Nga Kapitali.al
Një ditë pas marrjes së detyrës si ministër i Financave, Petrit Malaj ka shkaktuar tërmet në ministri. Kapitali ka mësuar se zoti Malaj ka shkarkuar nga detyra, drejtorin historik të Politikave Fiskale, Nikolla Lera.
Një nga ekspertët më të njohur të taksave dhe me një përvojë shumëvjeçare në krye të departamentit të Politikave Fiskale, zoti Lera është njoftuar beftas për largimin e tij nga detyra. Por Nikolla Lera nuk ishte i vetmi. Emri tjetër i rëndësishëm që është larguar nga detyra e ministrisë së Financave është sekretarja e përgjithshme Risena Xhaja.
Edhe zonja Xhaja është njoftuar në mënyrë të papritur për shkarkimin e saj nga posti i sekretares së përgjithshme të cilin ajo e ka mbajtur që nga marsi i vitit 2023.
Nje tjetër punonjëse që nuk i ka shpëtuar dot furtunës së ministrit të ri është dhe një nga sanitaret e ministrisë së Financave, e cila shërben në katin e ministrit prej shumë vitesh. Sanitarja që ka përcjellë shumë ministra financash nuk arriti të përballonte dot ministrin e ri, Petrit Malaj. Ky i fundit ka vendosur ta lëvizë atë nga kati i tij për ta zëvendësuar me një pastruese më të besuar.
Priten të tjera largime
Një burim i tha Kapitalit se vala e largimeve mund të prekë dhe figura të tjera rëndësishme në ministrinë e Financave. Një nga emrat më të përfolur për t’u arguar është ai i zëvëndësministres së Financave, Adela Xhemali.
Zonja Xhemali e mban këtë post që nga shkurti i vitit 2020, në kohën që ministre e Financave ishte Anila Denaj. Por me sa duket eksperienca e saj në ministrinë e Financave mund të shkojë drejt fundit.
Fillimisht u përfol se një tjetër emër që mund të largohej ishte ai i drejtoreshës historike të Thesarit të Shtetit, Mimoza Dhembi. Zonja Dhembi është një nga punonjëset më të njohura të shtetit me një karrierë të gjatë në ministrinë e Financave, që nga vitet 90. Por deri më tani nuk ka asnjë akt zyrtar për largimin e saj dhe zonja Dhembi vazhdon të qëndrojë në detyrë. Megjithatë pozicioni i saj është ende e paqartë. Zonja Dhembi është një figurat kyçe në përplasjen shumëvjeçare tashmë mes ministrisë së Financave dhe asaj të Infrastrukturës për projektet e investimeve, që kanë ngrënë kokën e disa ministrave të Financave.
Ndërkohë një tjetër emër që përflitet se është në pozita është ai i drejtorit juridik në ministrinë e Financave, Sajmir Muçmata. Nuk dihet nëse zoti Malaj do të largojë edhe zotin Muçmataj, por është e sigurtë se aty nuk do të ketë të lehtë për shkak të disa balancave të tjera jashtë ministrisë.
Kjo është hera e parë në histori që ministria e Financave përballet me një tërmet kaq të madh në ndryshimet e stafit. Shumë punonjës i thanë Kapitalit off record se lëvizjet kanë ardhur të papritura për të gjithë.