“Po notojnë në hale”, polemika të forta për garat në Senë gjatë Lojërave Olimpike. Ekipet tërheqin notarët

Ujërat e ndotura të Senës në Paris vazhdojnë të krijojnë kaos dhe polemika në Lojërat Olimpike. Lëvizja e fundit vjen nga Belgjika, e cila vendosi të tërhiqte ekipin në shenjë proteste nga stafeta e triatlonit miks, që u zhvillua dje. Vendimi u mor për shkak se u sëmur atletja Claire Michel, e cila mori pjesë pak ditë më parë në garat individuale, por shfaqi probleme shëndetësore pas zhytjes në lumë.

 

SITUATA – Michel mori pjesë në garën e triatlonit për femra të mërkurën e kaluar, duke u renditur në vendin e 38-të. Por sportistja 35-vjeçare belge tani është e sëmurë dhe është detyruar të tërhiqet nga stafeta e përzier. Mediat belge bëjnë të ditur se Michel ka pësuar një infeksion “Escherichia coli”. Ky është bakteri që vazhdon të pushtojë ujërat e Senës, sidomos pas reshjeve të fundit. Gjatë ditëve të fundit madje ishin përhapur zëra për shtrimin e atletes në spital, por kjo u mohua nga Komiteti Olimpik Belg. Tërheqja e Belgjikës nga gara mikse u shoqërua edhe me një mesazh të fortë:

“Shpresojmë që leksioni të mësohet në kuadër të garave të ardhshme të triatlonit në Olimpiadë. Është një cirk, dhe në këtë atletët janë kukulla”, deklaroi Marten Van Riel, triatlet i Belgjikës. Nga ana tjetër organizatorët parizianë të Lojërave u shfajësuan: “Është Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që vendos nëse mund të garohet në Senë apo jo”.

Ndërkohë, probleme gastroenteriti për shkak të infektimit me “Escherichia coli” kanë shfaqur edhe dy atletët zviceranë, Adrien Brifford e Simon Westermann, të cilët garuan gjatë javës së kaluar. Por ndryshe nga Belgjika, Zvicra nuk e tërhoqi skuadrën. Për këtë çështje nuk kanë munguar as komentet e ashpra nga politika. Ministri italian i transportit, Mateo Salvini, nuk u kurseu në akuza:

 

 

“Të përfundosh në spital sepse noton në një hale është mungesë respekti ndaj sportistëve, të cilët kanë sakrifikuar për muaj me radhë për këtë garë”, u shpreh Salvini. Megjithatë, pavarësisht cilësisë së dyshimtë të ujit, garat në Senë do të vazhdojnë. Më 8 gusht do të zhvillohet disiplina 10 km për femra, ndërsa më 9 gusht, gara 10 km për meshkuj.

Artikulli paraprakKonfirmohet një pacient me ‘Ethet e Nilit’ në Lushnjë, niset drejt Greqisë për kurim
Artikulli tjetërAmbasadori gjerman në Prishtinë: Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë aplikimin e saj për anëtarësim në BE