Unë s’kam dalë për të lypur

Nga Xhensil Shkëmbi

Babë e bir, shitës të lajthive dhe dinjitetit!

Teksa ngjitja Qafë Plloçën, në anë të rrugës, duke rrezikuar të përplaseshin, babë e bir kishin nxjerrë qese me lajthi, si për t’i reklamuar me dy fytyra të skuqura nga dielli e temperaturat e larta.

Hap krahun, vjen me vrap djali i vogël, sikur po shkonte të ngrinte një trofe.

-Kemi lajthi të mira, të buta kemi dhe arra. Çfarë do?

-Lajthi dua. Sa kushtojne?

-1 mijë e 5 qind.

-Mirë, ma jep.

I jap një 2 mijë lekshe, duke tentuar të largohem, i fut marshin makinës.

-Jo jo, prit të të jap 5 qind lekëshin.

-S’ka gjë mo, mbaje për vete.

-Nuk pranoj lek pa shitur mall unë.

-Po pse kështu?

-Më ka mësuar babi që mos gënjej, që nuk kemi dalë për të lypur por të punojmë.

I ati nuk afrohej, por shihte me kërshëri nga larg.

I jap një 2 mijë lekshe tjetër, marr një tjetër qese dhe iki, edhe pse po më ndiqte për të më kthyer kusurin.

Çfarë bleva? Lajthi dhe dinjitet. Këtë shisnin babë e bir…

Artikulli paraprakRama-Berisha, në “luftë” për pronat, por konsensus për kapjen e institucioneve
Artikulli tjetërAutostrada Thumanë-Kashar/ Banorët e Krujës dhe Fushë Krujës sërish në protestë, përplasen me efektivët! Policia hedh gaz lotsjellës