Nga Albi Xhunga
Narrativa e re e kryeministrit është prerja e fijeve që e lidhin me korrupsionin galopant të qeverisjes së tij.
Edhe kongresi i fundit shkon në të njëjtin drejtim. Largohen nga qeveria ministrat politikë dhe zëvendësohen me ministra teknikë që nuk ua di emrin as mr google (që di gjithçka). Dy të fundit që kishin mbetur në kabinetin e tij ranë dëshmorë në kongresin e nxehtë të fund korrikut.
Natyrisht që në çdo lëvizje politike të Edi Ramës, pjesë e ekuacionit është edhe SPAK. Dardha e ka bishtin mbrapa thotë populli. Do të ketë bisht apo jo dardha e fundit, këtë do të na e tregojë e ardhmja e afërt. Por linja e re politike, ndarje nga të kapurit me presh në dorë dhe një qasje hipokrite pro SPAK, duket të jetë strategjia e dëshpëruar e Edi Ramës për të rishpikur veten.
Sa më shumë sukses ka SPAK në arrestimin e zyrtarëve të lartë , aq më shumë bëhet i dukshëm dështimi në objektivin final, goditjen e korrupsionit të lartë, pastrimin e vendimmarrjes politike dhe çlirimin e tregut.
Një zyrtar i lartë i policisë gjermane, ndërsa komentonte luftën ndaj krimit të organizuar shqiptar, vinte në dukje strategjinë e gabuar të organeve ligjzbatuese gjermane për të goditur krimin e organizuar shqiptar.
“Ne po luftojmë me mullinjtë e erës. Ne arrestojmë trafikantë, gjykatat i dënojnë, por rezultati nuk duket gjëkundi. Trafiku vazhdon po njësoj, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sepse kokat e trafikut nuk vijnë fare në Gjermani. Ata e drejtojnë trafikun nga Shqipëria dhe trafikantët që kapim ne, i zëvendësojnë me të tjerë. Nëse nuk arrijmë të kemi bashkëpunim të frytshëm me policinë shqiptare për të goditur burimin e trafikut, beteja jonë është e kotë.’’
E njëjta gjë po ndodh me SPAK. SPAK arreston zyrtarë të lartë, deri ministra, por korrupsioni vazhdon. Sepse SPAK arreston zbatuesit, jo burimin e korrupsionit. Spartak Ngjela në një analizë të tijën, thotë se në një shtet nuk mund të ketë korrupsion sistemik po nuk deshi kryeministri. Kjo është një e vërtetë e madhe. Kryeministrat kanë të gjithë pushtetin.
Kryeministrat kanë nën urdhëra të gjitha agjensitë ligjzbatuese, përfshirë agjensitë inteligjente. Një kryeministër e di se me kë pi kafe ministri i tij, di se me kë tradhton gruan, etj. Të mos dijë kryeministri se qindra milionë euro po shkojnë në drejtim të paditur, është përrallë që nuk e besojnë as fëmijët e kopshtit. Kjo duket edhe nga qëndrimet e tij ndaj atyre që kanë ngrënë dardha pas shpinës së tij.
Nëse do të ishte e vërtetë që dardhat janë ngrënë pa leje, kryeministri do të vinte të gjithë shtetin në dispozicion të prokurorisë për të ndëshkuar ministrin besprerë. Por jo. Hajduti dy metrosh Beqaj vazhdon të jetë mik i ngushtë i Edi Ramës. E njëjta gjë vlen edhe për kryeministrin e kryeqytetit.
Skema është e njëjtë. Por lali Eri vazhdon të vërë në dukje punët e mira që kanë bërë drejtorët 5 D dhe ju uron të dalin të bardhë nga kjo histori. Krejt ndryshe do të ishte puna me një kryebashkiak të tradhtuar. Ai do të ishte vënë plotësisht në dispozicion të ‘’kolegëve’’ të SPAK për të varrosur tradhtarët bukëshkalë.
Kush mendon se korrupsioni bëhet për të ‘’rregulluar’’ ca punë personale është naiv i madh. Kishte plot naivë që i jepnin votën Edi Ramës në vitin 2013 me shpresën se ai i kishte ‘’rregulluar’’ punët personale sa kohë ishte në bashki dhe tani donte pushtetin për të bërë diçka për Shqipërinë. Mes tyre kam nderin të jem edhe unë. Isha ende shumë i ri atëherë…
Ndaj askush të mos ketë iluzione se tani, pasi janë vjedhur qindra milionë euro, apetiti i kryeministrit është ngopur. Korrupsioni në fakt ka të bëjë shumë pak me pasurimin personal. Kjo mund të thuhet për zyrtarë të dorës së dytë. Jo për kryeministrin. Qëllimi i kryeministrit është të garantojë pushtetin.
Me pushtetin garanton edhe lirinë e tij sepse është e vështirë të goditet një kryeministër për sa kohë është në pushtet. Kjo është edhe praktikë perëndimore. Ka plot procese penale ndaj kryeministrave, por kjo si rregull ndodh pasi ata kanë lënë detyrën, sepse vota popullore prevalon edhe mbi drejtësinë.
Kryeministri e di këtë, ndaj kapet me thonj pas pushtetit, për të garantuar lirinë e tij. Natyrisht që ai e di se nuk mund të rrijë përjetësisht në pushtet. Por gjithsesi mund të shpresojë se e ardhmja mund të ofrojë oportunitete të tjera. Zgjedhja e Trump në SHBA, familjes së të cilit i ka bërë nja dy qoka të denja për një familje miliardere, etj.
Ama ky skenar ia pamundëson kryeministrit të divorcohet me korrupsionin, mgjs kjo do të ishte logjike në epokën e SPAK. Do të ishte e arsyeshme nga ana e tij që korrupsioni qeverisës të ndalte në këto kohë kur çdo koncesion qeveritar shikohet me lupë dhe risku bëhet shumë i madh. Ama kryeministri nuk ka zgjidhje tjetër. Ai duhet të garantojë pushtetin për të garantuar lirinë dhe për këtë i duhën para, shumë para.
Duhet vazhduar t’u jepen koncensione televizioneve, që ata të mos e diskreditojnë qeverinë e tij siç e meriton. Duhet vazhduar të paguhen dhjetra portale që u shpëlajnë trutë shqiptarëve dhe dhjetra analistë që bombardojnë me propaganë nga të gjitha banaqet televizive.
Duhet vazhduar të blihen zgjedhjet me para në dorë e me premtime të paligjshme për punësim. Për këtë i duhen vetëm kandidatë të guximshëm që të mund të zëvendësojë ‘’dëshmorët’’ që bien në SPAK.
Dhe SPAK-u, ashtu si policia gjermane, vazhdon të luftojë me mullinjtë e erës. Sepse sado ‘’dëshmorë’’ të bien, aferat vazhdojnë për sa kohë nuk goditet dot burimi.
Sigurisht që një ditë do të ketë divorc mes korrupsionit dhe Edi Ramës. Asgjë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Por ky divorc do të jetë fatal për kryeministrin.