Çelsi vazhdon të marshojë në kampionatin anglez të futbollit me sigurinë, se do të jetë i pari në renditje për Krishtlindje sido që të shkojnë gjërat në derbin mes Liverpulit dhe Evertonit. Një ndryshim radikal në krahasim me kampionatin e kaluar, ku shihet dora e teknikut Antionio Konte që i ka kthyer në një makineri të mirëfilltë që për momentin ka realizuar 11 fitore radhazi dhe nuk duket se do të ndalet. Më poshtë, disa nga arsyet pse londinezët e meritojnë plotësisht vendin e parë.
Në serinë prej 11 ndeshjesh, Çelsi ka shënuar 25 gola e pësuar vetëm 2, ato në ndeshjet ndaj Totenhemit e Mançester Sitit, ku arriti të përmbyste rezultatin për të fituar ndeshjet. Antonio Konte bën diferencën. Në fillim u ankua se nuk po përshtatej dot me jetën në Angli, por Antonio Konte ka fituar 14 nga 17 ndeshjet e tij të para në Premier Ligë, si askush tjetër para tij.
Sipas faqeve të statistikave, Çelsi kryen 13,8 driblime për ndeshje, duke dominuar kampionatin edhe në këtë aspekt. Liverpuli, një rival për titullin kryen vetëm 11,6 për ndeshje, ndërsa shifra e Mançester Junajtid është edhe më e ulët, 10.
Aktualisht flitet për një skuadër që ka pësuar vetëm 2 gola në 11 ndeshje, ndërsa një vit më parë, në të njëjtën pikë të sezonit, skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo kishte pësuar 27 gola dhe kishte mbrojtjen e 14-të në kampionatin anglez.
Shumë diferencë me ndjekësit
Po të merret parasysh vetëm periudha e serisë së fitoreve të Çelsit, duket qartësisht se londinezët kanë një ecuri mbresëlënëse në krahasim me të tjerët. Blutë kanë regjistruar 33 pikë, plot 12 më shumë se Liverpuli e Arsenali, të cilat janë skuadrat që ndajnë vendin e dytë në këtë klasifikim të pjesshëm, me 21 pikët e tyre.
Tibo Kurtua, por sidomos prapavija kanë qenë të pakalueshëm dhe në këtë seri pozitive, porta ka mbetur e paprekur në 9 ndeshje. Ndërkohë, skuadra e cila mban vendin e dytë në kampionat për ndeshje pa gola të pësuar, në të 17 ndeshjet, është Sauthempton me 7 të tilla.
Diego Kosta, kthehet “bisha”
Pas sezonit zhgënjyes 2015-2016, shumëkush e shihte Diego Kostën të largohej nga Çelsi. Por nëse londinezët marshojnë të pandalshëm, është edhe meritë e tij. Sulmuesi spanjoll ka shënuar 8 gola në këto 11 ndeshje, ndërsa në të gjithë sezonin ka çuar në 13 shifrën e rrjetave të tundura.
Nëse Kurtua është portieri që ka pasur më pak gjuajtje në kuadrat gjatë kësaj periudhe, 26 të tilla, edhe në fazën ofensive Çelsi renditet shumë mirë. Gjatë serisë së 11 ndeshjeve të fundit, i kalon vetëm Totenhemi me 76 tentativa drejt portës, ndërsa blutë janë të dytët me 63 të tilla.