Personat që shihni në këto foto janë Marc Lappat dhe Michael Druijts, me pasaportë holandeze. Të dy janë shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që sipas SPAK drejtohet nga pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, po ashtu në arrati.
Marc Lappat dhe Michael Druijt rezultojnë administratorë të kompanisë Geogenix BV, e regjistruar në holandë që është kompania mëmë e Integratet Energy BV SPV që zotëron inceneratorin e Tiranës. Pra thanë ndryshe, rezultojnë se ata kanë vepruar për llogari të Mirel Mërtirit me qëllim që të fshihej pronësia dhe lidhja e tij me inceneratorin.
Ndërkohë në kuadër të këtij hetimit, SPAK ka firmosur urdhër arrest edhe për biznesmenin Ilir Dedja, ish-ortak me partneren e Mirel Mërtirin, i cili rezulton se garanton jetesën në arrati të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, për Denisa Tollkucin, Dashamir Ymerajn, italianin Giuseppe Ciaffaglione, Renardo Ballbatin si dhe gazetarin me inicialet E.B.
Për faktin se asnjëri prej të dyshuarve nuk është arrestuar brenda vendit dhe kërkimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat, emrat e tyre janë renditur tashmë në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
Sipas SPAK grupi kriminal ka pastruar shumën prej 20 milionë euro, para të cilat dyshohen të jenë pastruar në banka jashtë vendit.
“Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal. Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash”, thuhet në njoftimin e SPAK./VNA.al