Nga Gelsi Selimpërteasi
Të premte u mbyll pazari, duke parë rezultatin e vitit 2021, kuptojmë pse deputetët e listës së PD kanë frikë nga listat e hapura. Lulzim Basha më i votuari në vitin 2021, bashkë me deputetë si Dashamir Shehin dhe Enkelejd Alibeaj, që gëzojnë mbështetje popullore, po luftojnë për t’i hapur listat, në mënyrë të tillë që parlamenti të kthehet në përfaqësues të interesave të votuesve, e jo të një klani të vogël rreth Berishës dhe Ramës, siç po mundohen të bëjnë sejmenët e të dyja palëve, si Bardhi, Bylykbashi apo Gjiknuri, të cilët përherë noterizojnë atë që shefat kërkojnë. Deputetët pa vota, që s’janë votuar asnjëherë dhe s’kanë bërë asnjë betejë elektorale në jetën e tyre, duan të fshihen në listën e mbyllur, duke u bërë vegla për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë.
Kjo është edhe arsyeja pse u fshehën këto 3 vite, njerëz si Gazment Bardhi dhe Oerd Bylykbashi, të cilët jo vetëm që nuk kalojnë dot herësin, por pas piruetave të këtyre dy viteve, nuk kalojnë dot as pragun e shtëpisë së tyre, sepse edhe ajo nuk i voton. Këta njerëz pa vota, do vendosen në krye të listës, duke u bërë pengesë për njerëzit që meritojnë të jenë në parlament, sepse gëzojnë mbështetje popullore, ashtu siç mund ta kenë treguar edhe më parë. Paradoksi, pra është që njerëzit pa vota, vendosin se kush do jetë në parlament apo jo, duke bllokuar aspiratën e qytetarëve për lista të hapura, që të jenë të përfaqësuar e jo të nëpërkëmbur nga sejmenët e kryetarëve.
Sot me votë do tregojnë që duan një vend pune, jo të fitojnë zgjedhjet, siç i kanë gënjyer demokratët dhe shqiptarët deri më sot. Hodhën në kosh premtimet për ndryshim dhe rinovim të opozitës, duke u kthyer në aneks të Edi Ramës, të cilit do t’i japin votat që nuk ka për të mbyllur listat. Amendamenti Basha ishte një alternativë e vyer për t’u dhënë mundësi partive të zgjedhin ato nëse duan t’i mbajnë listat e hapura apo të mbyllura, duke e bërë fakultative për ato kyçjen që imponon pazari Rama- Berisha, mirëpo një gjë e tillë jo vetëm që nuk u mor në konsideratë, por u hodh poshtë në mënyrë të turpshme nga ushtarët e zellshëm të Ramës dhe Berishës, të cilët, për një karrige deputeti janë të gatshëm të shtrihen në shkallët e Parlamentit prej ku shefat e tyre të futen e nga foltorja e Kuvendit të sulmojnë e shantazhojnë SPAK dhe drejtësinë për hallet e tyre personale./sot.com.al