Reperi i njohur Noizy (Rigerls Rajku) dhe Dj Crax (Bahtjar Bajraktori), të cilët ishin në kërkim nga policia e Kosovës. janë arrestuar në Shëngjin.
Ata akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj personazhit të TikTok, Medi Iseni në një klub nate në Pejë mëngjesin e 2 Gushtit.
Ditën e djeshme, në një reagim të gjatë Instagram, reperi ka mohuar të jetë i përfshirë në ngjarje, ndërsa theksoi se nuk është në arrati.
Ai shkruante se i është ngritur një kurth dhe se në bashkëpunim me avokatë po merret me sqarimin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.
Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.
Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.