Fitore in extremis për Atalantën që falë një goli të D’Alessandros mposhti 2-1 Empolin në stadiumin “Atleti Azurri D’Italia” në sfidën që çeli javën e 18-të të Serisë A. Një fitore e merituar për skuadrën bergameske pasi të besuarit e trajnerit Gasperini krijuan shumë volum loje në këtë sfidë duke u rikthyer te suksesi në kampionat pas 3 javësh. Ndeshja nisi me Atalantën më mirë. Vendasit imponuan ritmin e tyre që në fillim ndërkohë që në minutën e 17-të te Empoli u aktivizua Frederik Veseli që zëvendësoi Andrea Costën që u largua nga fusha i dëmtuar.
Pavarësisht përpjekjeve të Alejandro Gomez me shokë pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me golin e gjeorgjianit Mchedlidze që i asistuar nga DiMarco mposhti portierin e Atalantës Sportiello. Por për të ringjallur Atalantën dhe për ta rikthyer te fitorja mendoi mesfushori nga Bregu i Fildishtë, Kessie që në të 74-tën realizoi një gol të bukur për të barazuar shifrat. Shumë raste të shpërdoruara nga Atalanta deri në momentin e golit të fitores të realizuar nga D’Alessandro në minutën e 4-t shtesë në të cilin ishte sërish protagonist Kessie. Me këtë sukses, skuadra e Gasperinit u ngjit në kuotën e 32 pikëve.