Autostrada Thumanë – Kashar ju pret rrugën banorëve të zonave përreth

Nga Elira Kadriu

Qindra qytetarë të Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës u mblodhën në protestën e katërt që pas hapjes së autostradës Thumanë – Kashar. Banorët kërkojnë t’i mundësohet hyrja dhe dalja në rrugën e re dhe pretendojnë se kjo ishte parashikuar në projektin fillestar.

“Ne s’po i kërkojmë diçka të vështirë, ne po i kërkojmë rrugën hyrje – dalje, si çdo vend të botës”, – tha për Citizens Andi Gjoka.

Banorët tregojnë se mbyllja e segmentit ekzistues të rrugës u ka paralizuar gjithë aktivitetin ekonomik dhe nuk ju jepet një zgjidhje ato do të detyrohen të zhvendosen.

“Rruga e vjetër është rruga që ka pas bërë Enveri, andej! Ne nuk jemi duke shkuar në demokraci, por jemi duke shkuar prapë asaj rruge që kemi pas, me marr ferrat e kanalet…” – thekson Ahmet Bagu, banor i zonës.

Gjatë protestave të djeshme u dëmtuan fizikisht nga përplasja me forcat e policisë tre qytetarë. Kjo nuk është hera e parë që Policia e Shtetit përdor dhunë, pak ditë drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato u filmua duke goditur një protestues, e për këtë arsye u pezullua nga detyra.

“Si qytetarë ne po ju bëjmë thirrje: “Mos ngrini duart drejt qytetarëve që po protestojnë”!”– tha njëri nga protestuesit gjatë fjalës së tij.

Ndryshe nga periudha parazgjedhore ku politikanët bëjnë shumë premtime, banorët shprehen se sot askush nuk ka ardhur që të flasë me ta për ti ofruar zgjidhje.

“Ne do të jemi zëri juaj, ne do ju mbështesim juve, ne do të punojmë për ju, do të jemi gjithmonë…Ku është kryetari i bashkisë? Ku është Artur Bushi? Ka marr votat e këtij populli! Ku është sot?”- përfundon njëri nga protestuesit.

267 milion euro për autostradën, 270 lekë për kalimin

Në dhjetor të 2018 Belinda Balluku u emërua nga kryeministri Edi Rama, në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një nga vendimet e saj të para ishte anulimi i urdhrit për koncesionin Thumanë – Kashar, pas skandalit të falsifikimit të firmës “DH Albania”.

Anulimi i kontratës u ndoq me një padi nga kompania Gener 2. Gjykata e Apelit i dha të drejtë kompanisë duke detyruar qeverinë të rikthejë marrëveshjen për miratim në Këshillin e Ministrave.

Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive “Gener 2 sh.p.k “parashikon një koncesion 35 vjeçar.

Kjo rrugë do të aksesohet kundrejt një pagese prej 270 lekësh për çdo mjet. Ndërsa projekti ka kushtuar rreth 267 milionë euro, financimi i aksit është bërë nga koncensionari, që planifikon të mbledhë të paktën 1.3 miliardë euro të ardhura bazë për 35 vite./Citizens

Artikulli paraprakModelet e dëmshme të ekraneve dhe show-it, duhen refuzuar
Artikulli tjetërDoriana Musai: “Epika e Yjeve të Mëngjesit”, sa aktuale edhe sot