Kolni blindon Mërgim Mavrajn. Pas interesimit që Hamburgu shfaqi për mbrojtësin shqiptar, në mënyrë zyrtare klubi njoftoi se 30-vjeçari nuk do të largohet. Kontrata e Mavrajt me Kolnin përfundon në fund të sezonit dhe me rinovimin që ende nuk ka ardhur, u ngrit hipoteza se lojtari mund të shitej gjatë merkatos së janarit për të mos e humbur me parametër zero. Por, diçka e tillë është përjashtuar nga drejtori sportiv i Kolnit, Jörg Schmadtke, që për gjermanen Kicker përjashtoi mundësinë e shitjes së mbrojtësit kuqezi gjatë afatit të transferimeve të dimrit.
Me paraqitjet e shkëlqyera në këtë sezon, ku ka qenë një prej mbrojtësve më të mirë të Bundesligës gjermane, interesimi për Mërgim Mavrajn ka qenë i jashtëzakonshëm dhe duket se ka ardhur momenti që ai të bëjë hapin e madh në karrierë, duke u transferuar në një klub të rëndësishëm.
Megjithatë, Mavraj do të ishte i kënaqur edhe nëse e zgjat qëndrimin te Kolni, skuadër tek e cila militon prej vitit 2014. Vetëm pak ditë më parë, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare deklaroi se i pëlqen jeta në qytetin e Kolnit dhe prej vlerësimit që ka në klub është i gatshëm të rinovojë kontratën edhe për disa sezone.
Duke parë një mundësi të tillë, drejtuesit e Këlnit kanë filluar të studiojnë tregun e merkatos për përforcime në mbrojtje. I pyetur mbi një largim të mundshëm të Mavrajt, drejtori sportiv i Këlnit, Jorg Shmadke u shpreh: “Nuk dua të komentoj çështje merkatoje në ditë ndeshjesh”. Sot në mbrëmje, Këlni do të luajë në shtëpi derbin përballë Bajer Leverkusenit.
Ndërkohë, Sokol Cikalleshi shpërthen me një dygolësh në Kupën e Turqisë. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren 6-2 që arriti Istanbul Basaksehiri ndaj skuadrës së Kategorisë së Dytë, Goztepe në Grupin F. Cikalleshi hapi serinë e golave, duke ekzekutuar saktë një 11-metërsh të fituar nga skuadra vendase në minutën e 8-të për një prekje të topit me dorë brenda zone. Me portierin në njërin krah dhe topin në krahun tjetër, 26-vjeçari kavajas goditi tokazi për avantazhin e Basaksehirit.
Holmen 4 minuta më pas dyfishoi shifrat, ndërsa Cikalleshi në të 23-ën realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën nga Stambolli. Një finalizim i bukur ai i sulmuesit shqiptar që e çoi në 3 numrin e golave në këtë edicion të Kupës së Turqisë. Megjithatë miqtë u rikthyen në ndeshje me dy gola të shpejtë, por italiani Napoleoni që realizoi dy herë dhe senagalezi Dieng vulosën suksesin e thellë me shifrat 6-2 të Istanbul Basaksehir-it, që pas 3 ndeshjeve të para kryeson Grupin F me pikë të plota.