Në prill të vitit 2015, KLSH në raportin drejtuar Kuvendit konstatonte se abuzimet në Dogana dhe Tatime ishin rritur rreth 14 herë më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas këtij raporti 123 milionë euro ishte shuma e abuzimit nga këta sektorë, ose rreth 13 për qind të totalit prej 1 miliard euro të dëmit që iu shkaktua shtetit për vitin që shkoi nga qeverisja e rilindjes. Mbetet për t’u parë këtë vit sa do të jetë dëmi total, por trendi i shifrave është në rritje.
“Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e Tatimeve dhe Doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013. Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e Tatimeve dhe Doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014. Gjithashtu, rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin e energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje, treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar.