Financat alokojnë vetëm 19.6% të planit vjetor të investimeve kapitale në 6-mujor, niveli më i ulët në 8 vjet

Në përfundim të gjysmës së parë të këtij viti, Ministria e Financave ka çelur vetëm 19,6% të fondit të investimeve kapitale nga buxheti të programuara dhe të miratuara në Parlament për këtë vit.

Nga 135 miliardë lekë, që është fondi buxhetor në dispozicion të investimeve këtë vit, gjatë janar-qershor 2024 janë çelur nga thesari vetëm 26,5 miliardë lekë ose 19.6% e shumës në dispozicion këtë vit.

Investimet kapitale në gjysmën e parë të këtij viti ishin 14% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe gjithashtu ishin më të ulëtat në 8 vitet e fundit (që nga 2016).

Në 6-mujorin e dytë të vitit, qeveria ka në dispozicion të alokojë është 110 miliardë lekë, ose më shumë se 1 miliard euro vetëm në zërin e investimeve publike.

Burimet në Agjencinë e Prokurimeve Publike pohuan se, ky sektor po përballet me një krizë të burimeve njerëzore dhe me një frikë të skajshme për të evaduar punën në kohë. Punonjësit hezitojnë të firmosin tenderat, të cilat më vonë mund të bëhen objekt të hetimeve duke i ngarkuar ata me përgjegjësi.

Por në këtë gjithë këtë situatë po penalizohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit.

Qeveria është një operator i madh në ekonomi pasi injekton  nga buxheti rreth 744 miliardë lekë (7,2 miliardë euro buxheti 2024), ndërsa shpenzimet kapitale janë zëri më i madh në buxhet pas pagesave të pensionistëve.

Duke mos alokuar në mënyrë të harmonizuar zërin e investimeve, qeveria ka ndikuar negativisht në kursin e këmbimit. Duke hedhur më pak para sa ishte planifikuar në qarkullimin nëpërmjet investimeve është ndikuar edhe më shumë në forcimin e monedhës kombëtare përkrah farktorëve të tjerë.

Në kontrast me mosrealizimin e shpenzimeve, buxheti po “noton” në suficit. Ministria e Financave priste që suficiti buxhetor të arrinte në 21,3 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti, por të dhënat e fundit tregojnë se balanca pozitive ka arritur një vlerë prej 51,4 miliardë lekësh (500 mln euro) ose 141% më shumë se plani buxhetor.

Akumulimi i suficitit më shumë se nga rritja e të ardhurave është ndihmuar nga mosrealizimi i investimeve publike sipas planit buxhetor. E gjithë kjo situatë ka ndihmuar qeverinë që të mbajë në llogari likuide prej 500 milionë eurosh./Monitor.alShpenzimet kapitale

Burimi: Ministria e Financave
Artikulli paraprakGrupet e ekstremit të djathtë kanë paralajmëruar se do të shënjestrojnë qendrat e azilkërkuesve, Policia britanike në gatishmëri për protesta të reja anti-myslimane
Artikulli tjetërEurostat: Shqipëria dha 10 herë më pak fonde për kërkim shkencor se Serbia dhe 100 here më pak se BE