Opozita e Berishës ka frikë nga lapsi dhe letra, ndaj në marrëveshje me Ramën mbyllën listat dhe sot ankohen për Himarën

Nga Endri Tafani

Jam nisur disa herë të shkruaj për gjendjen e opozitës në Shqipëri, por tashmë të vjen dhe vështirë ta bësh. Të duket sikur po merresh me diçka aq monotone, të thëna me qindra herë dhe të mërzitshme, sa mezi ta bën dora.
Megjithatë mund të shtoj një fakt interesant.
Kanë “frikë” nga lapsi. Asnjëherë nuk ulen me laps e letër, por gjithmonë të shmangen në bisedë me sllogane.
Kapim rastin e fundit, zgjedhjet në Himarë.
Në 2023 në zgjedhje morën pjesë rreth rreth 7700 votues dhe Fredi Beleri I opozitës fitoi me vetëm 19 vota diferencë. Bukur.
Në zgjedhjet e 2024 u mor vesh që ishin regjistruar 300 votues të rinj, të transferuar nga rrethet e tjera në Himarë. Vetëm me këtë shifër kuptohej që zgjedhjet ishin të humbura, sepse kur njerëzit nuk e kishin problem të votonin Jorgo Goron e korruptuar, ta pret mendja që Vangjel Tavon, një figurë e pa përfolur për korrupsion, do e votonin përsëri. Votat e Goros në 2023 plus 300 të regjistruarit e rinj nxirrnin PS fituese me goxha diferencë.
Në këtë situatë para opozitës ishin dy detyra nëse donin të fitonin zgjedhjet.
Të mobilizonin votues të tjerë dhe të ruanin numrin e votave që mori Beleri në 2023.
E para, votuesit e tjerë mund të mobilizoheshin pasi në Himarë në 2023 kishe marrë pjesë vetëm 34% dhe plot himarjotë jetojnë jashtë Shqipërisë. Duhet të identifikoheshin ata që votues të opozitës nëpër fshatra dhe jashtë vendit që nuk kishin ardhur për të votuar në 2023 dhe të silleshin të votonin.
E dyta duhet të ruanin votat e marra nga Beleri duke identifikuar dhe rikontaktuar të gjithë.
Po kjo bëhet me laps e letër duke llogaritur stëllogaritur, kontaktuar, stërkontaktuar, konfirmuar, stërkonfirmuar, cdo person dhe votë të mundshme. Me laps e letër. Duke futur dhe një 10% shmangie, sepse për shumë arsye ka plot individë nuk janë të sinqertë në fjalën që të japin.
Shifrat tregojnë që as nuk erdhën persona të rinj të votonin opozitën dhe as nuk u ruajtën votat e 2023.
Kështu thotë matematika dhe matematika nuk është opinion.
Opozita ka frikë nga lapsi dhe letra. Ka frikë se lapsi dhe letra nuk gënjejnë, por të tregojnë saktë ku je dhe si e ke patur performancen. Ke fituar apo ke dështuar. Nëse ke fituar merr meritat, nëse ke dështuar jep dorëheqje dhe largohu. Mbaj përgjegjësi.
Por nga opozita askush nuk mban përgjegjësi. Prandaj shmangen si djalli nga temjani nga lapsi dhe letra dhe fillojnë avazin e justifikimeve.
Justifikimi i kartave të identitetit të skaduara është një mbrojtje e dobët Partive iu jepet një muaj para lista e zgjedhësve dhe aty verifikohet lehtësisht problematika e kartave e cila është gjithmonë e pranishme dhe i drejtohet kërkesa Ministrisë së Brendshme, për tua zgjatur afatin. Opozita nuk bëri asgjë për ta zgjidhur problematikën deri datën e fundit, kur “u zbulua” që kishte njerëz të tillë. E dyta punës edhe sikur të dilte moment të fundit problemi opozita duhet të mante shënim gjithë personat që ishin paraqitur me kartë identiteti të skaduar dhe nëse numri i tyre ishte më i madh se diferenca e kandidatëve të kërkonte anulimin e zgjedhjeve. Kaq e thjeshtë ishte edhe në rastin më të keq. Por nuk e bëri.
Se ka frikë nga letra dhe lapsi. Ka frikë nga mbajtja e përgjegjësisë. Ka frikë se duhet të largohen nga kolltuku pastaj. Prandaj mbyllen dhe listat paciperisht.
Nuk janë thjesht të paaftë. Janë dhe të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm .

Artikulli paraprakNgërçi Kosovë – Serbi, ekspertët amerikanë për VOA: Kurti e ka të qartë që krijimi i asociacionit do minojë sovranitetin e vendit! Vuçiç vazhdon lidhjen me Rusinë dhe Kinën
Artikulli tjetërKryeministri që i mungon Shqipërisë!