Venezuelasit përleshen me policinë pas rezultatit të kontestuar të zgjedhjeve, Maduro i akuzon si puçistë

Forcat e sigurisë në Venezuelë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër protestuesve, të cilët kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura të dielën.

Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugët e Karakasit, dhe janë nisur drejt pallatit presidencial. Turmat janë dëgjuar duke bërtitur “Liri, liri!” dhe kanë bërë thirrje për rënie të Qeverisë. Protestat në kryeqytetin e Venezuelës kanë shpërthyer pasi presidenti aktual, Nicolas Maduro, ka shpallur fitoren.

Opozita e konsideron deklarimin e Maduros si mashtrim, dhe beson se kandidati opozitar, Edmundo Gonzalez, ka fituar mbi 73 për qind të votave.

Edhe sondazhet publike, që janë mbajtur para zgjedhjeve, e kanë nxjerrë fitues kandidatin e opozitës. Partitë opozitare janë bashkuar këtë herë, në tentim e sipër për të larguar Maduron nga pushteti, i cili është në krye të vendit që 11 vjet. Banorët e Venezuelës, gjithashtu, ankohen edhe për krizën ekonomike në vend.

Disa vende të Perëndimit dhe të Amerikës Latine, sikurse edhe Kombet e Bashkuara, u kanë bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që t’i publikojnë të dhënat e detajuara të votimeve.

Argjentina është njëra prej shteteve që ka refuzuar të njohë fitoren e Maduros në zgjedhje dhe si përgjigje, Venezuela i ka tërhequr diplomatët prej Buenos Airesit.

Diplomatë në gjashtë shtete tjera të Amerikës Latine – Kilit, Kosta Rikës, Panamasë, Perusë, Republikës Dominikina edhe Uruguajt – janë tërhequr, po ashtu, për shkak të atyre që ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, i ka përshkruar si “deklarata dhe veprime ndërhyrëse”.

Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht fluturimet komerciale me Panamanë dhe Republikën Dominikane.

Maduro e ka akuzuar opozitën se po bën thirrje për puç.

“Kjo nuk është hera e parë që po përballemi dhe atë që po shohim tani”, ka thënë ai.

“Ata po tentojnë të kryejnë puç në Venezuelë, të karakterit fashist dhe kundër-revolucionar”.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë thënë se rezultatet e publikuara nuk përkojnë me vullnetin e popullatës. Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) ka thënë të hënën vonë se do të organizojë një mbledhje të mërkurën, për t’i diskutuar rezultatet e zgjedhjeve në Venezuelë./REL

Artikulli paraprakKursen më shumë energji, ja sa gradë duhet ta mbajnë kondicionerin gjatë ditës dhe natës
Artikulli tjetërNë këmbim të parave tentoi të mbyllte një çështje penale, AMP ekzekuton masën e sigurisë për ish-oficerin e policisë gjyqësore