Yjet e pashuar të Kongresit të socialistëve dhe “reforma” e reformës në drejtësi

Nga Desada Metaj

Çudia me ministrat e rinj të Edi Ramës do të zgjasë deri ditën kur ata të shfaqen në konferencë për shtyp apo parlament dhe të kuptojmë se ata janë copy-paste i të “rinjve” të PS. Që pavarësisht shkollimit, edukimit apo ambicies kanë aftësinë të spiropalizohen dhe të duken teknikisht të paaftë dhe politikisht idjotë.

Po kaq shkurt zgjat dhe çudia me kritikat e kryeministrit për vartësit e tij, fjalimet e të rinjve dhe gafat e zakonshme të Bora Muzhaqit. Madje dhe gjithë analizat për demagogjinë, propagandën dhe talljen e Edi Ramës me shqiptarët janë po aq të vjetëruara sa dhe historitë e kryeministrit me gjyshen e vet.

Madje dhe instalimi një republike ku çdo pushtet është në varësi të Edi Ramës nuk përbën më lajm. Përvec faktit që tashmë kryeministri nuk ka më asnjë pengesë për ta instaluar pushtetin e tij dhe në ato që mund të konsiderohen deri diku institucione të pavarura. Mjafton të dëgjoje sot Fatmir Xhafajn dhe “reformën” e reformës në drejtësi që ai propagandoi për të kuptuar se nuk është e largët dita kur me shumicën e cilësuar, ndryshimet e përfolura në Kushtetutë do ti hapin rrugën shkatërrimit edhe të asaj pak pavarësie të institucioneve të drejtësisë. Më saktë, ndryshimet e pritshme për “shpërdorimin e detyrës” në kodin penal dhe të ngjashme me këtë që synojnë kontrollin e SPAK.

Por për të bërë këto ndryshime nevojiten më shumë vota se Edi Rama ka në dispozicion. Provat gjenerale të së premtes ku PD dhe PS bashkuan kartonat për një pseudoreformë nuk e përjashtojnë mundësinë që 106 votat e “pazarit” të mund të ndryshojnë dhe Kushtetutën. Thënë ndryshe, vënia nën kontroll e SPAK-ut të bezdisshëm si për Ramën dhe Berishën është forcë që i bashkon dhe që e bën komisionin e Fatmir Xhafajt faltoren ku “viktimat” e SPAK do gjejnë paqen pas akuzave për korrupsion.

Fatmir Xhafaj artikuloi sot qartë se “duhet të konsolidojmë edhe më tej sistemin e ri të drejtësisë në trasenë kushtetuese mbi të cilën është ngritur”. Sistemi i drejtësisë është një sistem i pavarur nga qeveria e zotit Xhafaj. Megjithë problemet dhe mangësitë që ka është e dukshme se futja e duarve nga zoti Xhafaj dhe të ngjashmit e tij bëhet vetëm me qëllimin e amnistimit të të gjithë zyrtarëve të lartë që po hetohen dhe do hetohen nga SPAK.

Ky në fakt ishte dhe lajmi i vetëm i prodhuar nga Kongresi i PS. Ndryshimet në qeveri, batutat e Ramës, zhurma dhe analiza për to, janë mënyra që kryeministri ka gjetur për të argëtuar të vetët dhe për ti bërë edhe më të neveritur ata që nuk besojnë më tek politika. Fatkeqësia është se e vetmja shpresë, opozita, tashmë është duke konsoliduar qëndrimet e saj në trasenë e kryeministrit. Dhe këtë nuk e fshehin dot as buratinët e doktorit dhe as heroi Sy-patrembur Arben Ahmetaj.

Nuk i vjen asgjë e mire Shqipërisë kur kryetare e Parlamentit bëhet një figurë emblematike e patetizmit si Elisa Spiropali dhe kur hero i opozitës një hajdut si Arben Ahmetaj. Dhe po, Edi Rama mban përgjjegjësi për inceneratorët ndoshta dhe më shumë se Ahmetaj. Po, Edi Rama nuk mund të jetë i pafajshëm mes bashkëpunëtorëve të korruptuar. Por ta shndërrosh bashkëpunëtorin e korruptuar të Ramës në kauzën e opozitës, thjesht ke zgjedhur se kë hajdut të qeverisë të mbështesësh.

E meqë të dy palët e kanë këtë merak me SPAK-un, nuk do jetë e largët dita kur hero të radhës të shpallin Fatmir Xhafajn. Dhe pse jo… edhe Geronin, vëllain e tij!

Artikulli paraprak“Pas bashkimit të votave për kodin zgjedhor, çdo fjalë kundër Ramës është hipokrizi”/ Pampuri: Shqiptarët janë neveritur nga hiri që i keni hedhur syve
Artikulli tjetërHepatiti, një sëmundje tinëzare/ 300 milionë njerëz të infektuar