Deputetja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Merita Bakiu, ka reaguar pas mbylljes së protestës në aksin Thumanë-Kashar. Sipas saj qyteti i Krujës është sot pa turistë, ndërsa bizneset po shkojnë drejt mbylljes, për shkak të izolimit të shkaktuar nga ndryshimi i projektit fillestar të rrugës së re, që parashikonte hyrje-dalje në rrugën e re.
Merita Bakiu ishte sot në protestë në krah të banorëve, duke theksuar se ata do qëndrojnë në krah të njëri-tjetrit pasi kauza e tyre është e drejtë.
Reagimi i Merita Bakiut:
Arroganca dhe makutëria e kësaj qeverie të korruptuar ka bllokuar mijëra familje dhe biznese, duke i çuar drejt falimentimit.
Kruja historike është rrethuar sot nga një tjetër pushtues: KORRUPSIONI!
Qyteti historik është pa turistë, sipërmarrësit e ndershëm po mbyllin qepenat, kostot e jetesës po bëhen edhe më të papërballueshme për shkak të izolimit të imponua me dhunën e pushtetit.
Me muaj të tërë zëri ynë nuk është dëgjuar, sepse prioritet Rama ka klientelën e tij dhe jo qytetarët.
Zgjidhja e kësaj çështje kërkon një reflektim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore, pasi çdo ditë që kalon është një kosto e padrejtë dhe e papërballueshme.
Ne do të qëndrojmë përballë kësaj të keqe. Jemi në krah të njëri-tjetrit sepse kauza jonë është e drejtë dhe nuk mund të lejojmë që Kruja dhe krutanët të nëpërkëmben dhe diskriminohen.
Kruaj meriton më shumë, Shqipëria meriton më shumë!