“PD do t’i fitojë zgjedhjet e qershorit për shumicën e shqiptarëve që vuajnë keqqeverisjen, korrupsionin, drogën, krimin”. Kryetari Basha shprehu bindjen se, kjo do të arrihet përmes zgjedhjeve të lira dhe do të shënojë fitoren e një tjetër sfide të madhe për gjithë shqiptarët, pas fitores së asaj të dekriminalizimit.
Në një deklaratë pas mbledhjes së grupit parlamentar Basha tha se: “Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pas 2 vitesh betejë të opozitës, procesi i dekriminalizimit po jep frytet e para. Partia Demokratike, opozita dhe unë personalisht, jemi sot me kokën lart para qytetarëve shqiptarë, pasi beteja që ne bëmë për ndarjen e krimit nga politika, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme, sot fillon të japë frytet e para, në veçanti me një nga simbolet e kriminalizimit të shtetit, që është Elvis Roshi”.
Ai tha se PD e luftoi këtë betejë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse besojmë se, Shqipëria nuk ka të ardhme pa ndarë politikën nga krimi. Është fakt se, Edi Rama bëri gjithçka me pushtetin e tij për të vonuar dhe sabotuar zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Bëri gjithçka duke luftuar opozitën, që luftonte kriminelët. “Për të mbrojtur krimin në pushtet dhe pushtetin e kriminalizuar, tha zoti Basha, e mbani mend se si përqeshte dhe tallej me opozitën, me dekriminalizimin në rastin e Elvis Roshit. Sot nuk besoj se qesh, sepse i kemi treguar vendin atij dhe Elvis Roshit”.
Për kryetarin e PD është e rendësishme që kjo të mos merret thjesht si një fitore individuale, por si një fitore e të gjithë shqiptarëve që vlen shumë për të kthyer besimin se e mira do të mundë të keqen. Kjo, sipas kreut të PD është një fitore për të gjithë ata qytetarë pesimistë dhe të shkurajuar nga Shqipëria e zhytur në mjerim për shkak të krimit, të korrupsionit, drogës. Zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit është vetëm fillimi.
“Unë inkurajoj të gjitha institucionet që zbatojnë Ligjin e Dekriminalizimit të procedojnë pa vonesë në mënyrë që krimi dhe politika të ndahen përfundimisht nga njëri-tjetri. Është një fitore për shqiptarët, është një fitore për Partinë Demokratike, është një fitore për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Europian”.
Ndërkohë përpara shqiptarëve tashmë ndodhet një tjetër sfidë e madhe, sfida e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dihet se kjo është një sfidë që çliron nga kthetrat e dhunës çdo shqiptar, ndaj edhe përpjekjet për ta fituar edhe këtë sfidë do të bëhen me ndihmën e çdo qytetari të ndershëm që kërkon të jetojë i lirë në Shqipëri. “Në të kaluarën, Edi Rama ka dëshmuar përmes mungesës së vullnetit për të zbatuar Ligjin e Dekriminalizimit, mungesës së vullnetit për Reformën Zgjedhore dhe përmes zgjedhjeve të Korçës, zgjedhjeve të 2015, të Dibrës dhe Kolonjës, se ai është armik i zgjedhjeve të lira”, vazhdon zoti Basha në deklaratën e tij. Ai e konsideron fitoren e betejës së dekriminalizimit si nisjen e një rruge të re që duhet ndjekur bashkë me të gjithë shqiptarët. Gjithashtu, ai shprehet i sigurtë se frytet e para të ligjit të dekriminalizimit do të ndihmojnë në bashkimin e të gjithë shqiptarëve që kanë besim dhe vullnet tek një Shqipëri e ndarë nga krimi, për të vazhduar me bindje drejt fitores së sigurtë të sfidës tjetër të madhe atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Shqipëria nuk do t’i takojë krimit dhe kriminelëve, Shqipëria do t’i kthehet njerëzve, qytetarëve të cilëve u takon”, tha zoti Basha.
Më poshtë, kreu i PD shprehu shqetësimin e grupit parlamentar që ka të bëjë me faktin që kemi përballë një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar, e cila nuk ka vullnet të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se në funksion të kësaj, ka sabotuar Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike prej datës 17 maj ka dorëzuar platformën 12 pikëshe, ndërsa qeveria po ndërton një rrjet aleance me krimin në funksion të së cilës shpëton Klement Balili, lirohet Lul Berisha, përgatitet një amnisti për të shpëtuar Armando Prengën, trafikantët dhe shitblerësit e votës, të cilët janë nën hetim, pra, kemi një kryeministër që nuk ka vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas kryetarit Lulzim Basha, grupi parlamentar duke ndarë këtë shqetësim ka diskutuar me përgjegjësinë më të lartë për atë që na takon të bëjmë ne, si në raport me aleatët tanë ashtu në veçanti, në raport me qytetarët shqiptarë, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kauzë që bashkon të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht prej bindjeve politike. Në funksion të kësaj ideje ai deklaroi: “Nuk ka shqiptar të ndershëm, të djathtë apo të majtë, demokratë apo socialistë, kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por ka një grusht qeveritarësh, kriminelësh dhe monopolistësh, të cilët duan të mbajnë këtë status-quo, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi shumica e shqiptarëve, të cilët sot vuajnë keqqeverisjen, korrupsionin, krimin, drogën për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe kemi një pakicë pushtetarësh, që kanë përfituar dhe janë majmur pikërisht përmes krimit, korrupsionit, drogës dhe mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Kreu i PD, Lulzim Basha e konsideron këtë përballje si një detyrë për t’i dhënë zë shqetësimit të shumicës së shqiptarëve dhe për t’u bashkuar si rruga e zgjidhjes, për të diktuar të gjithë bashkë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Kjo është sfida, tha ai. Sot, shqiptarët kanë një arsye më shumë për të qenë më pak pesimistë se dje, sepse një nga betejat kryesore tonat, të shqiptarëve filloi të japë frytet. Kriminelët nuk do të kenë të ardhme në politikë, do ta kenë aty ku ju takon, para drejtësisë, një drejtësie të pavarur, sipas Kushtetutës së 22 korrikut që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin”, përfundoi zoti Basha.
Zbatim i plotë ligjit të dekriminalizimit
– Ndërkohë ju keni çuar në Kushtetuese edhe KLGJ dhe KLP?
Partia Demokratike ka vepruar në bazë të gjithë atyre që ka paralajmëruar.
– Çfarë prisni nesër nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin e Veting-ut?
Atë që prisni edhe ju, vendimin, në qoftë se e ka nesër, nëse jo, kur ta ketë.
– Partia Demokratike ka ankimuar edhe ligjin për KLGJ-në dhe KLP-në, si e mendoni ecurinë e Reformës në Drejtësi?
Reforma në Drejtësi do të bëhet siç është përcaktuar më 22 korrik, një drejtësi e pavarur dhe e pakapur. Jo një drejtësi e kontrolluar nga Kryeministri për hesap të Lul Berishës, Armando Prengës, trafikantëve të drogës dhe të shitblerësve të votës të cilët kërkon t’i amnistojë nesër në Kuvend.
– Zoti Basha, Prokuroria ka verifikuar me probleme edhe Dashamir Tahirin, deputetin e PDIU-së, por aktiv në Grupin parlamentar të Partisë Demokratike. A keni ju një koment për këtë?
Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi një qëndrim të qartë politik. Çdo person, duke filluar nga unë e çdokush tjetër duhet t’i nënshtrohet plotësisht ligjit për dekriminalizimin. Ky është qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë. Jam i prirur t’i mirëkuptoj rrethanat që ka shpalosur zoti Tahiri, por kjo nuk është çështje që e gjykoj unë, këtë e gjykojnë institucionet. Qëndrimi politik i Partisë Demokratike dhe i imi personalisht është zbatimi i plotë i ligjit për dekriminalizimin.