Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për votimin e sotëm në parlament për ndryshimet në qeveri, të cilat i cilëson makiazh të një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Basha ironizon po ashtu deputetët e Sali Berishës, të cilët protestuan gjatë seancës së sotme, por vetëm pak ditë më parë bashkuan votat me Ramën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Sipas tij, këto janë shfaqje të dala boje, pasi teatri i sotëm ishte ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha për amnistinë dhe mbylljen e listave.
Postimi i Lulzim Bashës:
Edi Rama formalizoi sot makiazhin e fundit të qeverisë së mbytur nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin.
Njësoj si pas çdo makiazhi, më shumë është zhytur në korrupsion e më shumë i ka varfëruar shqiptarët, sepse nona e korrupsionit është Edi Rama, që qëndron në krye të saj.
Nga ana tjetër, teatër-opzita dha shfaqjen e radhës, bajate dhe hipokrite, për të hequr shijen e pazarit të ndyrë kur vetëm 4 ditë më parë bashkoi votat me Edi Ramën për të shkatërruar Reformën Zgjedhore dhe mbyllur listat.
E njëjta teatër-opozitë që sot bërtiste kundër korrupsionit, bashkoi votat me Edi Ramen për të liruar të korruptuarit e tij.
Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha.
Sepse pa votat e Berishës, Rama nuk amnistonte dot të korruptuarit e tij.
Pa vota e Berishës, Rama nuk i mbyllte dot listat.
Batakçinjtë që liruan të korruptuarit e Ramës dhe mbyllën listat për veten e tyre mund të kujtojnë se shqiptarëve ju shesin sapunin për djathë, por jo, shqiptarët që e neverisin përditë e më shumë qeverinë më të korruptuar në Europë dhe teatër-opozitën si fasada e shëmtuar e saj.
Shfaqjeve që ditën bëjnë sikur zihen e natën mbyllin pazaret u ka dalë boja.
Shqipëria meriton më shumë!