Policia ka arrestuar 5 prej tyre, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre vrasësi me pagesë Tori Xhecuka alias Hektor Xheçuka, si edhe Fredi Keta.
Ndërkohë masa e sigurisë “arrest me burg” është ekzekutuar për dy shtetasit Aleksander Osmani dhe Artan Pirraci.
Ndërsa ish-presidenti i klubit të Kamzës, Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola janë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 7 personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie.
Ndaj tyre janë ngritur akuzat për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “The debt”.
Ekzekutohet masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, për 2 shtetas, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 3 të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacioni policor të koduar “The debt”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: A. O., 37 vjeç, A. P., 50 vjeç, banues në Tiranë.
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: N. Q., 52 vjeç, S. K., 42 vjeç dhe A. M., 46 vjeç.
Punohet për kapjen e shtetasit T. Xh., alias H. Xh., 36 vjeç, dhe F. K., 49 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari, dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, parashikuar nga nenet 109/b dhe 110/2 të Kodit Penal.