Reforma e pagave për punonjësit e pushtetit lokal pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Kjo reformë i ka të dyja anët e medaljes. Rritja e nevojshme nga njëra edhe pse përfituesit do të jenë të gjithë buxhetorët të cilët do të përfitojnë nga rritja e taksave për kategoritë e tjera. Ana tjetër është pikërisht fakti se fatura do të shkojë për pjesën tjetër të shoqërisë e cila do të paguajë për shërbimet e punonjësve të institucioneve, të dhënat e të cilave tregojnë për shërbim të dobët, keqmanaxhim dhe nivel të lartë korrupsioni.
Ndërsa një element i kësaj reforme përveç rritjes së pagave në të gjitha bashkitë, është edhe unifikimi i mënyrës së llogaritjes së tyre. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri të ditur se “bashkitë e vogla janë ato që do të përfitojnë më shumë prej rritjes së pagave”. Paradoksalisht disa prej tyre janë edhe bashki të cilat nëse qeveria nuk do të jepte fonde nga buxheti i shtetit ose nga taksat e qytetarëve ato do të kishin shpallur me kohë falimentin.
Reforma e rritjes së pagave për pushtetin vendor do të prekë të gjitha bashkitë, por më së shumti do të përfitojnë bashkitë e vogla e të mesme, ku paga minimale premton të shkojë në 70 mijë lekë.
Reforma për pushtetin vendor, sipas Maznikut, lindi si një nevojë për shkak të mungesës së punonjësve në disa bashki të vendit, duke sjellë mangësi në kryerjen e shërbimeve thelbësore.
Por më tepër sesa unifikimi i pagave braktisja e bashkive të vogla besohet gjerësisht se lidhet me pabarazitë e krijuara, mungesë vizioni, transparence, braktisje të qytetarit nga zyrtari që duhet përgjigjet për të. Dhe këtë e vërteton braktisja e zonave rurale edhe nga fermerët.
Ndërkohë që shumë bashki po përballen aktualisht me falimentin e mundshëm, a ka ndonjë strategji për të dalë nga kjo situatë?
Së paku 10 bashki në vendin tonë ishin të “falimentuara” në vitin 2023, pasi kishin borxhe të prapambetura më të larta se të ardhurat e veta. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të paktwn 10 bashki kanë një raport mjaft të lartë, mbi 100% të stokut të detyrimeve të vitit 2023 ndaj të ardhurave që sigurojnw. Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit dhjetor 2023 sipas tw dhwnave nga Ministria e Financave është rreth 4.8 miliard lekë.
Ato ishin pikërisht basshkitë që pritet të kenë rritjen më të lartë të pagave: Klosi (339%), Memaliaj (270%), Dibra (156%), Malësia e Madhe (139%); Puka, Peqini, Dimali, Cërriku (120%); Kavaja dhe Tropoja (110%).
Stokun më të lartë të detyrimeve e ka bashkia Kavajë në vlerën rreth 794 milion lekë, e cila përbën 16.7% të totalit të detyrimeve. Më pas, bashkia Tiranë në vlerën rreth 788 milion lekë, e cila përbën 16.6% të totalit të detyrimeve.
Në vitin 2023 është rritur pesha e stokut e lidhur me investimet e pashlyera, si dhe aktivitete të tjera, që janë të lidhura drejtpërdrejt me disiplinën fiskale në nivel vendor. Ndërsa sa u përket qarqeve, stoku i detyrimit të tyre përbëhet kryesisht nga vendime gjyqësore, të cilat zënë 95.9% të totalit të detyrimit të qarqeve.
Ministria e Financave vlerëson se detyrimet e prapambetura vazhdojnë të jenë problem edhe për vitin 2023. Vitin e kaluar Ministria e Financave ka përgatitur dhe publikuar raportin e gjendjes financiare për të 61 bashkitë për vitin 2022, ku ka rezultuar se 49 bashki dhe 9 qarqe janë pa probleme financiare, 8 bashki dhe 1 qark kanë probleme financiare dhe 4 bashki 2 qarqe janë me vështirësi financiare.