Një zjarr i fuqishëm përfshiu katin e 10-të të një pallati në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë. Zjarri ka rënë në papafingon që ishte në pronësi të Presidentit të Klubit të Futbollit “Partizani”, Gaz Demi, i njohur si miku i Ramës. Policia bëri të ditur se, “zjarri i rënë në rrugën “Budi”, pallat i ri kati i 10-të, rezulton të ketë rënë në banesën e shtetasit Gazment Demi. Policia tha se nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit në shtëpinë e Demit.
Dyshohet se një shkëndijë elekrike në papafingon e këtij pallati shkaktoi zjarrin e fuqishëm. Shtëllungat e tymit dukeshin në të gjithë Tiranën. Flakët kishin përfshirë të gjithë papafingon e Gaz Demit, Presidentit të “Partizanit”. Nxehtësia shkaktoi eksplozion, i cili u dëgjua në të gjithë zonën pranë Ambasadës amerikane, në rrugën e “Elbasanit”.
Zjarri nuk ka shkaktuar panik vetëm banorët e pallatit dhe zonës aty pranë, por në gjithë Tiranën. Duke qenë se ka rënë në një lartësi të konsiderueshme, flakët e zjarrit dhe tymi janë fotografuar nga qytetarë të shumtë në kryeqytet.
Si pasojë e zjarrit të fuqisëm janë evakuar banorët e pallatit. Zjarrfikësit edhe pse me veshtirësi për shkak të trafikut tepër të rënduar, kanë mbërritur në vendngjarje. Problematik nuk ishte vetëm zjarri në papafingon, por të rrezikuara ishin edhe banesat e tjera. Copa metali të papafingos shkëputeshin dhe binin nga kati i 12, duke rënë në ballkonet e kateve më poshtë.
Zjarrifikësit përpiqen të shmangin ndonjë vatër tjetër zjarri, duke spërkatur me ujë banesat e tjera të këtij pallati. Nuk mund të arrijnë deri në katin e 12, por shërbimi zjarrfikës mundi të mos lejonte përhapjen e flakëve. E ndërsa situata është vënë nën kontroll, në katet e mëposhtme të pallatit, të tjerë zjarrfikës janë ngjitur në tarracën e pallatit.
Zjarrfikësit luftuan me flakët për disa minuta, ndërsa të gjithë banorët janë evakuuar për arsye sigurie, pasi nga papafingoja shkëputeshin vazhdimisht pjesë të drunjta me flakë poshtë.
Edhe pse në kushte jo të mira dhe me shumë vështirësi, zjarri u vu nën kontroll. Papafingo u shkrumbua, por fatmirësisht nuk pati të dëmtuar në njerëz. Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e vërteta të këtij zjarri.