Arbitrazhi fal Realin, tërbohet Barça

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, e njohur si KAS, ka marrë vendimin për të ulur dënimin e Realit të Madridit në lidhje me merkaton. FIFA e pezulloi dritaren e transferimeve të klubit madrilen për një vit të plotë duke përfshirë këtu merkaton e dimrit dhe atë të verës, mirëpo sipas KAS-it shkeljet e këtyre të fundit nuk janë aq të rënda sa thotë FIFA dhe Reali do të ketë të drejtë të transferojë futbollistë në merkaton e verës.
“Shkeljet nuk ishin aq të rënda sa u paraqitën nga FIFA, prandaj Arbitrazhi vendosi ta ulë dënimin për Realin e Madridit”, thuhet në njoftimin që ka bërë institucioni më i lartë ligjor në lidhje me sportin. Madrilenët janë gëzuar përgjysmë, sepse në fakt prisnin që pezullimi i merkatos të hiqej fare.
“Ishte diçka e pritshme, sepse Reali nuk ka bërë shkelje. Megjithatë, merkato nuk na duhet shumë gjatë kësaj kohe, sepse skuadra jonë është shumë e vështirë për t’u përmirësuar. Ne jemi më të mirët”, ka thënë presidenti i Realit, Florentino Perez.
Nëse ambienti madrilen është gëzuar përgjysmë në Barcelonë nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e KAS-it. Dy vite më parë edhe katalanasit patën të njëjtin problem, por kjo gjykatë nuk e uli dënimin dhe Barcelona qëndroi dy vite pa bërë merkato. “Është e çuditshme ajo që ndodhi. Ne u detyruam të mos kryenim transferime dhe e bëmë dënimin tonë ashtu siç vendosi FIFA. Tani më duhet të bisedoj me avokatët e kësaj çështjeje.
Edhe ne, edhe Reali u besuam të njëjtëve persona, por përfundimi është i ndryshëm. Në këtë histori ka diçka që nuk shkon dhe nuk më ka pëlqyer aspak fakti se si ndodhën gjërat. Nëse shkeljet dhe gabimet që kanë bërë skuadrat janë të njëjta, atëherë edhe dënimi duhet të ishte i njëjti”, ka thënë presidenti i Barcelonës, Josef Bartomeu.

Artikulli paraprakGaliani paralajmëron
Artikulli tjetërGabigol nëse nuk luan, ikën