj ambasadorit rus në Ankara, Andrei Karlov.
Erdogan, ashtu sikurse edhe Putin, ka thënë se i bashkohet homologut rus në qëndrime dhe se mes dy vendeve nuk ka asnjë përplasje për ngjarjen. Madje, ai ka qenë i mendimit njësoj si edhe Putin, se vrasja është një provokim i rëndë për të nxitur konflikt mes dy vendeve. “Ne të dy e dimë se ky provokim i rëndë nuk do të prekë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë. Të dyja vendet nuk do bien në nivelin e këtij provokimi”, tha Erdogan.
“Dihet se kjo vrasje tashmë kërkon që të prishë procesin e paqes në Siri, të arritur me ndihmën e Rusisë dhe Turqisë”, tha Erdogan duke qenë në të njëjtën linjë me Putinin.
A ishte vrasësi një “ujk” i vetëm?
“Nuk është e qartë nëse vrasësi ishte një operator i vetëm”. Ky ka qenë qëndrimi i agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Analistët thonë se, Mevlut Mert Altintas ndoshta mund të ketë qenë i motivuar nga pakënaqësia popullore ndaj veprimeve ruse në Siri. Moska është një aleat i fortë i presidentit Bashar al-Assad dhe ka mbështetur forcat siriane me fuqi ajrore – ose e lidhur me grupin e njohur si Shteti Islamik, i cili ka kryer nga një varg sulmesh me bomba në Turqi gjatë 12 muajve të fundit.
Edhe pse ndonjëherë është rasti, agjencia e lajmeve thotë se, incidenti ngre shqetësime për një forcë policore pas një grushti shteti të dështuar kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan në korrik.
Ambasadori Andrei Karlov u vra mbrëmjen e djeshme gjatë një fjalimi në një galeri arti në Ankara teksa po mbante një fjalim. Ai u ekzekutua nga Mevlut Mert Altintas, 22 vjeç, ish-pjesëtar i policisë turke, i cili ishte shkarkuar gjatë hetimeve lidhur me tentim puçin ushtarak që u zhvillua më 15 korrik.
Përgatiti: Redin Hafizi