Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së djeshme, duke u këmbyer me 134.6 lekë, një tjetër rekord minimal i 7 viteve të fundit. Rënia e ditës së djeshme ka qenë më e fortë se ajo e së hënës, me -0.34 lekë.
Një nënçmim i euros ishte i pritshëm edhe gjatë ditës së djeshme, pasi data 20 është dita e fundit e pagimit të sigurimeve dhe bizneset nxitojnë të këmbejnë euron në lekë. Muajt e fundit, data 20 ka shënuar përgjithësisht vlerën më të ulët të muajit në raportet e këmbimit të euros me lekun.
Ardhja e emigrantëve dhe oferta e lartë për euro në treg janë arsye të tjera të nënçmimit të monedhës së përbashkët.
Gjatë këtij muaji, euro është rritur vetëm një ditë lehtë në raport me lekun, ndërsa ditët e tjera ka shënuar vetëm zbritje. Në fillim të këtij muaji, euro këmbehej me gati 136 lekë.
Dollari ka vijuar rritjen në tregun vendas gjatë ditës së djeshme, duke arritur në 129.55 lekë, 0.34 lekë më shumë se një ditë më parë.
Në bursat ndërkombëtare, dollari është rritur gjatë ditës së djeshme, teksa sulmet në Berlin dhe Turqi ndikuan negativisht në ecurinë e euros. Dollari iu afrua sërish nivelit më të lartë në 14 vjet, teksa një euro u këmbye me 103.4 USD.