Katër raporte në 24 orë, shuplakë për Ramën!

Jozefina TOPALLI

Kësaj radhe nuk jam unë, është Departamenti i Shtetit, i cili thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria; është Banka Botërore, që thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria; është Doing Business, që thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria; është Freedom House, që thotë të kundërt e asaj që thotë qeveria, por janë një sërë raportesh të tjera: është rezoluta e Parlamentit Europian, që thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria. Në të gjithë këtë histori të vendit tonë ka një refren: korrupsioni.
“Korrupsioni ka kapur të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri”, thotë Departamenti i Shtetit. Brenda 24 orëve kanë dalë katër raporte, më të zezat për vendin tonë, realiste, duke shprehur atë që ne e ndiejmë çdo ditë; që e prekim çdo ditë; që çdo ministër e di dhe nuk e thotë, por thotë të kundërtën; që çdo deputet këtu në Parlament e sheh dhe e di më mirë se kushdo tjetër, por thotë të kundërtën, për të ruajtur vendin e deputetit, të ministrit, të interesave, të parave që kanë marrë, marrin apo shpresojnë t’i marrin.
Dje, takova disa të njohur në Shkodër. Njëri prej tyre më tha: “Në fshatin tim nuk ka më të rinj, as të reja, nuk dëgjoj më as të qarat e fëmijëve të vegjël. Ata kanë ikur. Në fshatin tim ka vetëm ndonjë shtëpi, ku jetojnë një plak apo një plakë, ose të dy të braktisur aty, sepse të gjithë kanë ikur”. Në një vit nga atdheu ynë, që quhet Shqipëri kanë ikur 100 mijë shqiptarë. Çfarë po ndodh? Të bijtë e tyre paguajnë motrën, e cila nuk ka asnjë të punësuar në shtëpi, që të mbajë nënën dhe babanë. A e kuptoni se ku kemi arritur?
Në qytetin tim, si në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, varfëria ka arritur aty ku nuk mban më. Si mund të thotë qeveria, se varfëria është zvogëluar?
Raporti i Bankës Botërore, jo i Jozefina Topallit dhe as i opozitës, thotë: “46,2% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë”. Bëjeni pak llogarinë: 5 dollarë shumëzojeni për 30 ditë, bëjnë 150 dollarë. Sa i takon një familjeje? 600 dollarë!
Më thoni ju: si ta paguajnë ata energjinë elektrike? Si t’i paguajnë librat e fëmijëve në shkolla? Si ta paguajnë qiranë e shtëpive? Me çfarë do ta paguajnë ata shtrenjtësinë e jetesës së tyre, të autobusit, të kuponit? Me çfarë? A e dini se sa ka qenë përqindja në vitet e mëparshme? Mesatarja ka qenë 20%, tani ka shkuar 46,2%, dhe në vitin më të mirë të qeverisjes së Partisë Demokratike ka qenë 12%. Varfëria është trefishuar dhe katërfishuar.
Po mjerimi, po varfëria ekstreme sa është? Jo sipas meje, jo sipas opozitës, por sipas raporteve të Bankës Botërore dhe raporteve të Departamentit të Shtetit, është 5%, ka qenë 1,2%.
Mjerimi ka shkuar aty ku nuk mban më. Po jua them shumë miqësisht: situata ekonomike në vendin tonë është e frikshme, është katastrofike. Hidheni në kosh të plehrave këtë që unë po ju them, por shkoni dhe shikojini, takojini, dëgjojini. Kujt po i thotë qeveria se është rritur punësimi? Ku është rritur punësimi, ku? Në cilin sektor? Në ndërtim? Në shërbime? Në bujqësi? Është katastrofë!
Papunësia është rritur në mënyrë progresive, prandaj njerëzit ikin, prandaj janë 100 mijë shqiptarë që e kanë lënë këtë vend.
Nuk po flas për demografinë e vendit tonë, ku absolutisht lindshmëritë kanë rënë. Shqiptarët ikën, vetëm 2,8 milionë kemi mbetur këtu. Statistikat thonë se pas pak vitesh mbi 1/3-ta e shqiptarëve do të jenë mbi 65 vjeç dhe nuk do të ketë më punonjës të rinj, forcë pune për të pagur pensionet e tyre. Po pse ndodh kjo? Sepse ka një arsye themelore: është korrupsioni. Ka një arsye që renditet e para në listë në të gjitha raportet, të cilët brenda 24 orëve janë hedhur si shuplakë mbi qeverinë aktuale: është korrupsioni, është babëzia.
Raporti i Kontrolli të Shtetit thotë se janë 1 miliard dollarë dëme, të cilat fillojnë nga OSHEE-ja, që me sjelljen kriminale të saj ka bërë që të varin veten njerëz, të ikin njerëz, të ndihen të pashpresë, të ndihen pa perspektivë në këtë vend.
Ndërkohë, çfarë ndodh në anën tjetër? Në anën tjetër kemi modelin e Koços dhe ato të Koçove: “150 tendera do t’i marr unë. Do të marr edhe koncesionet”.
Ka vetëm një arsye të kësaj varfërie dhe të këtij depresioni që ekziston në shoqërinë shqiptare, që e ka emrin korrupsion. Ka një kulturë mjerane në shoqërinë tonë, sepse ata mendojnë se po erdhe në pushtet, pushteti është për t’u shfrytëzuar për të pasuruar veten. Ky është fundi i shoqërisë sonë! Ky është fundi politikës shqiptare dhe kërkon një dënim! Por, për fat të keq, as unë nuk besoj se nëse një ligj nuk i zbatohet, zgjidhja është ndryshimi i këtij ligji, nuk mund ta besoj. Këto ligje që kemi bërë janë ligje të mira, por ne nuk kemi kulturën demokratike, ne nuk kemi ndëshkimin për t’i dënuar ata, të cilët mendojnë se karrigia e ministrit dhe e deputetit u jep mundësinë që motra, vëllai, djali, kunati, kushëriri, nipi, shoku, komshia të pasurohet, kurse të tjerët të vdesin aty ose të ikin në Gjermani.
Ne jemi një komb në hall të madh, një komb si asnjë tjetër në Europë, ndërkohë ky lideri global del në medie, për turpin e tij dhe tonin, dhe tregon se çfarë zgjidhje duhet të bëjë Amerika, kurse ne jemi groposur në krim.
Kanë kaluar dy vjet dhe jemi në vitin e tretë, zoti ministër, ndaj nuk keni më kohë të gjeni justifikime. Që ditën e parë të këtij Parlamenti, bashkë me kolegët e mi, keni folur për krimin në Parlament. Po ligji i dekriminalizimit pse nuk zbatohet? Ne i kemi këtu në Parlament, ne i kemi në krye të bashkive, ndërsa ai tregon se çfarë duhet të ndodhë midis kandidatëve amerikanë. Ne kemi mendimet tona, dhe, natyrisht, nuk biem dakord me disa deklarata, por kush jemi ne që t’u tregojmë amerikanëve se çfarë duhet të bëjnë? Është Kryeministri i Shqipërisë ai, të cilit, me të drejtë, gazetari i CNN-it i thotë: “Ti je duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër”, ndërkohë që vendi i tij është i krimbur në krim, në mjerim, në varfëri, në mafie dhe në korrupsion.
Të dashur kolegë, lexojini këto raporte! Nuk janë të opozitës, janë të Departamentit të Shtetit.
Lexoni raportin e Kontrollit të Shtetit! Nuk është i opozitës, por i institucioneve të pavarura. Janë 1 miliard dollarë dëme. A e kuptoni se çfarë do të thotë? Ky vend po shkon drejt fundit. Sindromi i krizës helenike është afruar, është këtu pranë derës dhe ka vetëm një zgjidhje, jua kam thënë edhe më parë, por po jua them edhe sot: nuk zgjidhet duke ndryshuar nenet e ligjeve, por zgjidhet duke u ngritur për ta përmbysur këtë qeveri; nuk zgjidhet duke ndryshuar ligjet, se ligjet janë të mira, por zgjidhet duke qenë të pastër, me integritet, me kurajë, si dhe duke i dalë përballë atij dhe për t’i thënë: “Ik, se ky vend është tepër i vogël, tepër i vuajtur për të vuajtur akoma më shumë”.
Dua të them se nuk është përsëri opozita, por Doing Business, i cili flet për një rënie jo me 1, jo me 5, por me 35 vende në klasifikimin për lehtësi ndaj biznesit. Pra, është një rrokullisje, gjë që bizneset e dinë më mirë se ne këtu në Parlament.
Jo më larg se dje, Dhoma Gjermane thotë: “Nuk ia vlen të investosh në Shqipëri. Është vendi i fundit në rajon”. Bizneset gjermane e shikojnë Shqipërinë si vendin e fundit ku do të investonin përsëri, sepse, sipas kompanive gjermane, pengesë janë: informaliteti, korrupsioni, mungesa e transparencës në tendera, mungesa e sigurisë ligjore, mungesa e paparashikueshmërisë së politikave ekonomike dhe administratës publike etj., etj. Dhe sikur të mos mjaftonin këto bashkë me 4 raportet të Departamentit të Shtetit, të Bankës Botërore, të Freedom House, të Lirisë së Medieve, Dhoma Amerikane thotë: “Kompanitë serioze miliardere amerikane po ikin nga Shqipëria”. Ky është një alarm dhe arsyeja është korrupsioni. Korrupsioni ka sjellë krimin këtu në Parlament dhe ka vetëm një arsye, sepse ka bashkëpunim të krimit në politikë, të krimit në media, të krimit në biznese etj.
Çfarë duhet bërë? Sigurisht, asgjë nuk bëhet me fjalë. Unë jam e bindur dhe mendoj një mijë herë se çfarë thonë ata qytetarë kur na dëgjojnë ne duke folur këtu në Parlament. Ju mendoni se ata e kanë mendjen nëse ne do të ndryshojmë ose jo ligjin për komisionet hetimore? Jo, as nuk u shkon ndër mend, sepse ata nuk kanë bukë për t’u dhënë fëmijëve të tyre. Ju mendoni se ata e kanë mendjen te ndryshimet që do të bëjmë në ligje apo në Kushtetutë? Jo, ata mendojnë si të mbijetojnë.
Në vitet 2014, 2015, 2016 të mendosh si do të mbijetosh kur varfëria kërcen në mënyrë progresive, është fatale. Është fatale, së pari, për ju si mazhorancë dhe në këtë aspekt ju keni humbur legjitimitetin. Nuk ka 1 milion vota. Mund t’i kesh 1 milion vota, mund t’i kesh marrë ato, por kur varfëria rritet, kur krimi rritet, kur korrupsioni rritet, kjo qeveri ka humbur legjitimitetin.
Në të njëjtën kohë, kjo është një thirrje për opozitën që të ngrihet, sepse ky vend nuk ka më kohë për të humbur; të ngrihet, sepse ky vend nuk ka më shqiptarë për të humbur.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërRevolta qytetare për prishjet masive të banesave në Vlorë