Qeveria italiane ka marrë përsipër të shpëtojë sektorin bankar, edhe me koston e rritjes së borxhit publik deri në 20 miliardë euro. Propozimi është bërë nga Kryeministri italian, Paolo Gentiloni, teksa kërkesa pritet të miratohet në Parlament. Ministri i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, nuk pranoi të japë emrat e bankave që rrezikojnë falimentin, por tha se fondet e kërkuara do të përdoren për të garantuar likuiditetin e duhur në sistemin bankar.
Qeveria italiane do të rrisë borxhin publik deri në 20 miliardë euro, me qëllim mbulimin e operacioneve për stabilizimin e sektorit bankar.
Lajmi është bërë publik nga Kryeministri Paolo Gentiloni, i cili do të kërkojë votën e ligjvënësve italianë në Parlament, kërkesë e cila pritet që të hapë edhe debat mes mazhorancës dhe opozitës.
Ministri i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, tha për gazetarët se fondet e kërkuara mund të përdoren për të garantuar likuiditetin e duhur në sistemin bankar dhe për të rritur kapitalin në huadhënësve.
Ai nuk pranoi të japë emrat e bankave që kanë nevojë për ndihmë, por qeveria pritet të ndërhyjë gjerësisht për të shpëtuar Monte dei Paschi di Siena, e cila duhet të rrisë kapitalin me 5 miliardë euro deri në fund të vitit ose ndryshe përballet me falimentim.
Padoan tha se 20 miliardë euro, e cila është më shumë se një pikë përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, do të peshojnë mbi financat e 2017.
“Paratë e këtij operacioni do të kenë një ndikim mbi borxhin, por duhet të shihet si masë e përkohshme, e cila besohet se do të ndikojë në rregullat strukturore”, tha ai pas takimit të kabinetit qeveritar.
Kryeministri Gentiloni tha se kërkesa do të dërgohet të martën, me shpresën e miratimit në Parlament sa më shpejt të jetë e mundur për të shpëtuar disa prej bankave italiane që ndodhen në krizë.