Një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, ku ka humbur jetën një grua. Sipas burimeve nga policia, aksidenti ndodhi rreth orës 17:30 përballë një qendre tregtare ku një automjet tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 26-vjeçari me iniciale A.F., ka aksidentuar shtetasen, N. L., 45 vjeçe, e cila është dërguar në Spital për ndihmë mjekësore.
Por, rreth orës 20:40, kjo shtetase ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Shërbimet e Policisë për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, një tjetër aksident me pasojë plagosjen e 4 personave ka ndodhur po ditën e djeshme në autostradën Vlorë-Levan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 tek mbikalimi i Panajasë, kur një kamion “Autobot” me targë AA 882 HU, është përplasur me një automjet tjetër tip “Opel” me targë AA 090 HI.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur 3 shtetase, të cilat udhëtonin me mjetin tip “Opel” si dhe drejtuesi i kamionit R.G., 26 vjeç, i cili ka marrë plagë në këmbë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Rajonal për ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.