“Nuk vdiq nga ataku kardiak”, gazetari bën deklaratën e fortë: Policia po fsheh vrasjen e pushuesit nga JetSki në Ksamil

Gazetari i njohur Flamur Vezaj ka bërë një denoncim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar Policinë e Shtetit për fshehjen e një vrasjeje të ndodhur në Ksamil.

Në një postim të gjatë, Vezaj ngriti shqetësime serioze lidhur me ngjarjen e sotme, ku një pushues nga Tirana, 38-vjeçari F.K., humbi jetën në Gjirin e Barxhos. Ndërsa policia raportoi se viktima vdiq si pasojë e një ataku kardiak gjatë notimit, gazetari pretendon se e vërteta është shumë më ndryshe.

Vezaj shkruan se F.K. u godit për vdekje nga një “JetSki” i drejtuar nga shtetasi I. Doda, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Falë dëshmitarëve okularë, policia u vu nën presion dhe arrestoi Dodën, por nuk pranoi të korrigjojë njoftimin fillestar ku përmendej ataku kardiak.

Në postimin e tij, Vezaj kritikon praktikat e policisë për shpërndarjen e informacionit të rremë dhe fshehjen e të vërtetës, duke bërë paralelizma me raste të mëparshme ku figura të larta brenda strukturave të policisë kanë bërë të njëjtën gjë.

“Kush duhet të mbajë përgjegjësi për mashtrimin, fshehjen e të vërtetës dhe ngjarjen që ndodhi? Përsëri do të harrohet pas tre ditësh, pasi gjykata e reformës së re me ndërmjetësimin e ‘miqve’ në pushtet të autorit do t’i lehtësojë akuzën duke ia faturuar fajin viktimës, si gjithmonë!” shkroi Vezaj në postimin e tij, duke ngjallur reagime të shumta nga ndjekësit dhe opinioni publik.

Sakaq, policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për të adresuar këto akuza.

Artikulli paraprakTë përkrahësh fashistë apo shovinistë në zgjedhje, është e neveritshme dhe e urryer
Artikulli tjetërTë gjithë sytë mbi Himarën. Përse Rama e do me çdo kusht bashkinë? Pronat apo marrdhëniet me Greqinë