Ashtu siç pritej Fatmir Xhafaj nxitoi të mblidhte komisionin e reformës për reformën në drejtësi e të ndryshojë ç’të mundet për të finalizuar planin që ka nisur që prej janarit të vitit 2024. Atë të vënies së SPAK nën kontrollin e mazhorancës.
Në një njoftim që ka kaluar pa shumë vëmendje dhe është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit Fatmir Xhafaj shfaqet në krah të deputetëve socialistë dhe disa ekspertëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë thuajse të panjohur. Por dhe në qofshin ekselentë në ekspertizën e tyre, vështirë të besohet se 60 ekspertët e përzgjedhur nga Xhafaj me një procedurë që nuk është publike, për një muaj do skanojnë, analizojnë, do japin komente dhe rekomandime për 3 nga temat më të rëndësishme që prekin të gjithë institucionet e pavarura dhe ekzekutivin. Sipas njoftimit për shtyp të komisionit Xhafaj, ku ftesat dhe organizimi janë në emrin e tij personal, rezulatet e punës së ekspertëve shqiptarë të mbledhur sot do të asistohet nga të tjerë ekspertë ndërkombëtarë për të cilët nuk dihet as kush janë dhe as si do të asistojnë.
Çdo detaj i mbledhjes së sotme, por dhe asaj që i ka paraprirë takimit është tërësisht jo transparente. Sikundër më e ngatërruar bëhet çështja kur lexon njoftimin zyrtar që paralajmëron se puna e këtij komisioni do të përfundojë brenda muajit gusht, ku shumica e ekspertëve apo institucioneve përkatëse janë zyrtarisht me pushime.
Që zoti Xhafaj i ka gati rekomandimet për ndryshimet në reformë kjo është pak por e sigurt. Sikundër mundimi i 60 ekspertëve për të kaluar ditët e nxehta të gushtit në zyrat e kuvendit duket se do të jetë në rastin më të mirë i panevojshëm dhe në rastin më të keq i keqpërdorur.
Se ç’nxitim ka që të përgatiten ndryshimet e reformës në pikun e gushtit këtë mund ta shpjegojë vetëm nevoja urgjente për të vënë nën kontroll ata që i kanë prishur qetësinë e gjumit shefit dhe miqve të herësit të thyer të zotit Xhafaj.
Paralajmërimi për ndryshimet e mundshme në kodin penal, ndryshimet në nenin për “shpërdorimin e detyrës” apo gjetja e artificave për të vënë SPAK nën kontroll nuk janë më të padukshme për syrin e publikut. Sikundër gjetja e gjuhës së përbashkët me opozitën parlamentare për amnistinë dhe kodin zgjedhor mund ti shtrijë tentakulat dhe tek drafti i ri i reformës. Që qartas Fatmir Xhafaj e ka gati prej muajsh në sirtar dhe që Edi Rama duket i gatshëm ta miratojë duke i bërë PD-së së Berishës “lëshimet” e radhës për pazarin e ri./vna.al